Tedi Papavrami: Puna e zhvillon talentin

redaktor

Në një intervistë për Tonight Ilva Tare, violinisti i njohur shqiptar Tedi Papavrami ka folur për suksesin e tij, punën dhe talentin si dhe për kujtimet me gjyshin.

 

Beson tek puna dhe nuk beson tek fati. Ndoshta e keni punën si motiv edhe nga gjyshi juaj?

Është shumë e vërtetë. Ai është munduar që të ma inspirojë thellë, babai im gjithashtum por gjyshi im ishte vetë shembull nga kjo anë, nuk ishte thjeshtë një këshillë nga një prind që thotë se duhet të punosh por po ta shikosh se si jetonte vetë, e kuptoje që ishte diçka shumë obsesionale, mënyra se si organizonte ditën, mënyra se si jetonte.

Puno, puno pavarësisht nga mosha, një njeri që largohet nga puna, ka marrë fund, ju thoshte gjyshi. Në atë kohë ju keni qenë i vogël, i kuptonit ndryshe nga ç’i kuptoni tani?

Sigurisht, por e kuptova mjaft shpejt, nga mosha 11-12 vjeçare kur u gjenda vetëm në Francë m’u kujtuan të gjitha këto gjëra dhe kjo më shtyu që vetë të aplikoja këto principe.

Ka qenë e vështirë?

Shumë e vështirë se s’ishte në natyrën time, mund të them që jam dembel nga natyra.

Çdo 11- vjeçar është pak dembel, apo ju ishit veçanërisht?

Gjyshi im kur isha i vogël më thoshte, ti je i papërqëndruar; gjë që kishte shumë të drejtë. Më thoshte, ti je dembel, je turk. Turqit i asocionte me anën orientale të dembelizmit dhe të mungesës së punës.

Po gjyshi çfarë ishte vetë? Ishte pak francez, pak europian?

Ai për mendimin tim ishte brumosur nga ana anglosaksone, kishte ndjekur studimet që i vogël, në moshën 12- 13 vjeçare në Kolegjin Amerikan në Selanik, dhe pas maturës kishte shkuar në Boston. Për mendimin tim, kishte tamam atë lloj organizimi protestant që mund ta gjesh tek disa amerikanë, tek disa anglezë.

E vendosi Tedi që do bëhej violinist apo e vendosi babai juaj?

Babai vendosi që të bënte maksimumin kur pa që unë isha i talentuar, se ishte vetë profesor shumë i mirë, kështu që duke parë eksperincën e nxënësve të tjerë, pa që kisha shumë të dhëna, dhe nga ai moment dhe jo më parë, nisi punën në mënyrë serioze. Sigurisht që duke qenë dhe unë një nga nxënësit e tij, profesori i mirë mëson nga nxënësit e vet, kështu që pa çfarë mundësish kisha, eksperimentoi gjëra, më dha gjëra shumë të vështira nganjëherë, njëkohësisht duke ndjekur një program. Ishte një profesor i shkëlqyer në fakt për fëmijët, kështu që ky ishte një fat i madh.

Shqipja juaj nuk ka ndryshuar, më duket shumë e mirë. Si e ruan?

Nuk e di po më duket se edhe është zhvilluar në sajë të frengjishtes, sepse prapësëprapë kur zhvillon kapacitetin për të ndërtuar një fjali, për të shprehur një mendim në një gjuhë, arrin ta aplikosh edhe në një gjuhë tjetër, ndonëse fjalorin e kam më të kufizuar se po të kisha jetuar në Shqipëri.

Si kanë qenë reagimet që të kanë ardhur për librin në Shqipëri?

Po më pëlqejnë, janë të mira, duken entuziaste. Më pëlqen kur kapin humorin e rrëfimit që ka patur, sidomos në periudhën e komunizmit kur e përshkruaj, pastaj secili kap gjëra të veçanta dhe ka një lexim personal.

Bëhesh dot vetëm me punë, pa talent?

Jo, sigurisht që jo. Jo në nivelin e një solisti të madh, kjo sigurisht që jo. Pastaj edhe talenti nuk është 100% i prerë. Ka doza të ndryshme talenti, ka njerëz që kanë një farë talenti, ka njerëz që kanë më tepër, ka njerëz që kanë disa lloj vështirësish, pastaj ekzistojnë talente që duken të plotë, ku ke përshtypjen që ekziston veshi, koordinimi, duart që bëjnë që këto të duken pak a shumë të gjithë njësoj, kur kanë një lloj doze edhe nga këta mund të shpresohet që me një punë të mirë, me zgjuarsi mund të arrihet niveli më i lartë.

Zhvillohet talenti me kalimin e viteve?

Jo, ajo që zhvillohet është kapaciteti, por talenti vetë është diçka që jepet në fillim. Mund të përparosh në sajë të punës. Një njeri më pak i talentuar mund të bëhet më i mirë, por sigurisht në mënyrë ideale është mirë t’i kesh të gjitha.

Vajtjen në Kosovë e kujton?

Po, po, e kujtoj. Më dukej një modernitet i paparë në krahasim me Shqipërinë, aq sa nuk e shikoja fort diferencën në fakt midis Kosovës, Greqisë, Francës sepse gjithsesi ishte shumë më moderne se Tirana.

Në Shqipëri, brezi i ri për fat të keq është më i prirur të besojë tek modelet që suksesi ndodh për arsye të çuditshme, rastësore, fati, etj, etj, dhe jo me punë. Si mund t’ua themi  që puna të bën?

Fatkeqësisht kjo nuk është vetëm në Shqipëri për mendimin tim, është diçka e përgjithshme. Vlera e punës ka pësuar një rënie kudo dhe kjo ushqehet dhe nga shoqëria e konsumimit, që sidomos të ketë njerëz që shpenzojnë dhe njëkohësisht, ky është paradoksi, do dhe njerëz që punojnë për t’i shitur këtyre njerëzve, por ka diçka kontradiktore sepse kërkon nga njëra anë një disiplinë dhe një shtrëngim të madh që të bëhen shumë efiçentë për të shitur dhe nga ana tjetër do një lëshim të vlerave që vetëm të konsumojnë.

Si t’u dukën netët e koncertit në Tiranë?

Qe një moment shumë i fortë për mua. E kisha shpresuar qëe të ishte i tillë, nuk e kisha imagjinuar skenografinë e mrekullueshme që u bë. Për mua ishte moment intimiteti mes meje dhe publikut, pak a shumë ashtu siç është libri, një rrëfim personal ku jam munduar të jem sa më i vërtetë, prandaj doja dhe këtë repertor që është shumë i thellë. Kisha herë pas here dhe pak dyshim, thoja mbase është diçka shumë abstrakte, muzika instrumentale është vetë abstrakte prandaj dhe operat pëlqehen shumë më lehtë nga masat sepse kanë një histori, kanë një fjalë, ndërsa muzika është si matematika, mund të thuhet që tregon një histori, por nuk është tamam ashtu.

Çfarë është muzika për ty?

Në fakt është një lloj ligjërate për mendimin tim, është një lloj diskutimi, por edhe ndjell sensacione ashtu si shija ose si era që ndiejmë ose si gjërat, diçka që prekim edhe duke u organizuar në një vepër, këto prodhojnë emocion pastaj, por nuk është ashtu siç e mendojnë njerëzit që muzika prodhon direkt emocion. Prodhon sensacione dhe prej sensacioneve ne si njerëz detektojmë sinjale që na japin emocion.

Po ti vetë, merr emocion?

Sigurisht, por jo në atë mënyrë si e kujtojnë njerëzit. Njerëzit menjëherë mendojnë që emocioni interpretuesit është si i dëgjuesit, por i 10-fishuar apo i 100-fishuar, edhe prandaj e kanë ëndërr, ah sikur unë të bëja këtë, ndërkohë që unë emocionet më të thella shpesh herë i ndjej si dëgjues, sepse jam i çliruar, nuk jam në kohë, domethënë caku më interesant në interpretim është kur dëgjuesi del nga koha, që stakohet nga vazhdimësia, nga skllavërimi i kohës dhe ky është momenti më i rrallë por kur je në aksion, je pikërisht në kohë sepse je duke prodhuar. Mund të kesh mbase si një hije të kesaj por është shumë më e vështirë sesa kur e dëgjon, kështu që është një lloj kënaqësie fizike ndërsa ka diçka më të çmuar për mua kur je në ëmocionin puro që është jashtë fizikut.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *