Koreja e Veriut ka pezulluar hyrjen e punëtorëve të Koresë së Jugut në një zonë të përbashkët industriale në veri të kufirit, duke vënë në rrezik një prej shenjave të fundit të mbetura të bashkëpunimit mes dy armiqve.
Por Pheniani lejoi sot herët koreanojugorët të largohen nga kompleksi industrial Kaesong, pavarësisht asaj që duket të jetë një vonesë e shkurtër në lejimin e kthimit të rreth 450 punëtorëve.
Ministria e Unifikimit e Koresë së Jugut, e cila u informua për vendimin të mërkurën, thotë se siguria e punëtorëve të saj është përparësia kryesore, dhe i bëri thirrje Koresë së Veriut që të normalizojë menjëherë trafikun kufitar.
Zona Industriale, e cila u hap në vitin 2004, ka përjetuar herë pas here probleme në hyrje-dalje. Por ky rast duket të jetë kërcënimi më serioz deri tani në këtë qendër, e cila ofron çdo vit rreth 2 miliardë dollarë në tregti për veriun e varfëruar.
Ndërkohë, sekretari amerikan i Shtetit John Kerry tha të martën se Shtetet e Bashkuara do të mbrojnë veten dhe aleatin e tyre, Korenë e Jugut, kundër kërcënimeve ushtarake nga Korea e Veriut, dhe shtoi se Uashingtoni nuk do t’a pranojë Korenë e Veriut si shtet bërthamor.
Duke folur në Uashington së bashku me ministrin e jashtëm Koresë së Jugut Yun Byung, sekretari Kerry i quajti kërcënimet e fundit të Phenianit për veprime ushtarake kundër Koresë së Jugut dhe Shteteve të Bashkuara provokuese, të rrezikshme dhe të pamatura. Ai tha se Shtetet e Bashkuara janë plotësisht të përgatitur dhe të aftë për të mbrojtur interesat e veta, dhe tha se ai beson se Koreja e Veriut e di këtë.
Komentet e sekretarit Kerri erdhën disa orë pasi Koreja e Veriut tha se do të “fillojë shpejt” të rihapë reaktorin e saj bërthamor në Yongbyon, me qëllim të ndërtimit të armëve bërthamore dhe të plotësimit të nevojave të vendit me energji elektrike.
Radioja e Koresë së Veriut tha se rifillimi do të përfshijë një fabrikë për pasurimin e uraniumit dhe një reaktor pesë-megavatësh që mund të prodhojë plutonium për armë./voa