Policia e Shtetit ka ndaluar katër ish zyrtarë të Drejtorisë së Shërbimit Spitalor të Tepelenës, të cilët akuzohen për veprat penale: “vjedhje duke shpërdoruar detyrën” në bashkëpunim, “vjedhja në bashkëpunim” dhe “falsifikim i dokumenteve”.
Në njoftimin zyrtar të policisë shkruhet: “Pas një pune të pandërprerë disamujore dhe veprimeve procedurale të ndjekura, në bashkëpunim me Prokurorinë u finalizua me sukses operacioni i koduar “Tenderi”, si rezultat i të cilit u dokumentua veprimtaria e kundërligjshme e shtetasve të mëposhtëm, të cilët u ndaluan gjatë operacionit për ekzekutimin e masave të sigurisë të lëshuara nga gjykata dhe konkretisht:
-A., 35 vjeç, banues në Memaliaj (ish-shef finance në Drejtorinë e Shërbimit Spitalor Tepelenë);
-M., 31 vjeç, banues në Memaliaj (specialist statistike në Drejtorinë e Shërbimit Spitalor Tepelenë);
-K., 31 vjeçe, banuese në Tepelenë (ish-juriste në Drejtorinë e Shërbimit Spitalor Tepelenë);
-S., 30 vjeçe, banuese në Tepelenë (ish-specialiste e burimeve njerëzore në Drejtorinë e Shërbimit Spitalor Tepelenë).
Si dhe u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër për shtetasen F. L., banuese në Selitë, subjekt privat në fushën e “Shërbimeve të konsulencave për ndikimin në mjedis”.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, ndalimi i këtyre shtetasve u bë pasi në vitin 2017 akuzohen se kanë zhvilluar tender fiktiv për pajisjen e spitalit në Tepelenë dhe Memaliaj me leje mjedisore duke përvetësuar një shumë të konsiderueshme parash.
e.ll./dita
