Më datën 29.01.2013, rreth orës 17.00, Specialistët për Parandalimin dhe Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Tepelenë kanë marrë informacion se një shtetas i armatosur me armë zjarri po shkon në drejtim të lokalit të kunatit të vet në qendër të Tepelenës.
Menjëherë forcat e policisë së Komisariatit të Policisë Tepelenë kanë shkuar tek lokali i shtetasit K.H, ku shtetasi Fitim Bakaj sapo kishte hyrë në lokal me një armë zjarri pushkë , të cilës i kishte prerë tytën dhe qytën dhe po kërcënonte për ta vrarë të zotin e lokalit të cilin e ka kunatin e tij , burrin e motrës.
Policia ka bërë të mundur izolimin e shtetasit Fitim Bakaj si dhe i është marrë arma e zjarrit të cilën e kishte me fishek në gojë, ndërsa Bakaj është shoqëruar në komisariat.
Nga veprimet e para hetimore rezultoi se ky shtetas për konflikte familjare me kunatin e tij, kishte marrë një armë zjarri pushkë të cilës i kishte prerë qytën dhe tytën dhe e kishte maskuar në një çantë krahu me qëllim që të mos diktohej nga policia dhe ka shkuar në lokalin e kunatit të tij për ta vrarë.
Në përfundim të veprimeve të para u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:
Fitim Bakaj, i datëlindjes 1977, lindur dhe banues më Tepelenë.
Gjithashtu u sekuestruan në cilësinë e provës materiale arma e zjarrit pushkë , 9 copë fishekë luftarak si dhe çanta e shpinës ku kishte fshehur armën e zjarrit.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme për veprat penale të “vrasjes mbetur në tentativë”, si dhe “mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municoneve” .