Mijëra të përzgjedhur kanë mundur të fitojnë edhe përgjatë shorteut të djeshëm, dhuratat dhe çmimet e lojës më popullore të fatit në vend, Telebingo Shqiptare, ndërmjet tyre edhe çmimin e madh të javës, që kësaj here është ndalur në qytetin e Elbasanit.
Sikundër është bërë traditë tashmë, shpallja e fituesve ka nisur me përzgjedhjen rastësore të kontrabiletave në lojën telefonike, e cila ka shëtitur në shumë qytete të vendit, duke zgjeruar edhe më shumë larmishmërinë gjeografike të fituesve.
Përzgjedhja rastësore e kontrabiletave, ka bërë që fituesi i parë t’i gëzohet shumës prej 30,000 lekësh. Jetmira ishte e përzgjedhura e radhës, e cila në betejën me çmimet dhe dhuratat e fshehura në zarfe, si dhe shansin e dhënë “2 herë fat”, ka mundur të dyfishojë çmimin e fituar, duke siguruar kështu në total nga Telebingo Shqiptare plot 70,000 lekë. Loja telefonike është ndalur më pas në qytetin e Vlorës, ku Ardita ka tentuar të gjurmojë se në cilin prej zarfeve fshihej një ndër çmimet më të preferuara, makina “Volkswagen Up”.
Por, ndonëse nuk ka qëlluar në shenjë zarfin e duhur, me përzgjedhjen e dy zarfeve më të preferuara, Ardita ka siguruar nga Telebingo Shqiptare plot 50,000 lekë. Pas Vlorës, loja me çmimet dhe dhuratat e fshehura në zarfe është ndalur në qytetin e Hasit, duke shpallur si fitues Bajramin.
Me mbajtjen e dy zarfeve të preferuara, Bajrami është shpallur fitues i shumës prej 20,000 lekësh, shumë të cilës i është bashkuar si dhuratë edhe një tapet, i ofruar nga mbështetësit financiarë të programit.
Beteja me çmimet e zarfeve ka vijuar edhe në telefonatën pasardhëse, betejë e cila ka tejkaluar kufijtë shqiptar, duke u ndalur në qytetin e Athinës, ku familja e Sokol Shllakut ka siguruar nga Telebingo Shqiptare, shumën prej 20,000 lekësh, si dhe 2 orë të ofruara dhuratë nga mbështetësit financiarë të programit.
Pas fituesve të lojës telefonike është hedhur edhe shorti i goglave për çmimin e madh të javës, që ka kapur vlerën e 1,365,325 lekëve. Seria e numrave të përzgjedhur ka treguar se çmimi i madh i javës do të shkojë sërish në qytetin e Elbasanit.

