Të ndjekësh me vëmendje takimet dhe sidomos fjalimet e Kryetarit të Partisë Demokratike, domethënë dhe të Kryeministrit aktual, Sali Berisha është një torturë e vërtetë. Në pesë fjalë që thotë, katër janë sharje për Edi Ramën. Edi Rama më së shumti i shpërfill këto akuza dhe sharje, ose u përgjigjet me ironi, siç e ka në natyrë ai. Dhe mirë bën. Kjo sjellje e Ramës ndaj akuzave të Berishës, na sjell ndërmend një episod mjaft domethënës nga Parlamenti anglez menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore.
Episodi është ky:
Gjatë një debati në parlament, një kundërshtar i ish-Kryeministrit të famshëm Uinston Çërçill, një deputet me mbiemrin Pillar, në një moment e fyen Kryeministrin Çërçill duke e quajtur Bulldog. Këtë e bëri duke patur parasysh paraqitjen e jashtme rondokope dhe të shëndetshme të Çërçillit, me puron që nuk e hiqte nga goja.
Këtu vlen të bëhet një sqarim: Bulldog është emri i një qeni që tashmë ne e njohim të gjithë. Ndërsa fjala ‘pillar’ që ishte emri i deputetit në anglisht ka kuptimin ‘shtyllë’, apo ‘kolonë’ prej guri a mermeri.
Pikërisht ky Pillari, apo Shtylla, si mund ta quanim në shqip, i tha ‘Bulldog’ Çërçillit, ndërsa ai ishte duke folur. Çërçilli, ia ktheu aty për aty dhe qetësisht deputetit që e fyeu:
– Tërhiqu, Pillar!! Sepse po erdhi Bulldogu pranë teje, e di fare mirë se çfarë bën!
Gjithë parlamenti anglez shpërtheu në të qeshura, ndërsa përfytyroi një qen bulldog që i afrohet shtyllës, ngre këmbën e pasme dhe…
Kjo ka ndodhur në vitin 1945 dhe ka 70 vjet që kujtohet si një anekdotë jo vetëm në Angli. Zakonisht batutat nuk shkruhen në historinë e parlamenteve, por kjo batutë e Çërçillit ka mbetur dhe tregohet edhe sot e kësaj dite…
Ja, kjo batutë na u kujtua ndërsa kryetari i Partisë Demokratike shan e fyen çdo çast atë që do t’i marrë kolltukun e dashur pas 23 qershorit, të cilin ka vite që e ndot. Në këto sulme bëjnë pjesë që nga incidente si ai i veshit në Vjenë, nga fjalori i kryeparlamentares me punë leshi, dhe deri tek fjalimet e përditshme të Berishës gjatë prerjes së shiritave nëpër rrugë e rrugica.
Të merresh me kundërargumentimin e fjalimeve të Berishës mendoj se është humbje kohe dhe, për më tepër, një kurth në të cilin kurrsesi nuk duhet të bien gazetarët seriozë. Sepse, si një marifetçi që nuk ka çfarë të ofrojë tjetër, pikërisht këtë kërkon prej gazetarëve Berisha: të ecin pas axhendës që dikton ai dhe të harrojnë thelbin e problemeve, të harrojnë të merren me alternativat e 23 qershorit, të mos merren me manipulimin e listave zgjedhore, të mos merren me KQZ-në dhe sidomos të mos kapin thelbin e programit të Rilindjes që ofron opozita. Berisha nuk ka më çfarë t’u ofrojë shqiptarëve. Historia qeverisëse e Berishës është një histori dështimesh të pafundme, skandalesh, gafash, talljesh dhe përqeshjesh, por edhe tragjedish. Buja e “sukseseve” të trumbetuara nga Berisha ekzistonë vetëm në kokën e tij dhe të njerëzve që e rrethojnë.
Shënim
Fjala ‘pillar’ nuk ka asnjë ngjasim me ndonjë fjalë shqipe. Sidomos me dialektin jugor ku ‘y’-ja zakonisht bëhet ‘i’ dhe ku germa ‘ll’ ngatërrohet me ‘dh’. Si te fjala ‘pyll’ për shembull. Apo kur gjirokastritët shpesh në vend që të thonë ‘dhogë’, thonë ‘llogë’ apo në vend të ‘dhomë’ shkruajnë ‘llomë’. Dhe sidomos nuk ka të bëjë fare me fjalën ‘shpellar’.

M’Baldushk kimi bo i hale publike. Sala e ka mor vesht ne i ka thon kryetarit: mos ma luj halen se kom p’t’ardh me pre shiritin e përurimit.