Tre persona të maskuar kanë tentuar të vjedhin banesën e shtetasit Elton Çiça, i vrarë në një lokal në Tiranë.
Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Çiça u ekzekutua më 1 maj të vitit të shkuar në një lokal pranë zonës së ish-Bllokut në kryeqytet.
Prokuroria ka vënë nën akuzë si autorë të vrasjes shtetasit Renato Milloshi dhe Jani Aliaj.
Vrasja ka ndodhur për shkak të disa konflikteve të vjetra midis tyre kryesisht në burgjet greke.
Zanafilla e këtyre ngjarjeve, sipas Prokurorisë, është dhunimi dhe grabitja e prindërve të Çiçës në Tepelenë më 30 mars të vitit 2015. Disa persona të maskuar kanë hyrë në banesën e prindërve të shtetasit Elton Çiça dhe pasi kanë ushtruar dhunë ndaj tyre u kanë vjedhur një sasi prej 5000 Eurosh dhe janë larguar.
Gjatë hetimeve në lidhje me këtë ngjarje janë identifikuar autorët e kësaj ngjarje të cilët kanë rezultuar të jenë shtetasit Ervis Imeri, Robert Rama, Sokol dhe Arben Jella.
Pas kësaj ngjarje dyshohet se shtetasi Elton Çiça ka nisur të hakmerret ndaj personave që dhunuan dhe grabitën prindërit e tij.
Më 08.06.2015, rreth orës 20:00, në lagjen nr.17/1 të qytetit të Durrësit është vrarë me armë zjarri Robert Rama. Më 12.07.2015, në automjetin e markës “Fiat”, model Cinquecento, me targa “AA 021 HD”, në përdorim të shtetasit Ervis Imeri është vendosur një sasi prej 600 gr lëndë eksplozive (tritol) e lidhur me një telefon, e gatshme për t’u shpërthyer. Aktivizimi i lëndës plasëse nuk është kryer sepse Ervisi Imeri e ka diktuar lëndën shpërthyese.
Më 07.12.2015, në Kombinat, si pasojë e shpërthimit të një lënde eksplozive është shkatërruar automjeti i markës “Wolksvagen”, model “Golf”, me targa “AA 880 BX”, ku brenda ishte pronari, Elton Imeri, vëlla i Ervis Imerit. Si pasojë e shpërthimit Elton Ymeri është gjymtuar duke humbur një nga këmbët.
Sipas prokurorisë dyshohet që këto ngjarje të rënda kriminale e kanë pikënisjen nga ngjarja e datës 30.03.2015 e ndodhur në qytetin e Tepelenës, dhe se sipas tyre është hakmarrja e Elton Çiçës. Në vijim të hetimeve policia ka njoftuar që viktima ka pasur një konflikt serioz me shtetasin Jani Aliaj, i plagosur me thikë në një burg në Greqi nga Çiça.
Jani Aliaj është tentuar të vritet rreth një javë para vrasjes së Elton Çiços, ngjarje e ndodhur në Gjirokastër. Sipas informacionit të policisë autori i vrasjes së Elton Çiçës, ka zbritur nga një automjet Ford Focus, ngjyrë e errët, me targa të palexueshme. Në parkingun e kompleksit të pallateve te ish-Parku është konstatuar e braktisur autovetura Ford Focus me targa AA560NX, për të cilën nuk interesohet njeri.
Mjeti është në pronësi të shtetasit Renato Milloshit, person i cili ka transportuar autorin e vrasjes së Çiçës. Këto prova janë konfirmuar edhe nga analizat e AND-së së një bishti cigareje të gjetur pranë vendit të ngjarjes si dhe nga qelizat e antenave telefonike. Por pavarësisht prove, policia nuk ka mundur të gjejë ende autorët e dyshuar të vrasjes se Elton Çiçës.
