Berisha ka shprehur sot shqetësimin e tij, sic shprehet për deklaratat kërcënuese të Beogradit në drejtim të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Deklaratat e kryeministrit serb, Ivica Dacic për heqjen e monumentit të Martirëve të Lirisë, për kryeministrin janë provokim dhe dëshmi e albanofobisë serbe.
“Prej disa javësh tensionet politike në Luginën e Preshevës po rriten si rezultat i një kërcënimi nga autoritet e Beogradit për heqjen e monumentit të Martirëve të Lirisë që ranë në trojet e tyre etnike në mbrojte të lirisë dhe të drejtave njerëzore të shqiptarëve të Preshevës të mohuara aryre nga regjimi barbar i Sllobodan Milloshevicit. Ky kërcënim i autoriteteve serbe është një dëshmi tjetër e albonofobisë së politikës zyrtare të Beogradit”, thotë ai.
Sipas Berishës, “Ushtria Clirimtare e Luginës së Preshevës lindi në kohën kur qytetarët shqiptarë të komunave me shumicë shqiptare në jugun e Republikës së Serbisë ishin, sipas raporteve të OKB-së dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare, qytetarët më të shtypur të Europës e madje ndofta të botës. Me luftën dhe sakrificën e tyre sublime luftëtarët e lirisë i imponuan regjimit të Milloshevicit një marrëveshje me ndërmjetësim ndërkombëtar, zbatimi i të cilës është jetik për liritë dhe të drejtat e qytetarëve shqiptarë dhe i domosdoshëm për paqen e stabilitetin në rajon. Shtojmë këtu se në cdo vend të lirë janë autoritetet vendore dhe jo ato qendrore që vendosin për monumentet historike apo kulturore që duan të ngrenë në territorin e njësisë së tyre vendore”, sqaroi Berisha.
Kryeministri nënvizon qartë se, marrja këtyre kopetencave nga autoriteteve lokale të Preshevës nga qeveria e Beogradit përbën shkelje flagrante të Konventave Europiane për liritë dhe të drejtat njerëzore, autonominë e autoriteteve vendore dhe asaj për minoritetet.
“Republika e Serbisë si anëtare e Këshillit të Europës është e angazhuar dhe e detyruar ti respektojë ato”, thekson Berisha.
Berisha nënvizon se qëndrimi i fundit i autoriteteve të Beogradit është një provokim ndaj mbarë shqiptarëve, përpjekjeve të tyre serioze për të kontribuar në paqen dhe stabilitetin në rajon nëpërmjet ndërtimit të marrdhënieve të reja me fqinjët e tyre.
“Qeveria shqiptare i bën thirrje autoritetve të Beogradit të lënë mënjanë praktikat e vjetra albanofobe, të respektojnë pakicën shqiptare që jeton në trojet e veta etnike në Serbi dhe jep ndihmesën e saj në stabilitetin dhe zhvillimin e vendit.Qeveria shqiptare i bën thirrje shqiptareve të Luginës së Preshevës të mos provokohen në asnjë rrethanë nga ata, të cilët kanë vetëm një qëllim, të spastrojnë etnikisht komunat e tyre, t’i largojnë ata me një mënyrë apo një tjetër nga trojet e tyre etnike mijëravjecare. Vërtet vandalët mundën me forcën dhe dhunën shtetërore të rrënojnë një përmendore të luftëtarëve, atë të Martirëve të Lirisë së shqiptarëve por ky është vetëm akt frike. Të rënët tanë nuk vdesin kurrë”, thuhet në reagimin e kreut të qeverisë shqiptare.