Ministria e Financave jep me qira pronat e Jasin Kadisë, emri i të cilit cilësohet si financues i terrorizmit, në urdhrin e ministrit për sekuestron e këtyre pasurive. Pasuritë e Kadisë të sekuestruara me urdhër të ish-ministrit të Financave në 2004, i janë kaluar Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, së cilës i ngarkohet detyra e dhënies me qira të pasurive të paluajtshme, ashtu si dhe shitja e atyre të luajtshme.
Pronat cilësohen të sekuestruara dhe trajtimi i tyre bëhet nga agjencia me urdhër të drejtpërdrejtë të ministrit të Financave, Ridvan Bode. “Urdhri i ministrit të Financave, nr.2, datë 03.12.2004 “Për sekuestrimin e aseteve të shtetasit arab Jasin Al-Qadi i njohur dhe si: a) Shaykh Jasin Abdullah Kadi, b) Jasin Kahdi, c) Jasin Kadi, ç) Kadi Jasin, d) Jasin Abdullah Kadi”, shkruhet në dokumentin shoqërues të secilës prej pronave të shtetasit arab.
Avokati i Abu Rajanit, administratorit të pasurive të Jasin Kadisë tha dje për “Gazetën Shqiptare” se vendimi i ministrisë së Financave është i kundraligjshëm. “Shteti nuk ka asnjë vendim gjykate për sekuestrimin e këtyre pronave. Gjykata e Lartë ka vendosur heqjen e sekuestros mbi këto prona dhe Abu Rajan si administrator ka marrë pafajësinë. Prokuroria e ka pushuar çështjen penale ndaj tij. Vetë Jasin Kadia nuk është më në listën e OKB-së si financues i terrorizmit. Pra, pronat mbahen në mënyrë të kundraligjshme dhe kjo do të jetë një kosto shumë e lartë për shtetin”, deklaroi avokati Sajmir Visha për “Gazetën Shqiptare”.