Teodorin mbrëmë e pashë në ëndërr

Dita

FUAT ÇELIKU – Teodorin mbrëmë e pashë në ëndërr, në një serial ëndrrash, që, gjithsaherë mbaronte njëra, unë zgjohesha.

Përsëpari u zgjova fiks në orën 2.14 dhe si zakonisht ndeza abazhurin. E pashë Teodorin dhe, fola me të. Më saktë, më foli Ai mua, dhe më foli shumë. Vetëm me një vështrim, si të Atij, brenda të cilit ishin si gjithnjë të gjitha: mirësia, vëmendja, malli, meraku, humori dhe… posaçërisht qortimi ndaj meje nëpërmjet pyetjes: “Po ku je ti, pse ke humbur kështu”?!

Po ai vështrim që gjithnjë më kish mbërthyer e më kish bërë të vetin dhe që ia kisha krahasuar vetiu me fashën e një ylberi që binte mbi ty dhe të bënte të ndjeheshe mirë e ngrohtë, i vlerësuar, i përkëdhelur. Të atillë e kish vështrimin – shumëngjyrësh, shumëllojësh, transparent, hapësinor.

“Po ku je ti”?!, më qortoi vështrimi i Tij dhe unë ndërsa humbisja sërish ngadalë thellë e më thellë në një gjumë tjetër, të plumbtë, siç të kapit e të kumbis gjumi i pasmesnatës, pyesja e pyesja thuajse i përçartur… Pse vallë Teodori më doli në ëndërr?!… Pse sonte e jo më parë?!… Mos se dje lexova ciklin me poezitë e tij brilante për dashurinë e shpirtin njerëzor?!… Mos se, i ngasur nga ai cikël, po dje pasdite rëmova në bibliotekën time e shfletova librin e tij “Fjala fishkëllen”, i pari botim i tij në mos gaboj, të dhuruar me kushtim, në kujtim të atyre të shtunave kur më lexonte poezitë ende pa botuar, mbrëmjeve në “Shtypshkronjën e Re” – në fund të rrugës “Ali Demi”, ku shtypeshin gazetat ku punonim: Ai si redaktor i “Dritës”, unë si kryeredaktor i “Luftëtarit”… Apo sepse ëndrra pasoi si një vrasje ndërgjegje, pendim pse unë ende s’kam shkruar asgjë për Teodorin, qoftë edhe një moment nga jeta e tij e ndërprerë në mes e që tamam për këtë ajo jetë e tij, përtej të zakonshmes e të rëndomtës, duhet prekur e treguar në gjithçka të saj, nga çdo kënd, e plotë, e qartë, e ndriçuar, pa asgjë mangut… Mbase është kjo… logjike është.

“Po ku je ti”?!, më qortoi vështrimi i Tij dhe trupi i Tij m’u tret si nëpër mjegull, në mjegullën e gjumit tim të pasmesnatës… U tret, iku. Por, për t’u kthyer sërish të më zgjonte fiks në 02.56, pas një tjetër ëndrre, si vazhdim i së parës. Një ëndërr, çuditërisht e jetuar dikur realisht – një copëzë jetë reale e rishfaqur në ëndërr, si ta them… Përjetimi besnik i një episodi të hershëm, në dimrin e ashpër të vitit 1991, jo shumë kohë pas daljes të gazetës “Rilindja Demokratike”.

Nuk e gjeje gazetën RD ato ditë, pa u ngritur herët, madje duhej të rrije në radhë. Prandaj kisha dalë mëgjithë dy shishet e qumështit (vetëm dy shishe mund të merrje nëse arrije, rregull i vendosur), qysh në 4. 30 e, nga apartamenti im pranë sheshit “Avni Rustemi” nxitoja e nxitoja. E tamam para kinema “Partizani”, një tringëllimë e çakërdisur shishesh bosh që më afrohej përballë sikur më shkundi nga strukja prej të ftohtit dimëror dhe përgjumja. Edhe te garnizoni paska mbaruar, thashë me vete, me shpresë përfundimisht të humbur se mund të gjeja qumësht, duke parë personin që vinte drejt meje nëpër gjysmë errësirën e rrugës së ndriçuar zbehtë, me shishet bosh. Tring – tring. Gjithnjë e më shumë më bëhej sikur ajo tringëllimë përplasëse kryeneçe, tallëse, protestuese shishesh bosh më vinte nga kohëra të largëta, shekujt, legjendat… Legjenda e Qumështit! Jo e qumështit që rrjedh te Kalaja e Rozafës. Qënka tharë gjiri i Shqipërisë. E qumështit që mungon. Legjenda e Misrit. Vezëve. Mishit. Fasuleve. Shoshoneve. Fëshfësheve. Antenave… Pashë se dy shishet që afroheshin përballë meje, me tring – tringun e çakorduar e protestues brenda një rrjete si edhe e shisheve të mia, ishin në dorën e mërdhirë të një personi që çapitej ngeshëm, përgjumshëm, i strukur jo vetëm nga të ftohtët, por edhe si nga ndonjë goditje e beftë nga pas.

Ishte Teodor Keko, i strukur, i përgjumur, i lodhur e, kur do gjendeshim ballë për ballë vura re qe edhe i parruar. Me dy shishet bosh në gishtat e mbledhur, të bëra dru e si të harruara aty, te vegjat e rrjetës. Jo vetëm nga të ftohtët, as nga meraku se mos rrjeta rrëshqiste e shishet thyheshin. Ai ishte krejt indiferent ndaj asaj çka mbante në dorë, sikur ajo nuk ishte me të dhe e tij, për më tepër që nuk kish mundur qoftë edhe njërën shishe të kishte të mbushur për fëmijët, prandaj ato shishe e ajo rrjetë nuk i hynin më në punë për atë ditë… të gjatë, të ftohtë, gri, të vobegtë. Ai çapitej ashtu i përhumbur, me siguri me mendjen gjetkë, te dita që po çelte e që si dita që kish ikur, do zvarritej edhe ajo, zvarrë, zvarrë, e gjatë, e gjatë, e vështirë. Çapitej me kushedi ç’motiv të ri poezie në mendje, me ç’subjekt artikulli për numrin e nesërm të “RD” – së ku shkruante, kushedi ç’skicë a pamflet nga ata të tijtë, therës e plot humor.

Mendova kështu e, nuk po e trazoj, thashë, le të mbetet me veten e me mendimet e tij, le të punojë. Dhe i rrëshqita në krah. Ishim tamam përpara godinës së fjetur ditë – natë të kinema “Partizani”, brenda së cilës vetëm filma nuk shfaqeshin më. Po ai, sikur u zgjua dhe shishet bosh tringëllinë, fort, të tundura nga dora e tij e çngrirë si me magji. E, ndërsa nënqeshja e zbehtë iu ravijëzua në çdo pjesëz të fytyrës së tkurur, të parruar, të zbehtë, më foli:

Bosh, ë?!… Nëpër natë edhe ti, me shishet bosh dhe i mërdhirë?!

Dhe, nga zjarri i vështrimit të tij të drejtpërdrejtë, diçka sikur më shkriu përbrenda, padyshim ankthi i pakuptimtë që më shëtiste përbrenda vetes gjithandej.

Po të them një sekret, që e di gjithkush, sidomos populli – vazhdoi Teodori. – Qumësht s’ka! – Nuk qeshi, u ndrydh. – As te bulmetorja te garnizoni… Prandaj ktheu!

Po vazhdoj për “RD” – në atëherë, te rruga e Elbasanit. Këtej u shit.

Gëzohem që nuk gjete dhe u shit, – tha dhe buzëqeshi. – Për gazetën më vjen mirë që mbarohet. Keq më vjen, se nga tre që kisha, nuk më mbeti asnjë të ta jepja ty. M’i morën rrugës kush më doli përpara duke ardhur nga shtypshkronja. Dhe siç e sheh, që andej pa vajtur në shtëpi, drejt e nëpër bulmetore, për qumësht, se shishet i kisha marrë me vete, që dje pasdite. Dhe do shkoj në shtëpi me shishet bosh. Bosh.

Ai vështroi andej nga apartamenti i tij te godinat e quajtura “nëntëkatëshet” ku gruaja me fëmijët ende në gjumë prisnin qumështin… Lëngun e bardhë të jetës, mendova. Diku e kisha lexuar.

Eh, është më vështirë të gjesh një shishe qumësht sot, se sa të nxjerrësh një gazetë. Maskarenjtë, si e katandisën këtë vend! Që ec e gjeje kur shishet do jenë plot. Nuk e di…

Ti pesimist?! – e ngacmova, paçka që përbrenda nuk ndjehesha fare hokatar, përkundrazi.

Jo, jo! – më tha.

Ahere pse e thua këtë?!

Se jam i zemëruar ndaj asaj ç’na është mohuar… E sheh ku ndodhemi? Përpara kinemasë që nuk shfaq filma, mbrapa monumentit të partizanit gojëhapur që bërtet gjithë kohën po zëri s’i dëgjohet dhe nevojtores që qelbet shurrë të sëmurësh me veshka e ku hyjnë gjithnjë e më pak njerëz… Do jetë e vështirë Fuat Çeliku, e shikoj, e ndjej, jo vetëm se këta në pushtet nuk dorëzohen e nuk ikin vetë, por se, fatkeqësisht, edhe ndër ne që kërkojmë e punojmë për ndryshimin, diçka sikur nuk shkon. Dhe, që tani, në fillim të fillimit, shoh psikologji dhe avaz gaforeje, dyzim, trunj, – si dreqin i thuhet trurit në shumës?! -, trunj të deformuar, të shterpët për të sotmen e të ardhmen dhe të stamposur në të djeshmen. Dhe ca turinj që futen të përfitojnë. Kupton?! Kështu që dyshoj se shumë zigzake do ketë, edhe kthime prapa kushedi. Zoti na ruajtë nga rrugëtimi i gjatë e rraskapitës. Prandaj them që do jetë vështirë. Nuk do mbarojë me një e dy vjet siç shohin ëndërr me sy hapur ca prej nesh, as për dhjetë. Idealizmi është i bukur, i vlefshëm, po nuk duhet të kemi iluzione. Sidomos ne gazetarët, poetët, shkrimtarët, inteligjencia në tërësi, se bëjmë dëm të dyfishtë – për veten e për popullin: e entuziazmojmë, e fryjmë, e zhgënjejmë dhe, për pasojë, e zemërojmë… Le që ç’të them ty unë. Ti, e di po aq mirë sa unë  se ç’jell zhgënjimi e zemërimi i një populli.

Ndjeva trandje, shqetësim e ankth (në gjumë, siç isha, me siguri do kisha qenë duke u përpëlitur e rënkuar) tek e dëgjoja të më fliste ashtu. Dhe kush? Teodori. Njeriu optimist e hokatar, tek i cili, tek angazhimi i tij shumë aktiv në procesin e përmbysjes së sistemit të kohës, shikoja fytyrën dhe frymën e së ardhmes, mbartësin e psikologjisë së sistemit të ri politiko – shoqëror e intelektual – atë që na duhej për të sjellë ndryshimin dhe zhvillimin e ëndërruar, të dëshirur, të përfolur shpesh edhe së bashku, shpresën e realizimin. Kurse ai…

Gjithsesi, edhe e kuptoja. Ishte i pagjumë, e kish kaluar tërë natën në shtypshkronjën e ftohtë, i lodhur, i mardhur, e ato çaste i pezmatuar nga shishet bosh për ata që e prisnin në shtëpi prej 12 orësh mbase, 24… kushedi…

E kalofsh mirë! Së paku për sot. – e mbylli takimin Teodori. –  Nesër shohim e bëjmë.

Dhe u shkëput prej meje e bëri përpara, drejt “nëntëkatsheve”. Po vetëm pak hapa, se befas u kthye e shtoi që përtej:

Po s’gjete gazetë, dil nga redaksia, e di ti, në rrugën “Fortuzi”, do ia vjedh një nga të rezervuarat Frrokut (kryeredaktorit të “RD” – së), leqë Frroku nuk ta kursen ty. Veç pas orës një, se do fle. Ose do shkruaj, po s’më zuri gjumi. Se kur jam i mërzitur, gjumi s’më ze. Ulem shfryj. Për çudi truri më punon sahat dhe shkruaj ndonjë gjë me vlerë. Dhe dil, dil ndonjëherë nga kafja, e di ti ku… Ah, edhe një gjë. Megjithatë ne do ia sjellim qumështin fëmijëve se s’bën.

Dhe u tret nëpër mjegullën e gjysmë errësirës së natës në ikje. Me shishet bosh. Tring – tring! Protestuese. Tring – tring! Si këmbana. Që më zgjuan për së dyti nga një ëndërr që dikur e kisha jetuar realisht. Një ëndërr e dytë, që më habiti më shumë se e para. Aspak nga përmbajtja, që e kisha parë njësoj siç e kisha jetuar 25 vjet më parë, pra thjesht rijetuar sy mbyllur, në gjumë. Por nga këmbëngulja e Teodorit për të m’u shfaqur. Madje dy herë brenda orës e të më zgjonte për së dyti.

Po ç’është kështu sonte?!, i thashë vetes… Endërr pas ëndrre, e zgjim pas zgjimi, për të mos e besuar as vetë që po ndodh. Isha zgjuar, e kuptoja që isha zgjuar, dhe përfundimisht, megjithatë për një kohë nuk po kuptoja: kisha dalë nga serialëndrra me Teodorin apo isha ndarë nga Teodori si 25 vjet më parë, atje te kinema “Partizani”. Aq sa u shkunda dhe kuptova që kisha rijetuar realitetin e dikurshëm a dëshirën e përfytyruar… Se ëndrrat, “dritarja e së panjohurës”, në fund të fundit s’janë tjetër veçse mundësia jonë për të shprehur dëshira, pengje e emocione të fshehura.

U zgjova, u përmenda, arsyetova, megjithatë nuk munda të shkëputesha nga Teodori. Vazhdova të mendoja për të, ta kujtoja, ta përfytyroja Teodorin… Kështu e kisha thirrur përherë, me emrin e plotë. Edhe atëherë kur e pashë për herë të parë e njoha, i porsaardhur redaktor në “Drita”, ashtu i drejtohesha, Teodor. Asnjëherë Dori, si gjithë të tjerët. Nuk e di, por… Mua, jo vetëm nuk më vjen ta thërras Dori por më duket si një paradoks e thirrura me këtë emër, sidomos pas viteve ’90 e këtej, kur personaliteti i tij u ngrit e ndriti madhërisht. Paradoks ngaqë ai sipas meje, është mishërim i kundërshtimit e mospranimit të të përkëdhelurit e të privilegjuarit shoqëror e politik, mosqasje që e tregoi në tërë veprimtarinë e tij, kur kërkonte vetë rrezikun e shkonte drejt tij me ndërgjegje në emër të një qëllimi përtej interesave vetjake meskine, të çastit. Më bëhej dhe kisha ndjesinë se, duke e thirrur Dori, sikur do ngushtoja vetë parametrat e do shkurtoja vetë përmasat e tij njerëzore, – të personalitetit të tij krejt të veçantë e origjinal, të ndjeshmërisë, të krijimtarisë e të guximit qytetar e politik, të shpirtit të lirë e bohem, të debatuesit me gjithkënd e për gjithçka dhe të paqësorit e paqtuesit të madh. Teodori është (mbetet) një materje (jo iluzion, jo thjesht kujtim – se ka lënë veprën e gjallë) e shkallës më të lartë. Këtë e them me bindje. Me bindjen tashmë të një 72 vjeçari, që ka pak gjasa të gabojë për vlerat e vërteta të njerëzve që i ka njohur, vëzhguar, lexuar e studiuar për një kohë të gjatë në lloj – lloj pozicionesh e situatash. Sepse, tërë ato vite sa Teodori ishte edhe fizikisht mes nesh, që shiheshim e bisedonim, qoftë edhe rastësisht, kisha mundur ta njihja e ta vlerësoja si njeri e si personalitet, kush ishte e si ishte. Ndër më të spikaturat veti të të cilit vlerësoja dashurinë për jetën më së pari, dëshirën deri në etje për të jetuar çdo ditë të jetës së tij, çdo çast të ditës, dhe për t’i marrë asaj gjithçka mundej, i ndërgjegjshëm se çasti, dita, vitet ikin e nuk vijnë më.

Se ishte një evropian që ia dinte jetës vlerën e vërtetë, i dhimbsej ajo, e kish të shtrenjtë, nuk ishte nga ata që e “jepte si me le”. Dhe, mbi të gjitha, jetën e deshte ta jetonte mes njerëzve, ku ajo ka kuptimin dhe vlerën e vërtetë, si dhe në mirësi. Në vitet e shumta të njohjes (asnjëherë të mjaftueshëm), kisha pikasur se pas personit Teodor, të qeshur, të butë, paqësor, të ndjeshëm si flladi, poetik, ishte njeriu me këmbë në tokë, tejet realist, i qëndrueshëm, në barazpeshim, i drejtpërdrejtë, polemist, i hapur, sfidant ndaj kujtdo në fushën e së vërtetës dhe të ndershmërisë, cinik me të padrejtën e tinëzaren. Dhe prandaj edhe vepra e tij është aq e lexuar, e pëlqyer, e komentuar, e asimilueshme. Kisha pikasur, pra, dhe isha i bindur, se Teodori ishte ai Teodori siç e shihja, siç e dëgjoja, siç e lexoja, dhe jo një tjetër. Prandaj nuk më bëhej t’ia zvogëloja emrin edhe me përkëdheli – Dori – kur ai kishte përmasat e një burri të madh trupmesatar, burri të vërtetë në kuptimin më të saktë të fjalës, por me vrull djaloshar, me shpirt poeti, me logjikë politikani, me mendje filozofi.

“Po ku je ti”?!… më buçisnin veshët pas serialëndrrës dhe kujtimi për Teodorin nuk më la të flija më tej. Përveçse të mendoja për Teodorin, të kujtoja. Me një ndjesi faji, dhe me një si shtysë detyrimi për të thënë diçka për Të, më shumë si mik i shkrimeve të tij, i fjalimeve të tij si politikan, i përsiatjeve dhe bëmave të tij publike, i letërsisë e gazetarisë së tij, i atyre çka na ka lënë si trashëgimi, të shkruara e të pashkruara, të thëna e të pathëna siç është kujtimi për të, meditimi për të.

Prandaj edhe mua, ajo habi e pas serialëndrrës përse m’u shfaq Teodori, tani m’u largua dhe shfaqja e Tij më duket e natyrshme. Jo vetëm për faktin se Ai ishte një mik i të gjithëve (të gjithë normalëve, e kam fjalën), por edhe për faktin se Ai ashtu shfaqej. Nuk e shihje e nuk e takoje për një kohë të gjatë (ikte, ngujohej, shkruante, botonte), shpesh deri në kufirin e harresës fizike, kur frap të dilte përpara e të takonte sikur ishim takuar një ditë më parë.

Prandaj nga gjithë ajo serialëndërr tani më ka ngelur vetëm qortimi i Tij, “Po, ku je”?! Dhe pezmi im që ishte veçse një ëndërr… Që, si kompensim, më imponohet të shkruaj për çmallje. E kam si vath në vesh këshillën e të urtit: “shkruaje ëndrrën që mos e harrosh”… Kuptohet, ëndrrën që ia vlen.

E tek shkruaj për Teodorin, – as vetë s’e di pse gjithnjë në ekranin e ndërgjegjshëm të përfytyrimit, më shfaqen dy momente.

Momenti i parë është takimi me të në një ditë feste.

Dija që sinicarët me banim në Tiranë mblidheshin çdo vit e festonin, herë në natyrë dhe herë në ambiente të mbyllura dhe kjo ishte një gjë e bukur. Por nuk e dija se atë ditë, kur unë kisha marrë guximin të hyja në Shtëpinë Qëndrore të Ushtrisë thjesht për një kafe, të hasja në festën e sinicarëve.

Ishte pranverë e 1987 – s, kohë kur unë, pas largimit politik në vitin 1985 nga detyra e kryeredaktorit, po vuaja pasojat e veçimit politiko – shoqëror dhe abandonimit, etj, etj, gjë që më kish detyruar të mbyllesha në guackën time brenda familjes. Po tamam atë ditë që kisha marrë guximin të dilja nga guacka dhe të shkelja në godinën e SHQUP, salla e kafesë ishte e zënë. Brenda saj zhurmohej, urohej me zëra të lartë e të hareshëm dhe, mbi të gjitha, që bëri të mos ia mbathja menjëherë por të qëndroja, ishte kënga devolliçe. Pastaj, kurioziteti më nxiti të afrohesha e të vështroja përmes njërit kanat të derës gjysmë të hapur. Tavolina të bashkuara plot meze e pije, gëzimtarë të të gjitha moshave, nga fëmijët deri te gjyshërit. Mes tyre edhe nga ata burra që punonin në institucione qëndrore por që deri atë ditë nuk e dija që ishin sinicarë. Siç nuk dija ende se ç’ishte ajo festë me Devollin brenda. E tamam kur po kthehesha të ikja nga kisha ardhur, tek dera u shfaq dhe doli në holl, për çudi, Teodori. Më vështroi një hop – tamam si në përjetimet kur të duket se të gjithë njerëzit janë miq e vëllezër e ti je gati t’i përqafosh një e nga një e t’i ftosh në gëzimin tend.

Hë, po çuditesh?! – Ishte i ngazëllyer. – Bukur apo jo?!

Ngrita supet. Thashë nuk dija ç’ishte, përveçse që këndohej e kërcehej devolliçe. (Dera e hapur më lejonte të shikoja pas krahëve të Teodorit edhe vallen rrathë – rrathë që hidhej në sheshin e hapur mes tavolinave). E ndërsa ai priste mbase një përgjigje dhe unë vazhdoja të vështroja brenda sallës, u befasova. Në një tavolinë të veçuar nga rreshtat e gjatë, midis tre të moshuarve të njohur që ishin ulur në të, njërin e njihja shumë mirë. Nuk di ç’mendoi Teodori nga qëndrimi im prej të befasuari, por di që ia dha të qeshurës. Ndoshta edhe thjesht për vetë natyrën e tij, që në çaste dhe raste të atilla hareje e gëzimi, me pije e këngë, ai ishte i prirur të qeshte, të argëtohej, të gëzonte, në dukje për hiç gjë, duke ia falur e ngjitur edhe të tjerëve të qeshurën, humorin, gëzimin, kënaqësinë e dehjen e tij shpirtërore.

Gëzim bashkëfshatarësh, festë, ç’kujton se është tjetër?! – tha më në fund, si nuk pa e dëgjoi të hapja gojë. – Të gjithë këtu janë sinicarë, apo me rrënjët në Sinicën e Devollit tënd e timit.

A?! – bëra. – Po ti?!… Unë di që ti je dardhar.

Jam i ftuar. Sepse gjysmë sinicar jam edhe unë, një hap larg janë si fshatra. Pastaj, dardharët qëmoti në shkollën shtatëvjeçare të Sinicës mësonin… Pastaj krushqitë… Pastaj miqësitë… Pastaj, ti e di pak a shumë si jam unë… Si ai dyshi i letrave të bixhozit në lojën e pesëqindëshit.

Pra qenka takimi i sinicarëve – thashë. – Tani që shoh disa të njohur të vjetër, e kam të qartë.

Ai u kthye e pyeti:

Kë njeh, se është edhe njeri si puna ime, i ftuar. Ai në tavolinën e veçuar, – dhe bëri me dorë nga kreu i sallës.

I njoh të tre. Janë shokë të vjetër, të luftës… Andon Cicani, Andrea Themeli dhe ai në mes…

Tamam. Ai është i ftuari… Guri, i thonë, Guri Taho dhe është nga Breçanji. E kanë ftuar me që edhe ai është një nga partizanët më të vjetër të Devollit. Vetëm ata të tre kanë mbetur gjallë.

E njoh mirë, – i thashë – se nga Breçanji jam edhe unë.

Nuk e dija.

Eshtë babai im, që ti e njeh ose ta kanë prezantuuar me emrin e luftës.

Teodori u shkund i tëri dhe thuajse bërtiti:

Oh, sa e bukur! Baladë, tregim, intriguese…

–  Edhe për mua është habi që e pashë – i thashë.

–  Eja brenda, ahere! – më tha ai.

–  Jo, jo, po iki, madje mos i trego gjë tim eti që isha këtu – dhe bëra të ikja, kurse nga mbrapa, si një goditje e befasishme, më erdhi zëri i tij tërësisht i ndryshuar – qortues, i zemëruar, i revoltuar, qesëndisës.

–  Ti nuk do të hysh meqë të ka ndodhur ajo… Dhe kujton se çaj…?!

–  Nuk e çan ti, po e çajnë ata dhe të tjerët për ty – ia ktheva.

–  Prandaj na qenke zhdukur nga pjaca zotrote?! – qesëndisi.

–  Jo. Nga fyerja, nga neveria.

–  Atë mbaje për ata që ta kanë bërë të keqen, edhe për sistemin po deshe. Kurse këtu jam unë, atje prapa sinicarët dhe babai yt.

Nuk pranova. Ai nuk këmbënguli më dhe u ndamë. Qysh atë ditë, sa herë takoheshim a shiheshim, nuk harronte të më pyeste për babanë, gjithnjë. Sepse, siç mora vesh, pasi qe ndarë nga unë, kish vajtur te babai dhe kish kaluar një kohë me të duke biseduar e ngritur nga një gotë. I kish folur tim eti për mua dhe e kish porositur të më bënte të fala. Pra, nuk i kish treguar që kisha qenë aty.

Më 1996 – n, kur im atë vdiq, dhe e kish marrë vesh nga Andrea Themeli (vonë) erdhi e më qortoi me lot në sy pse nuk e kisha lajmëruar. Ishte një përlotje e sinqertë, e vetvetishme, me shpirt. E tregonte sidomos vështrimi i tij mbi mua, që herë – herë sepse më kujtonte vështrimin e një mëshqere – i plotë, i pastër, i qashtër. Vështrim një me dhembjen e Tij. Me respekt. Shpirti i tij tel kitare. Kurse vështrimi – goja e tij e dytë.

Qysh atë ditë, duke patur parasysh strukjen e mënjanimin tim, edhe sikur në trotuarin tjetër të isha, do të më thërriste e do të vinte të më takonte, shpesh në mënyrë demonstrative, aq më tepër kur ishte me miq e shokë. Ndërkohë që shumë ish – shokë, ish – miq, e ish – kolegë, bënin sikur nuk më shikonin. Largoheshin. Por Teodori ishte Teodor Keko. Ishte sfiduesi i së padrejtës, i maskaradave, i kohës vetë – kohës në regres, i çdo kohe që punonte për së prapthi.

Momenti i dytë është nga kafe “Evropa”.

Kur e takova atje, rastësisht, nuk e mbaj mend nëse ishte ende deputet apo jo, por ishte vetëm, dhe, mendueshëm.

Më pa e ma bëri me dorë të ulesha.

I lumtur, ë?! – foli ashtu shpotitës. – Me suksese të mëdha, si qëmoti… Lumturi që po na del nga hundët dhe arritje që s’kemi ku t’i futim… Një ditë do i dalë kallaji edhe kësaj pseudo demokracisë, edhe këtyre birbove që e ushtrojnë pa pikë turpi, ke për të parë… Ata do vazhdojnë të llapin, populli do u kthejë shpinën e do u nxjerrë gjuhën, ose do mbyllë veshët e do shikojë punën e tij… Që është më e keqja… Se prej kësaj do ngulitet mendësia se nuk ke se ç’bën, se flitet në emër të elektoratit, të demokracisë, të shtetit ligjor, të kryetarit të fisit në komandë dhe të ardhurve që po uzurpojnë shtetin, nga pjaca deri në qoshkun më të skajshëm të tij… Për më tepër që intiligjencia e vërtetë hesht, struket, dremit, është indiferente… Dhe këtë unë e quaj fatkeqësi kombëtare… Po unë nuk mund të fle e të bëj sikur nuk dëgjoj e shikoj… Penën e fjalën kam, me to do përpiqem… Edhe pse e di që një pjesë e atyre që i janë ngjitur pushtetit apo varen nga pushteti nuk duan t’ia dinë e nuk pyesin për penën e fjalën, si edhe për ligjin. Fjalë me vend e vlerë për ta është fjala e shefit, ligj është porosia e urdhri i shefit, relaksim është plotësimi i dëshirave të shefit… S’kanë ç’u duhen libra, gazeta, teatri, kinemaja, logjika… Megjithatë, unë do bëj timen… Për mua rroftë letërsia, rroftë publicistika!… Merr pra, merr, edhe ti një birrë…

Kjo është tërë përmbajtja e fjalës së tij teksa rrinim në skaj të lokalit.

E kisha parë e dëgjuar në Parlament të përpiqej me të gjitha argumentet e brenda etikës, me të gjitha aftësitë oratoreske, me logjikën e intelektualit të klasit të parë, me shpirt e me nerva të sqaronte, të shpjegonte, të denonconte e demaskonte, – pa fyer kurrëkënd si person, – me ato fjalime e ndërhyrje brilante për nga stili, përmbajtja e ton – theksi, me atë interpretim perfekt, që as dy regjisorët e mëdhenj të familjes – Endri dhe Xhanfiseja, nuk do t’ia mësonin dot përveçse nevoja e demokracisë dhe e prosperitetit të këtij vendi… pra, e kisha parë e dëgjuar, por dëshpërimin me të cilin më foli atë ditë në kafe “Evropa”, jo, nuk ia kisha parë e dëgjuar. Sidomos kur u ndamë, që ofshani e tha:

Eh, po kujt t’i flasim dhe kush do na dëgjojë?! Se tatëpjeta duket.

Tani që shkruaj nuk e kam parasysh sfondin e kohës, politik – shoqëror, s’di ç’vit ishte me saktësi, kur shfryu ashtu. Di që ishte vjeshtë e vonë.  Me shi e mjegull. Po nejse…

Shumica, me sa kam lexuar e dëgjuar, kanë thënë e shkruar për Teodorin se, Ai ishte një tip i qeshur e optimist, çka është një e vërtetë e pamohueshme, – Ai ishte një optimist i përhershëm me vështrim nga e ardhmja e mirë dhe plot besim në mbërritjen tek ajo. Por kjo s’do të thotë se nuk shikonte retë e gjëmimet në horizontin e së ardhmes jo të mirë, të keqe, që e ligështonin. Personalisht, pas gëzimit, optimizmit e qetësisë së tij të jashtme, që ua injektonte edhe të tjerëve, kam pikasur edhe alarmin e tallazin e shpirtit të Tij, që e mbante për vete e kursesi nuk desh t’ua përcillte të tjerëve. Pas buzëqeshjes, shakave, ironisë, kam pikasur shpesh edhe nervozizmin, piskamën dhimbëse, ulërimat, lotët për padrejtësinë e fyerjen nga një pjesë pa ndonjë integritet intelektual e moral, ndaj shumicës… Oh, u lodha.

Do vazhdoj një herë tjetër. Më mirë të mendoj tani.

20 gusht 2016

Share This Article
3 Comments
  • Ju lumte, nje nga shkrimet me te bukura qe kam lexuar per te ndjerin Teodor Keko. Shume i sinqerte, realist dhe nivel te admirueshem letraro artistik.
    Faleminderit,
    Nik

  • Te falenderoj Fuat Çeliku qe na i prure prape Dorin ashtu siç e ke njohur nga afer. Une, ndonese te njoh mire, nuk e di rrjedhen e jetes tende. Kam qene larg nga metropoli. Isha ne Korçen tende. Ruaj respekt, ndonese te ndiqja ne shkrime e libra, madje dhe romane, por se si m’ u zhduke…

  • Ndiese emrit dhe vepres se te ndierit-Teodor Keko
    .
    I nderuar Fuat Celiku, faleminderit qe na solle keto momente jetore, me ate figure te shquar te artit tone,te ndierit Teodor Keko.
    Sa kujtime kemi nga Ai njeri jo vetem artist,qe na iku para kohe sa pa pritur.verte per Ate, me rrefime pa fund.
    Ishte i lindur sa artist dhe njeri per njerine.
    Ndjese emrit dhe vepres tij ,sa Ai mbiemer qe me shpie deri tek familia me paraardhesit e tij te ndiere.
    Faleminderi qe do na shkruash perseri..Na lehteson dhimbien per te.

    Toronto 25-08-2016 Guri Naimit D.(Dh.Xh.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *