Teatri shëtitës mbërrin në Teatrin Kombëtar

anazapta

Komedia “Kur njihesh në internet”, pas udhëtimit në disa skena teatrore të vendit, mbërrin në skenën e madhe të Teatrit Kombëtar. Një kast aktorësh të rinj, nën regjinë e Kiço Londos, sjellin në skenën e TK-së, një  farsë të shpejtë, komike, brilante me telashe që vetëm shtohen dhe situata që dalin jashtë kontrollit…  

Premiera në Tiranë e komedisë së autorit anglez Ray Cooney, i njohur si  “mjeshtër i farsës”, do të jetë në 1 shkurt për të vazhuar në datat  2, 6, 7, 8, 9, 13, 14, 15, 16 shkurt.

Komedia sjell kaosin që ndodh në jetën e Xhon Smith, kur bigamie e tij është duke u zbuluar nga dy familjet e tij. “Kur njihesh në internet” është një vazhdim i komedisë “Një burrë me dy gra”, vënë në skenë në vitin 1998 nga regjizori Kico Londo. Në këtë pjesë të dytë, Londo ja ka besuar interpretimin, aktorëve të rinj si, Roland Saro, Orsi Vangjeli, Ermira Hysaj, Esela Pysqyli, Alesia Xhemalaj, Ergys Çekrezi dhe aktorit që i rikthehet komedisë, Xhevahir Zeneli.

Në atë kohë Xhon Smith ishte në fillimet e jetës së tij të dyfishtë bashkëshortore, që mbante në mënyrë perfekte dy gratë e tij në dy skajet e qytetit të Londrës. Një aksident i vogël për pak rrezikoi në atë kohë që sekreti i Xhonit të dilte në shesh. Por fati ishte me të dhe në atë kohë Xhoni ia hodhi paq.

Tani, 18 vjet më vonë, risia e pamëshirshme  e këtij shekulli, interneti, është gati t’i bëjë dy familjet Smith të përplasen kokë më kokë. Dy adoleshentë që as e kanë idenë për jetën e ‘guximshme’ të babait të tyre, bien në dashuri dhe janë gati të takohen.

Një Xhon Smith i tmerruar është në një lëvizje frenetike të vazhdueshme për të mbajtur atë që nuk mban dot më, sekretin e dy familjeve paralele. Teknologjia është më e fortë se deshira e individit. Xhoni vrapon sikur dëshiron të kap kohën e humbur, të fshijë me një gomë magjike nëpërmjet gënjeshtrave bajate dhe situatave të komplikuara jetën e tij të deritanishme. Por këto situata riprodhohen mbrenda tyre pikërsht sepse mënyra se si janë ngjizur është e pamundur të prodhoj tani më fenomene në favor të Xhonit.

Dy adoleshente që kënaqen pa masë nga romanca e tyre që përkon me koincidenca të cuditshme: një baba me emër dhe mbiemër të njëjtë, me moshë të njëjtë, dhe me profesion të njëjtë. Ata vendosin të takohen dhe këtu nis drama e Xhonit…

“Kur njihesh në internet”, është shfaqur premierë në Teatrin “Bylis” të Fierit, më pas në qytetet, Elbasan, Korçë, Pogradec, Shkodër, Vlorë, etj.

 

Slogani i Teatrit Shëtitës është:  Vetëm Shekspiri mund të na shpëtojë.

Teatri Shëtitës, është  krijuar me synimin për të zgjeruar hapësirat teatrore shqiptare. Me ide të qarta dhe  një strategji të mirëpërcaktuar, kjo nismë në fushën e artit teatror, në logon e dy këmbëve misionare, që nisen nga drejtime të ndryshme, por nga njerëz me mendime, vizione dhe ide të përbashkëta ka një qëllim të përbashkët parësor që synon  bashkërendimin e energjisë dhe dinamikës së artistëve të kryeqytetit me hapësirat artistike në qytetet e tjera dhe zgjerimin e hapësirave të vakëta dhe të munguara teatrore, në të gjithë Shqipërinë. Drejtimet e realizimit të këtyre qëllimeve janë: Teatri për Fëmijë, Teatri për Adoleshentë dhe Teatri për të Rritur. Teatri Shëtitës u krijua nga një bërthamë profesionistësh, aktorë, regjisorë, koordinatorë të cilët, falë një eksperience të suksesshme në projektet e Kompanisë Teatrore “Çajupi” dhe projekteve në Teatrin e Metropolit do të vazhdojnë të përmbushin idetë dhe qëllimet e tyre artistike në të gjithë teatrot ekzistues të Shqipërisë, duke guxuar të ngrenë skena teatrore edhe në vendet që nuk ekzistojnë.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *