Një shtetas u arrestua nga policia pasi ka tentuar t’i japë para një polici rrugor për të mos i hequr patentën.
Në pranga përfundoi Kristjan Sulo, 34 vjeç, lindur dhe banues në Lushnjës, i cili akuzohet për korrupsion pasiv.
Ai u ndalua në orën 05:10 minuta të mëngjesit të sotëm tek rreth rrotullimi i Saukut të Vjetër. Burri ishte në gjendje të dehur teksa drejtonte automjetin tip Wolksvagen Golf 5.
Pas matjes së bërë me aparatin tip DRAGER, ai rezultoi se kishte konsumuar alkol në masën 0.44 mg për litër e cila sipas Kodit Rrugor ka si masë ndëshkuese administrative gjobë dhe tërheqjen e lejes së drejtimit të automjetit për në Organin Administrativ Shtetëror.
Më pas, shtetasi i arrestuar ka tentuar t’i japë 20 mijë lekë të vjetra policit në këmbim të mos bllokimit të lejes së drejtimit.
“Nga ana jone u sekuestrua në cilësinë e provës materiale kartëmonedha e prerjes 2000(dymijë) lekëshe me numër serie ZV115727 copë (një) dhe printimi me rezultatet e përftuara nga testi i alkoolit që ju bë shoferit të automjetit me aparat DRAGER”, sqaron policia.
Materialet procedurale ju kaluan Prokurorisë pranë Rrethit Gjyqësor Tiranë për ndjekje të mëtejshme në ngarkim të shtetasit Kristjan Sulo për veprën penale “Korrupsion aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” . /Dita/
