Policia e Gjirokastrës ka zbardhur vdekjen e çobanit 52-vjeçar që u gjet i vrarë një ditë më parë në pyllin e fshatit Levan, në Tepelenë. Sipas policisë, Bilbil Cjapi, nga Roskoveci i Fierit, ishte punësuar si çoban tek Hetem Çela. Ditën e ngjarjes, ai ndodhej në vendin e quajtur Qafa e Shkallës mbi fshatin Levan të Komunës Krahs Tepelenë, duke kullotur bagëtitë së bashku me Hasan Çelën, djalin e pronarit të bagëtive. Adoleshenti Çela, i cili kishte me vete një çifte, duke luajtur me armën e gjahut, ka qëlluar pa dashje bariun Cjapi, duke e lënë të vdekur. Menjëherë pas ngjarjes, ai është trembur dhe është kthyer në stan, ku pasi ka fshehur armën e gjahut, ka lajmëruar të atin për vdekjen e bariut, duke i thënë se e kishin vrarë dhe ky e kishte gjetur të vdekur. Disa orë më pas, policia ka zbuluar se krimi ishte kryer nga 15-vjeçari Çela dhe ka sekuestruar edhe armën e krimit.