Nuk do t’i shpëtonte Fevziut një emision për “Eurovizionin”. Dhe në atë panel nuk do të mungonte eksperti i kudondodhur Preç Zogaj, kësaj radhe si specialist i tekstit të këngës. E dëgjova vetëm tri minuta Preçin. Më shumë do të qe një sakrilegj. U befasova kur Preçi, që shkruan dhe poezi, ju sul tekstit të këngës sonë në Eurovizion duke na mbushur mendjen se ai tekst paskësh qenë fatkeqësia e këngës sonë. Do ta kundërshtoj që në fillim e do t’i them se teksti në fjalë qe në të njëjtin nivel me komponentët e tjerë të këngës. Dhe së dyti në Eurovizion dhe kudo gjetkë nuk e penalizon dot një melodi të bukur dhe një zë të veçantë. Preçi qe shumë i inatosur me tekstin e festivaleve dhe gjithë tekstet e këngëve shqiptare. Njeriu nga padija mund të thotë çdo lloj marrëzie dhe gjithë këngën shqiptare ta minimizojë, vetëm me dy këngë që janë shkruar mbi dy poezi të Agollit dhe Kadaresë.
Është e vërtetë që poezitë e këtyre dy këngëve janë shumë të bukura, por muzikimi i tyre mezi arrin tek mesatarja. Në qoftë se këto poezi do recitoheshin fjala vjen nga Margarita Xhepa, do të tingëllonin më bukur si poezi se sa si këngë. Unë kam dyzet vjet që jam investuar në këtë gjini (gjinia më e vështirë poetike) dhe di shumë më tepër se Preçi. Për shembull, Preçi nuk e di që në nëntëdhjetë e pesë për qind të krijimit të këngëve në botë, më parë shkruhet melodia dhe teksti “ngjitet” më pas. Nuk është e vërtetë që në botë muzikohen vargjet e poetëve të mëdhenj. Kompozitorët nuk preferojnë të futen në kornizat fikse të poezisë, mbasi e quajnë kufizim të fantazisë krijuese. Dhe mbasi ata bëjnë një la-la-la e aq, gjithë barra mbetet mbi autorët e teksteve, që më së shumti nuk janë poetë të mirëfilltë por janë të specializuar në këtë gjini.
Duke ditur këtë vështirësi sfilitëse, i madhi Çesk Zadeja kur bënte ndonjë melodi kënge i thoshte poetit (ma ka thënë dhe mua): “Kam ba nji palë kpucë me numur tridhjetë e pesë, po ti duhet të futësh aty një këmbë me numur dyzet!” E pranojmë të gjithë se “Njëqind këngët e shekullit” janë të shkëlqyera në çdo komponent, po dhe tek ato gati në njëqind për qind të rasteve më përpara është bërë melodia, por kjo gjë nuk kuptohet mbasi tekstet janë shumë të përputhur me meloditë. Me përjashtim të rastit të Xhevahir Spahiut, Arben Dukës, Koçi Petritit, Gjokë Becit, Ilirjan Zhupës, Lirim Dedës, Hysni Milloshit e ndonjë tjetri, që janë poetë të mirëfilltë, barrën më të madhe e kanë mbajtur mjeshtrat e kësaj gjinie që njihen masivisht e që janë Jorgo Papingji, Agim Doçi, Zhuljana Jorganxhi, Sokol Marsi, Alqi Boshnjaku dhe pak të tjerë. Është e pamoralshme për një poet (Preçi shkruan dhe libra me poezi) të injorojë me një fjali punën titanike të këtyre krijuesve të palodhur dhe të pashtershëm.
Pyes Preçin: “Pse Vaçe Zela në gjithë krijimtarinë e vet madhështore, pse nuk zgjodhi qoftë dhe një herë të vetme një poezi të poetëve tanë të mëdhenj dhe t’i imponohej një kompozitori që t’ia muzikonte?!” Se asnjë kompozitor (ndofta me përjashtim të Avni Mulës) nuk do të pranonte e nuk do guxonte të kompozonte mbi poezi të gatshme, ndaj për 50 vjet nuk ka më shumë se pesëdhjetë këngë që të jetë bërë poezia përpara melodisë. Unë vetë mund të kem mbi 500 këngë në muzikën e lehtë, por vetëm dhjetë ose pesëmbëdhjetë poezi janë marrë nga librat e mi, të tjerët janë shkruar mbi melodinë paraprake. Ulu një herë vetë – o Preç, shkruaj diçka të tillë dhe pastaj na mbaj leksione neve që u thinjëm në këtë punë të tejsikletshme. Nuk është e vërtetë që grekërit kanë bërë aq shumë këngë me vargjet e Jani Ricosit dhe francezët me poezitë e Zhak Preverit. Mund të ketë ndonjë të vetme sot, po dhe më parë këngëtarët dhe këngëtaret më në zë i kanë shkruar dhe i shkruajnë vetë këngët e tyre me tekst e muzikë.
Librat me poezi aty janë dhe kanë qenë, por asnjë kompozitor s’i zë me dorë dhe arsyen e thamë cila është. Ti Preç duhet të kesh shkruar të paktën njëmijë poezi, po a ka ndonjë nga këto poezi ta ketë bërë këngë një kompozitor?! Sigurisht që nuk ka, se teksti i këngës funksionon ndryshe. Ndaj të thashë të ulesh dhe të krijosh një tekst mbi një melodi. Por nuk ke për ta bërë kurrë dhe do thuash si Kadareja dikur: “E kam më kollaj të bëj një roman se sa një tekst kënge!”Askush nuk bën dot më shumë se kaq për tekstin e këngës, edhe në botë ato janë po kaq të rëndomta për vetë specifikën dhe vështirësinë. Megjithatë provoje një herë dhe ti – o Preç!
*Poet dhe autor tekstesh për këngë
