Terroristi i tetë që dyshohet se mori pjesë në masakrën e Parisit mendohet se ndodhet në Bruksel dhe ka komunikuar me tre shokë në “Skype”.
Dy prej shokëve të Salah Abdeslamit i kanë thënë vëllait të 26-vjeçarit se kanë folur me të, por është ende e paqartë se pse i shumëkërkuari kontaktoi me ta.
Mendohet se ai është maskuar, pas publikimit të portretit të tij nga policia.
“Besoj se nuk është larg”, deklaroi vëllai i Salahut, Mohamedi, duke lënë të kuptohet se terroristi i kërkuar mund të fshihet në kryeqytetin belg. Ai i bëri thirrje të vëllait të dorëzohet.
Salah Abdeslam, nënshtetas francez, jetoi në Bruksel për disa vite. Ai mendohet se luajti rol kyç në furnizimin me armë të grupit që sulmoi kryeqytetin francez më 13 nëntor, si dhe mori pjesë në sulmet me armë.
26-vjeçari është shpallur në kërkim ndërkombëtar qysh të nesërmen e sulmeve ku humbën jetën së paku 129 persona. Në fakt, policia e ndaloi në kufi terroristin e shumëkërkuar, por e la të lirë pasi e mori në pyetje.
