Kampionët barazojnë në Kavajë, fiton Flamurtari, Vllaznia sot ka shansin të afrohet në -3 pikë me kreun
Skënderbeu e ka rritur në gjashtë pikë diferencën nga ndjekësi më i afërt, por ndoshta vetëm përkohësisht, pasi Vllaznia luan sot dhe i ka të gjitha mundësitë të shkojë vetëm në -3 nga kampionët. Merita është e Besës së Kavajës, e cila ndali dje korçarët në një barazim luftarak e plot tension. Takimi u mbyll me shifrat 1-1, por golat nuk ishin momentet e vetme për t’u përmendur, pasi në fushë e jashtë saj pothuajse të gjithë u bënë protagonistë, nga gjyqtari, te lojtarët e deri te tifozët.
Barazim me tensioni
Ndeshja nisi e fortë dhe kavajasit ishin më kërkues, ndërkohë që korçarët tashmë e kanë përvojën dhe forcën e mjaftueshme për të rezistuar nën presion, pa u shqetësuar shumë. Tregues janë edhe mundësitë e pakta para portave, ndonëse në rastet që u jepen Sefa dhe Plaku shfaqen të rrezikshëm dhe mund të shënojnë. Në fushë ka tension dhe gjyqtari Alla nuk shfaqet në lartësinë e duhur për të administruar këtë takim delikat, ndërkohë që as lojtarët nuk janë të prirur ta ndihmojnë. Një dëmtim i Shehit shkakton irritimin e publikut, por edhe të lojtarëve vendas që në mënyrë të pakuptueshme kërkonin nga gjyqtari vazhdimin e lojës. Pjesa e parë mbyllet pa gola, ndërsa episodet kulmore do të vinin pas pushimit. Gjyqtari bëhet protagonist në minutën e 53-të, me një penallti të paqenë për Skënderbeun, për prekje me dorë nga një mbrojtës kavajas. Pejiç merr përsipër gjuajtjen, por Alban Hoxha i kupton krahun dhe grushton, duke mos lejuar tundjen e rrjetës. Pothuajse një çerek ore më vonë, episodet zhvendosen në kahun e kundërt. Goditje e lirë për Besën, gjuan Mihani, topi devijohet nga një mbrojtës në barrikadë dhe hyn në rrjetë, pranë shtyllës nga e majta e Shehit, i cili nuk është në gjendje të reagojë. Por, edhe këtu një parregullsi: Fatjon Sefa del përpara portierit pa ardhur ende gjuajtja e Mihanit, duke i zënë pamjen e topit, për rrjedhojë ishte një gol në pozicion jashtë loje, që duhej anuluar. Gjithsesi, topi shkon në qendër dhe kampionëve tani u duhet të shënojnë patjetër. Ia arrijnë pak sekonda pasi Besa mbetet me dhjetë lojtarë, për një faull absurd të Berishës, i cili merr kartonin e dytë të verdhë. Më parë, gjyqtari Alla kishte larguar nga bankina trajneri Ilir Daja, ndërkohë që tifozët vendas hedhin sende në fushë, përfshirë edhe ndenjëse të shkulura nga shkallët e stadiumi. Sebino Plaku shënon me kokë pas krosimit nga e majta, por pjesën e vet ka edhe portieri Hoxha, i cili del gabim nga porta. Përfundimisht 1-1, një barazim që në fund i kënaq të dyja skuadrat, ndonëse në fillim kërkonin fitoren.
Çlirohet Flamurtari
Minuta e fundit e pjesës së parë ishte kyçi i takimit të luajtur dje në Vlorë. Hoxha i Kastriotit pengon në mënyrë të parregullt Lenën dhe largohet nga fusha me karton të kuq. Veliu ekzekuton gjuajtjen e dënimit dhe kalon në epërsi Flamurtarin. Deri në ato momente, krutanët kishin luftuar si të barabartë me vendasit, duke kapërcyer shpejt vështirësitë e fillimit. Pjesa e parë pati momente interesante nga të dyja skuadrat, të cilat patën raste me Memellin dhe Gocajn. Pjesa e dytë është e gjitha për Flamurtarin, i cili dominon dhe krijon raste, por nuk gjen golin. E bën vetëm tri minuta para përfundimit, kur Muzaka shënon golin e dytë, i cili siguron përfundimisht edhe fitoren, duke shmangur ndonjë të papritur. Në shtesë, vë firmën edhe Migen Memelli, me golin e shtatë personal në kampionat, duke fiksuar shifrat përfundimtare 3-0. Fitorja e dytë radhazi dhe gjashtë pikë që e ngjisin ndjeshëm në renditje skuadrën e Rubios.
Të tjerat
Laçi ka shpartalluar Luftëtarin, në një takim të vendosur praktikisht që në 15 minutat e para. Erjon Vucaj shënoi me një goditje të lirë nga rreth 30 metra, në minutën e 12-të. Katër minuta më pas, goli i dytë i vendasve, me Buljan, i cili shënon me kokë. Rezistenca e Luftëtarit këtu mbaron dhe zhvillimi i mëtejshëm i lojës është thjesht formalitet. Laçjanët shënojnë edhe një gol tjetër në minutën e 56-të, me anë të Nimanit.
Në Peqin, Apolonia u ka rezistuar me vendosmëri sulmeve të Shkumbinit, duke marrë një barazim të bardhë. Në fakt, edhe fierakët kanë pasur mundësitë e tyre, por janë treguar konfuzë para portës së Kotorrit. Vendasit e kontrolluan takimin dhe sulmuan gjatë gjithë kohës, duke dashur tri pikë të vlefshme përballë një kundërshtari direkt në luftën për mbijetesë në Kategorinë Superiore. Mbrojtja fierake është treguar në lartësinë e detyrës, duke mbajtur vazhdimisht në morsën e saj sulmuesit vendas. Apolonia ishte e pafat në një rast në pjesën e parë, kur Ribaj goditi shtyllën. Një gol i anuluar për vendasit i ndezi keq gjakrat në tribuna, megjithatë ndërhyrja e policisë bëri që gjithçka të kalonte pa incidente. Në fund, përcaktues ishte portieri Miço, që i mohoi Shkumbinit golin e fitores.