Çdokush që është befasuar nga sulmet terroriste të Brukselit, me siguri nuk ka qenë i vëmendshëm ndaj zhvillimeve të fundit.
Belgjika është vatër e të rinjve myslimanë, të cilët udhëtojnë drejt Sirisë për të luftuar së bashku me grupin militant të Shtetit Islamik, – të njohur edhe me akronimet ISIL apo ISIS, – dhe pastaj kthehen në shtëpi, shpesh të gatshëm për të vrarë.
Luftëtarët e ISIS, ekspertët i cilësojnë ndryshe si “xhihadistët cool”, të cilët e shohin xhihadin si një stil jetese. Për ta, të jesh pjesë e makabritetit të ISIS është një trend, i cili duhet ndjekur.
Personat, që marrin përsipër të kryejnë sulme në Europë, nuk janë si anëtarët e al-Qaedas, ithtarët e radikalizuar të Islamit fundamentalist.
Shumë prej këtyre sulmuesve kanë qenë fëmijë të vegjël, kur ndodhën sulmet e 11 shtatorit në Amerikë, të cilët kanë kaluar shumicën e jetës së tyre duke parë luftërat e mëdha në Irak, Afganistan dhe Siri.
Njohuritë e tyre rreth Islamit janë mjaft të kufizuara; ata e ndjekin xhihadin më shumë si një trend, sesa janë në të vërtetë islamistë të dedikuar. A
ta manifestojnë atë, që koordinatori holandez për Sigurinë dhe Antiterrorizmin e ka cilësuar: “Pop-xhihadi, si një mënyrë jetese”.
Ata dinë më shumë për Tupac Shakur, sesa për Osama bin Ladenin. Belgët, që udhëtojnë për në Siri për të luftuar, shpesh nderojnë muzikën e reperit të vdekur amerikan në mediat sociale, duke gjetur veten në tekstet e tij.
Por, sulmuesit e rinj kanë gjithashtu muzikën e tyre “Rap”, stilin e tyre të veshjeve, postojnë “selfie” nga Lindja e Mesme, ku nuk mungojnë as “hashtag”-et në Twitter, që shpesh përfundojnë me terma të tilla si #jetamemjekër apo #jetameferexhe.
Me fjalë të tjera, këta nuk janë myuslimanë intelektualë me mjekra të gjata dhe me Kuranë nëpër duar. T’i konsiderosh ata xhihadistë apo radikalë islamikë, do ta merrnin si një kompliment shumë të madh.
Në të tjera rrethana, ata nuk do të ishin asgjë tjetër, veçse njerëz që do të konsideroheshin si dështakë apo narcistë të lidhur me kulturën “punk”, por në ndryshim, ata kanë një gjë më shumë: vrasin!
Numri i myslimanëve të rinj europianë, të cilët kanë udhëtuar në Siri për të luftuar me ISIS-in, është i frikshëm.
Vlerësimet e fundit në më shumë se 5.000 të rekrutuar, tregojnë se rreth 470 persona vijnë vetëm nga Belgjika.
Belgjika ka edhe numrin më të madh në raport me popullsinë që ka, ndërsa Franca mban edhe stafetën me 1.700 terroristë që luftojnë në Siri./E.T




