Që prej vitit 2002, koncerti “Tre tenorët” është kthyer në një traditë, këtë herë me tre tenorë amerikanë
Mbrëmjen e sotme koncerti tashmë traditë i “Tre tenorëve” do të vijë në edicionin e 11-të ndryshe. Kjo për faktin se tashmë emërtimi do të jetë “Tre tenorët amerikane”. Prej disa ditësh kanë filluar përgatitjet të cilat do ta shfaqin rezultatin e tyre sot, në orën 19:00 në Pallatin e Kongreseve. Tenorët amerikanë vijnë në Tiranë me mbështetjen e ambasadës amerikane dhe fondacionit “Dora D’Istria”, ndërkohë që në këtë interpretim do të ketë edhe artistë shqiptarë si Kastriot Tusha, Aranit Hoxha dhe Denis Skura, por edhe sopranoja Ramona Tullumani.
Sipas producentit të koncertit, Edmond Tullumani, përzgjedhja e tenorëve të cilët do të interpretojnë sot është bërë nga shteti amerika. Ndërsa artistët shqiptarë do të kenë pjesë shqiptare, mes tyre edhe të kompozuara enkas për këtë koncert. Drejtor artistik i koncertit do të jetë Ibrahim Madhi, drejtor i orkestrës Isak Shehu dhe dirigjent i Orkestrës së Re Filarmonike të Akademisë së Arteve është Bujar Llapaj. Producenti Edmond Tullumani zbulon disa nga detajet e koncertit që do të shfaqet sot në Pallatin e Kongreseve. Më poshtë intervista e dhënë për gazetën “Dita”:
Prej disa ditësh jeni duke zhvilluar prova për koncertin e përvitshëm “Tre Tenorët”. Çfarë të rejash do të ketë në edicionin e tij të 11-të?
Prej vitit 2002 koncerti “Tre Tenorët” është kthyer në një traditë për muzikën klasike dhe dashamirësit e saj. Këtë vit koncerti organizohet në bashkëpunim me ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe vjen si një dhuratë që i bëhet Shqipërisë, në kuadër të festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë.
Pse u zgjodhën tre tenorë amerikanë?
“Ishte një ide e lindur gjatë koncertit të vitit të shkuar, që e çuar përpara së bashku me ambasadorin amerikan, Aleksandër Arvizu, të cilin dua të falënderoj publikisht. Amerika dërgon tre misionarë që japin një përshëndetje për këtë 100-vjetor. Ata kanë ardhur me një porosi të veçantë. Dhe pse jo, në qoftë se do shohim simbolikën e numrit tre, ajo e përforcon më shumë këtë ide. Ky koncert është i mbështjellë me shumë simbolik, shumë shpirt dhe shumë zemër.
Si janë zgjedhur tenorët?
Tenorët që do të performojnë janë: Mathew Edwarsen, Joseph Holmes dhe Eapen Leubner. Ata ishin të përzgjedhurit nga shteti amerikan dhe niveli i tyre është shumë i arrirë. E rëndësishme është që ata janë sjellë në vendin tonë dhe ky është një vlerësim shumë i madh që i bëhet shtetit tonë në këtë 100-vjetor dhe në fushën e artit. Unë e quaj një dhuratë për festat, saqë e ndjej veten shumë të vlerësuar.
Çdo herë në skenën e “Tre Tenorëve” janë ngjitur edhe artistë shqiptarë. Besoj e keni ruajtur këtë zakon…
Fillimisht nuk mund të lë pa përmendur dhe një të ftuar special tjetër që do vijë nga komuniteti shqiptar i Bostonit, Thomas Fellon, i cili do përshëndesë në këtë koncert me aktivizimin dhe të shqiptarëve brenda këtij koncerti. Nga tenorët shqiptarë do të performojnë Kastriot Tusha, si dhe dy tenorë të rinj, Aranit Hoxha dhe Denis Skura, po ashtu pjesëmarrës do të jenë dhe soprano Ramona Tullumani dhe pianisti Genc Tukiçi.
Çfarë do të dëgjojnë dhe shijojnë spektatorët?
Krijimtaria që do të luhet do jetë e larmishme, sepse do ketë si pjesë shqiptare, po ashtu dhe pjesë të njohura botërore, pa munguar asnjëherë dhe repertori amerikan që do të jetë shumë i zgjedhur. Koncerti “Tre tenorët” është një koncert elitar dhe që ka sjellë një traditë të bukur çdo fundviti për shqiptarët. Koncerti është cilësuar si një portë e hapur për tenorët lirikë dhe që çdo vit sjell për shqiptarët një repertor të ri dhe po aq festiv në muajin e fundit të vitit”.