Tërmetet, harta e rrezikut në Shqipëri

anazapta

Këto tri ditë toka jonë është lëkundur, ka pasur dëme të vogla materiale dhe shumë frikë tek njerëzit. Ditën e djeshme, teksa po i afroheshim Institutit të Gjeoshkencave ndjemë sërish lëkundje. Ishte ora 13 e 21 e mesditës. Një tërmet me epiqendër Cërrikun tronditi gjithë Shqipërinë e Mesme.  Në hyrje të godinës fjala “Institutit i Gjeoshkencave”, “lundron” me të madhe në një tabelë me fushë të zezë dhe shkronjat ngjyrë jeshile në Rrugën “Don Bosko” në Tiranë. Çka në pamje të parë, tregon dixhitalizim! Në zyrën e shefit të Departamentit të Sizmologjisë ka harta dhe kompjuter që pulsojnë në ekran po edhe regjistrojnë lëkundjet e tokës në 28 mijë kilometrat katrorë në vendin tonë. Kemi folur me prof. Rrapo Ormenin për tërmetet në vendit tonë. Në këtë intervistë ai rrëfen situatën sizmologjike të Shqipërisë.

 

Profesor, çfarë ka ndodhur në këto 72 orë, a është kjo një situatë e zakonshme për sa i përket tërmeteve ?

rrapoNuk mund të themi që është një gjë e zakontë, pasi nuk mund të themi që ka patur një tërmet, por ka patur një seri tërmetesh, me epiqendër në zonën e Elbasanit dhe më konkretisht në jug të qytetit të Cërrikut. Tërmeti i pardjeshëm, është ndjerë në një territor të gjerë në vendin tonë dhe më konkretisht, me aktivitet 6 deri në 7 ballë është ndjerë në zonën ku ka patur epiqendrën dhe në qytetet e tjera më pak. Ky tërmet është shoqëruar edhe nga pasgoditje nga të cilat 7 prej tyre janë lokalizuar. Aktiviteti ka vazhduar edhe ditën e sotme( dje) në orën 06 e 43 të mëngjesit rrjeti sizmologjik i Institutit të Gjeoshkencave ka regjistruar një tjetër pasgoditje me magnitudë  4.2 ballë me epiqendër të lokalizuar 9 kilometra në jug të qytetit të Cërrikut.  Ky tërmet, 5.2 ballë të shkallës Rihter, është tërmeti më i madh që ka rënë pas atij të Gjuricës të 6 shtatorit 2009, i cili ishte 5.4 ballë.

 

Vazhdon dilema e madhe për parashikimin e tërmeteve? Që do të thotë, ne sot arrijmë vetëm të regjistrojmë apo ka ndryshuar diçka në këtë fushë?

Ne regjistrojmë tërmete. Parashikim nuk bën asnjë vend i botës, parashikim nuk bën dot as Japonia. Fenomeni i parashikimit nuk është zgjidhur dot deri më tani dhe është një fenomen i komplikuar. Ne jemi në gjendje të përcaktojmë sa është tërmeti maksimal që bie në një zonë dhe zona ku bije tërmeti. Studimet sizmologjike kanë nxjerrë disa zona ku bien tërmete në vendin tonë.

 

Cilat janë këto zona?

Po ka disa zona të dallueshme për sizmioticitetin e tyre. Zonat kryesore të vendit tonë janë 2 zona gjatësore që dallohen për një aktivitet sizmik. Është zona Adriatike dhe Jonike, pra, zona që bën pjesë në buzën e detit Adriatik dhe detit Jon, gjithashtu është edhe zona Korçë-Ohër, e cila vazhdon deri në Peshkopi. Teksa kemi edhe 3 zona tërthore: Vlorë-Lushnje-Elbasan-Dibër, Shkodër-Pejë dhe zona Vlorë-Tepelenë. Zona më kryesore sizmike e viteve të fundit të vendit tonë është zona Elbasan-Dibër, e cila është në një zonë thyerjesh tërthore, Vlorë-Lushnje-Elbasan-Dibër. Por, në këtë dhjetëvjeçarin e fundit ajo është shfaqur aktive pikërisht në këtë segment, ku kanë rënë disa tërmete të cilët kanë pasur magnituda të larta, aq sa kanë shkaktuar edhe dëme. Edhe për efekt statistikor, studimi i kësaj zone ka regjistruar mbi 300 tërmete dhe kulmi i saj ka arritur me tërmetin e 6 shtatorit të vitit 2009, që është tërmeti i Gjuricës, i cili kishte magnitudë 5.4 ballë dhe shkaktoi dëme në zonat rrethuese. Por, kjo zonë ka pasur tërmete edhe përreth Elbasanit me magnituda 4.5 ballë. Zonë tjetër ku dy vite më parë ka pasur aktivitet sizmik ka qenë zona Lezhë-Ulqin, ku ka rënë një tërmet me magnitudë 5 shkalla Rihter. Zona Lezhë-Ulqin është një zonë me aktivitet sizmik, pasi historikisht në këtë zonë kanë rënë tërmete të mëdhenj, por edhe në këtë periudhë kemi tërmete të këtij niveli deri në magnitudën 5 ballë. Zonë tjetër është edhe zona Borsh-Kardhiq, ku ka pasur tërmete me magnituda 4.5 ballë. Ky nivel tërmeti ndihet fort dhe mund të shkaktojë dëme kryesisht në shtëpi të vjetra. Tërmet tjetër në vitin 2008 kemi pasur edhe në Korçë, pasi zona Korçë-Ohër është zonë aktive, e cila tërmetin më të madh me magnitudë 6 ballë e ka pasur në vitin 1960.

 

Po në raport me vendet e tjera si paraqitet aktiviteti sizmik i Shqipërisë?

Shqipëria është një vend me aktivitet sizmik të dallueshëm. Vendi ynë bën pjesë në Ballkan dhe dihet që Ballkani është një zonë me aktivitet të lartë sizmik. Në zonën mesdhetare ndodhin rreth 15% e tërmeteve në botë, ndërsa pjesa tjetër, rreth 80% e tërmeteve, ndodhin në unazën e Paqësorit. Pikërisht kjo është arsyeja që vendi ynë shpeshherë goditet nga tërmetet. Shkaku i tyre është përplasja e mikropllakave të Adriatikut, të cilat janë pjesë e dy pllakave të mëdha kontinentale, që janë pllaka Afrikane dhe pllaka Euroaziatike. Si pasojë e lëvizjes, ato goditen në buzët e tyre dhe tensionojnë, sforcojnë, pjesët e brendshme dhe për pasojë në ato pjesë ku nuk mbahet ky sforcim, atëherë toka në ato pjesë këputet dhe ndodh ai që e quajmë tërmet.

 

Shohim një instituti me aparatura të reja, si është gjendja e aparaturave?

Aparaturat e reja dixhitale kanë që në vitin 2003. Që prej këtij viti regjistrimet në rrjetin sizmologjik bëhen në kohë reale, ku në atë moment që bije tërmeti në atë kohë bëhet edhe regjistrimi. Në një periudhë shumë të shkurtër kohë ne jemi në gjendje të kalkulojmë të dhënat e tërmetit siç janë, epiqendra, energjia, shpeshtësia. Që nga kjo kohë ky rrjet erdhi duke u konsoliduar. Sot në vendin tonë ka 14 qendra sizmologjike që regjistrojnë në kohë reale. Regjistrimi vjen në momentin që ndodh tërmeti. Ky është një rrjet modern, nuk ka asnjë ndryshim nga rrjetet më të mira të Evropës. Kemi dhe një antenë satelitore që është e vendosur në tarracën e institucionit tonë e cila bën regjistrime në kohë reale.

 

Çfarë mund të bëj një person, një apo dy veprime të shpejta që gjithkush mund të bëj nëse ndjen një lëkundje sizmologjike?

E para është që duhet të ruajmë qetësinë. Dhe në kohën kur bie tërmeti duhet të futemi nën tavolinë ose në ato objekte të forta në shtëpi dhe në momentin që përfundon tërmeti duhet të dalim jashtë se mund të ketë lëkundje të tjera në vazhdim.

 

Çfarë ndodh?

Ka dy versione! Më i keqi dihet, në qoftë se nuk janë marrë parasysh masat antisizmike në ndërtim, atëherë tragjedia është e madhe. Nëse janë marrë, atëherë do të shpëtojmë të gjithë! Një ndërtim para se të ngrihet duhet që të marrë leje në Institutin e Gjeoshkencave dhe ata japin parametrat dhe kushtet mbi të cilat do të bëhet ajo ndërtesë. Në këtë pikë profesor Rrapo Ormeni shprehet: “Detyra e Institutit tonë është që të japë parametrat, që ndërtimet të bëhen antisizmike, pra të jenë në gjendje që t’i bëjnë ballë një efekti ose një risku të ardhshëm sizmik. Më pas zbatimi ose jo i këtyre parametrave nuk është në kompetencat tona.”

 

A veprojnë tek ne emergjencat civile?

Sipas Profesor Rrapo Ormenit regjistrimi i tërmetit në kohë reale shërben për të njoftuar menjëherë emergjencat civile duke iu treguar ku është epiqendra e tij. Shërben edhe për diçka tjetër. Në Institutin e Gjeoshkencave, ka sektorë të veçantë në Departamentin e Sizmologjisë, i cili bën studimin dhe monitorimin e zonave ku bëhen ndërtime të larta, kryesisht ndërtime mbi 8-katëshe. Në këto ndërtime shkojnë specialistë të cilët bëjnë matjen e nxitimit të truallit dhe japin parametrat që i nevojiten ndërtuesit për të marrë masa antisizmike. Në këtë mënyrë i japin të dhëna ndërtuesit që një godinë me një lartësi të caktuar, mbi një truall të caktuar të plotësojë të gjithë parametrat sizmikë për të mos u rrezikuar në të ardhmen. Gjithsesi, çdo ndërtim në Tiranë duhet më parë të marrë lejen nga ky institut.

 

Vazhdojnë lëkundjet në vendin, epiqendra 46 km në jug të Tiranës

Qytetet  kryesore të vendit janë zgjuar përsëri me lëkundje sizmike mëngjesin e djeshëm, të cilat u përsëritën sërish rreth mesditës, duke mbajtur në tension banorët e disa prej qyteteve nw shqipwrinw e mesme. Lëkundje të lehta tërmeti janë ndjerë rreth orës 06:43 në Tiranë, Elbasan, Berat, Lushnjë, Kuçovë, Fier e Vlorë. Lëkundjet sizmike kanë qenë me magnitudë 4.2 të shkallës Rihter. Epiqendra e tërmetit ka qenë, 46 km në Jug të Tiranës, 25 km në veri të Beratit dhe 14 km në veri të Kuçovës. Deri tani nuk raportohet për dëmtime.  Edhe në mesditë janë ndjerë sërish lëkundje tërmeti në disa zona të vendit, si në Tiranë, Cërrik dhe Berat. Mësohet se lëkundjet e tërmetit kanë qenë me magnitudë 3.5 të shkallës Rihter, ndërsa epiqendra e tërmetit ka qenë 46 km nga Tirana,13 km nga Cërriku, me një thellësi 2 km.

 

Letra e 5 mijë shkencëtarëve: Harrojeni! Tërmetet nuk parashikohen

A ju kujtohet tërmeti i Akuilës në Itali? Ka ndodhur në prill të vitit 2009, pati 308 të vdekur nga 11 kombësi, si dhe 45 monumente historike, arkeologjike e kulturore të shkatërruara. Atëkohë Gjykata e Akuilës akuzoi sizmologët e vendit që nuk e parashikuan tërmetin e tmerrshëm. Ja ku vjen reagimi i shkencëtarëve nga e gjithë bota, letër së cilës i ka ardhur dhe Shërbimit Gjeologjik Shqiptar për mbështetje në nëntor të vitit 2012. Gazeta  posedon letrën e plotë. Thelbi është kërkesa për ndryshimin e akuzës që gjykata e Akuilës ka bërë për anëtarët e Komisionit Italian të Parandalimit të Rreziqeve të Mëdha”. Akuza që u jepet këtyre është “fallito nel prevedere il terremoto”, pra dështim në parashikimin e tërmetit. Kjo akuzë ka ngjallur mjaft polemika në Itali, për mënyrën si është formuluar, sepse nuk mund të parashikohet një tërmet, dhe kjo mund të çojë në pafajësinë e personave anëtarë të komisionit, në Gjyqin e Apelit. Por shkencëtarët që kanë nënshkruar këtë peticion drejtuar Presidentit, Xhorxhio Napolitano, mendojnë se mosparashikimi nuk qëndron në faktin se këta persona nuk munden të parashikojnë një tërmet, gjë e pamundur, por se ata nuk parashikuan që mund të ndodhte një tërmet i fortë. Zhvillimi i këtij procesi shihet në dy mënyra: nga një grup, kundër akuzës (prokurorit), i cili e sheh këtë gjyq si sulm ndaj shkencës; dhe nga grupi firmëtar i këtij komisioni, i cili këtë e sheh si një domosdoshmëri për t’i bërë shkencëtarët më të përgjegjshëm për atë që studiojnë dhe për rëndësinë e përfundimeve të tyre. Ata mendojnë se pas këtij procesi shkencëtarët do jenë akoma më të motivuar që të vënë në shërbim të komunitetit eksperiencën e tyre duke qenë më të shqetësuar si për analizën e rreziqeve ashtu edhe në komunikimin me publikun, duke i treguar këtij të fundit edhe limitet e vërteta që shkenca ka. Aty theksohet se megjithëse tërmetet nuk janë të parashikueshëm, politika e mbrojtjes civile, duke përfituar nga rezultatet më të fundit që ka arritur shkenca e sizmologjisë dhe inxhinierisë sizmike, të mund të parashikojnë shkallën e rrezikshmërisë, në mënyrë që masat mbrojtëse, të jenë jo vetëm të qëndrueshme për edhe jetëgjata.

 

Share This Article
1 Comment
  • Po thuhet se ne Japoni perdoren ca lloj peshqish qe e ndjejne termetin 20 minuta perpara se te bjere…

    Japonezet i mbajne keta peshq ne akuarium ne shpi, dhe keta para se te bjere termet levizin shume shpejt brenda akuariumit….

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *