Gjykata e Vlorës i jep fund procesit gjyqësor në ngarkim të 8 zyrtarëve të Bashkisë së Orikumit, të akuzuar për shkelje të barazisë në tenderë. Në përfundim të procesit, janë dhënë dënime 300-500 mijë lekë gjobë, kurse neni në Kodin Penal parashikon burgim dhe gjobë për këtë vepër penale. Të pandehurit ishin anëtarë të Komisionit të Ofertave dhe u shpallën fajtorë ditën e djeshme nga trupi gjykues, sipas pretencës së paraqitur nga prokuroria. Zyrtarët shpëtuan gjatë hetimeve për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”, ndërsa u akuzuan për favorizim të dy kompanive për tenderin e rikonstruksionit të lagjes nr. 4 dhe blerjen e një veture gjatë viteve 2008-2009, me vlerë të përgjithshme 22,5 milionë lekë.
Prokuroria e Vlorës zhvilloi hetimet pas një kallëzimi të mbërritur nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Nga hetimet e prokurorisë u provua se këta zyrtarë publikë kanë kryer shkelje ligjore në të paktën dy procedura të prokurimit publik, fondi i të cilave arrin në vlerën totale të 22,5 milionë lekë të reja. Në përfundim të procesit gjyqësor, gjykata pranoi kërkesën e prokurorisë dhe shpalli fajtor Riviera Mjalti, Hëna Capoj, Valbona Ibrushi, Enkelejda Xhelilaj, Ilir Kokuri, Alketa Karafilaj, Faslli Bozhani dhe Ilir Troqe. Bëhet fjalë për tenderin me objekt “Rehabilitimi i lagjes nr. 4, Orikum”, me fond 20,08 milionë lekë të reja. Në konkurrim kanë marrë pjesë dy shoqëri, të cilat nuk plotësonin kushtet teknike dhe ligjore. Asnjë prej tyre nuk ka plotësuar kriteret ligjore të kërkuara dhe duhet të skualifikoheshin. Por komisioni ka shpallur një prej tyre fituese, duke e privilegjuar. Prokuroria ka hetuar edhe kallëzimin tjetër të KLSH-së për këtë bashki, në zërin “blerje autoveture”, me fond 2,5 milionë lekë të reja. Edhe këtu fituese u shpall një kompani që nuk plotësonte kriteret e kërkuara. Për të gjitha këto shkelje më dëm ekonomik në buxhetin e shtetit është bërë kallëzimi penal në prokurori dhe pas hetimit dërgimi për gjykim. Të pandehurit ish-zyrtarë u gjykuan të gjithë në gjendje të lirë, ku 5 prej tyre janë femra.
Kontrolli i Lartë i Shtetit Tiranë ka ushtruar auditim në Bashkinë Orikum për vitet 2010 dhe 2011, si dhe për probleme të ndryshme edhe për vitet 2008 dhe 2009. Autovetura është blerë në vitin 2008 me tender të hapur, ku fituese u shpall firma “Qualub” sh.a. Kurse në vitin 2009 është bërë tenderi me 20,08 milionë lekë për rehabilitimin e lagjes nr. 4 në Orikum, tender i hapur. Fitues i tenderit me shkelje të rënda u shpall kompania “Spektri” sh.p.k. Të pandehurit u përjashtuan nga akuza e “shpërdorimit të detyrës”.
Të pandehurit:
Rivjera Mjalti, 43 vjeçe
Hëna Çapoj, 54 vjeçe
Valbona Ibrushi, 44 vjeçe
Enkeleda Xhelilaj, 42 vjeçe
Ilir Kokuri, 47 vjeç
Alketa Karafilaj, 33 vjeçe
Faslli Bozhani, 51 vjeç
Ilir Troqe, 33 vjeç
