Policia e Tepelenës dhe agjentët e Sektorit Kundër Krimeve të Rënda, arrestuan ditën e djeshme të kërkuarin Agron Kalemi, 45 vjeç, banues në Memaliaj dhe i dënuar me 25 vite burgim për vrasje nga drejtësia shqiptare. Kalemi është deportuar po dje nga policia greke si emigrant ilegal dhe në kufi iu dorëzua policisë për izolim në qeli, me qëllim vuajtjen e dënimit. Burime zyrtare njoftuan se në vitin 1994, Kalemi ka vrarë me thikë në Kretë të Greqisë një shokun e tij nga Tepelena pas një konflikti. Gjykata e Kasacionit e ka dënuar më 20 prill 1995 me 25 vite heqje lirie, për veprën penale “vrasje për motive të dobëta”. Në vitin 1997 Kalemi është larguar nga vendi i vuajtjes së dënimit në Shënkoll të Lezhës. Policia helene ia dorëzoi Policisë Kufitare dhe Krimet e Rënda ekzekutuan urdhrin e ndalimit të prokurorisë vendore.
