Safet N. Ramolli
Më 11 shtator 2001, njerëzimi përjetoi një tragjedi të përmasave të mëdha. Atë mot, nga qarqe ekstremiste terroriste, u ideua dhe u zbatua, (fatmirësisht vetëm pjesërisht), një sulm i paimagjinueshëm anti-human. Në historinë e shoqërisë moderne, mbetet një akt egërsie i pashoq ndaj krijesës më të lartë të natyrës, njeriut, kur vdekja në pak minuta gëlltiti pamëshirë më se 3 mijë jetë njerëzore. Duke iu kthyer, (krejtësisht padëshirë) kujtesës së para disa vitesh, na shfaqen skena tragjike të kobshme, të dhembshme deri në çdo ind. Por populli amerikan, i cili gjithëherët në historinë e tij të re, e ka gjetur forcën tek bashkimi dhe bashkëveprimi me njëri-tjetrin, u gjend i gatshëm e vullnet plotë të përballonte këtë fatkeqësi katastrofike. Më shfaqet në kujtesë krejt qartësisht ish-presidenti Bill Klinton, i cili edhe pse i ndodhur larg Amerikës, ndërpreu menjëherë veprimtarinë vetjake atje, dhe si një ushtar i përgjegjshëm për fatet e popullit të vet, u vu nën komandën e presidentit të vendit, edhe pse atë e kishte kundërshtar politik. Qeveria amerikane, si një makinë e vetme e mirë drejtuar deri në skaje, mori masat emergjente, afatmesme dhe më gjatë, për të ndarë dhembjen me popullin e prekur nga kjo indondatë njerëzore dhe për të eliminuar pasojat e kësaj katastrofe me shkak po vetë njeriun.
Kur sjellim në kujtesë këtë ndodhi makabre, kemi parasysh, se para kësaj ngjarjeje dhe më pas deri në ditët e sotme, ka organizata, klane dhe individë të mirë organizuar, të etshëm të kryejnë veprime gjakderdhëse pa pyetur për popuj, kombësi, mosha, sekse, etj. Në rajone të ndryshme kanë marrë jetë dhe veprojnë sistematikisht organizata terroriste. Në Afganistan ka vepruar me intensitet të ngjeshur (tashmë më rrallë) organizata e Talebanëve; në Nigeri është prezent organizata terroriste “Boka Haram”; në Spanjë “ETA”; diku “AL SHABAD”, të cilat rezultojnë të mirë organizuara dhe gjakësore, pa bërë fjalë për të tjera me intensitet veprimi dhe rrezikshmëri më të ulët. Për veprimtarinë e tyre flasin shifra të frikshme jo vetëm për sasinë e jetëve që ndërpresin, por sidomos për atakimin e ndërgjegjes njerëzore në pjesët e saj më të ndjeshme. “Boka Haram” pohon se në vitet 2009-2014 ka shkaktuar më shumë se 10 mijë viktima, dhe gjatë viteve 2015-2016 ka shkaktuar jo më pak se 345. Disa veprime janë tejet makabre dhe të paimagjinueshme. Më 2015 media ka pohuar, se me gjakftohtësi kanibalësh ka mbytur në lumë 150 njerëz. Prej vitesh helmon ndërgjegjen njerëzore në një çështje tejet të ndjeshme: rrëmben vajza të reja të cilat i keqpërdor çnjerëzisht dhe së fundi i tregton si robëresha. Kohë më parë media është artikuluar se mban peng më shumë se 200 vajza, të cilat i shfrytëzon më shtazërisht se skllavet e shekujve të hershëm apo se robëreshat e kohëve më vonë. Viktimat e shkaktuara nga kjo organizatë terroriste janë 3.5 herë më shumë se sa ato të shkaktuara nga goditja mbi dy kullat binjake më 11 shtator 2001.
Organizata terroriste e Talebanëve në Afganistan u shfaq në publik si një murtajë epidemike. Kur në Afganistan luftohej për një shoqëri të lirë demokratike, talebanët prezantoheshin si hiena të pangopshme me gjak njerëzish të pafajshëm. Vetë artikulimi i nocionit “taleban” i ngjante një kolere epidemike, emërtim që ende rëndon mbi ndërgjegjen e njerëzve. Viktimat e shkaktuara në Afganistan dhe gjetiu përbëjnë 20% të viktimave të sulmit mbi dy kullat binjake.
E frikshme në përmasat masive të eliminimit fizik të njerëzve, na vjen sidomos ISIS (i vetëshpallur Shteti Islamik, S.R). Kjo organizatë ka filluar aktivitetin e organizuar kriminal në vitin 2011, duke e intensifikuar dhe zgjeruar atë në të pastajmen. Krimet e kësaj organizate i kalojnë përmasat e kontinentit aziatik. Epiqendrën e ka në Siri, e prezantuar fillimisht si lëvizje kundër diktaturës qeveritare të Assadit, por që vepron duke aplikuar metoda sadiste, deri në prerje kokash në emër të Allahut. Ka rekrutuar kontingjente jo vetëm nga rajoni për rreth (Siri, Irak, Iran, Turqi, Jemen, Libi, Kurdë etj.) por edhe në Evropë (Maqedoni, Kosovë, Shqipëri), deri edhe në vende të stabilizuara si (Itali, Belgjikë, Francë, Angli etj.). Kjo organizatë ka marrë përsipër autorësinë e 471 viktimave në Turqi; 228 në Francë; 4073 të tjerëve në Irak e Siri, 78 në SHBA, 35 në Belgjikë, 162 në Indi, Birmani e Filipine; 330 në Jemen; 116 në Libi, Egjipt, Tunizi; 369 në Afrikën e Veriut, Burundi, Mali, Etiopi e Nigeri etj. Pra shifra e 6462 viktimave që kanë për autor ISIS nuk ka nevojë për koment, ajo është më shumë se dyfishi i viktimave të shkaktuara më 11 shtator 2001 në SHBA.
Për shkak të zhvillimeve të pazakonta, sidomos në Siri, për të mbijetuar, ka marrë përmasa të mëdha shpërngulja dhe emigrimi i popullsisë. Nga Siria janë shpërngulur në vendet fqinje 7.6 milion banorë, ashtu si 3.7 milionë të tjerë kanë emigruar në Evropë. Pra Siria është rralluar nga 11,3 milion banorë autoktonë. Në vitet 2011-2016 nga Siria, Iraku, Libia etj. kanë emigruar më shumë se 65 milion banorë. Por procesi i emigrimit përmes rrugës detare sidomos, por edhe asaj ajrore e tokësore, është shoqëruar me mjaft viktima. Kështu vetëm në periudhën janar-gusht 2015 pohohet shifra e 2340 të mbyturve në det, kjo shifër më 2016 arrin më shumë se 3000 viktima. Në burgjet e Sirisë për shkak të kushteve të këqija dhe të mungesës së ndihmës mjekësore në vitet 2011- korrik 2016 kanë gjetur vdekjen 60 mijë qytetarë, çka do të thotë 12 mijë në vit ose 1200 çdo muaj.
Tragjedi antinjerëzore me viktima të shumta dhe në shumicë të pafajshme, kanë rezultuar edhe lëvizjet apo revoltat e popujve për t’u çliruar nga regjimet totalitare dhe për demokratizimin e administrimit të jetës së qytetarëve. Popujt e ish-Jugosllavisë, në dekadën e fundit të shek. XX, për t’u ndarë me regjimin shtypës të Sllobodan Milosheviçit, do ta paguanin “haraçin” me rreth 260 mijë viktima në Bosnjë-Hercegovinë, me rreth 15 mijë të tjerë në Kosovë, me 20 mijë femra të përdhunuara nga forcat militare të Milosheviçit, me 800 fëmijë që u pritej koka si berra, me 6 mijë shqiptarë të mbajtur peng në burgjet e Serbisë, me qindra të zhdukur, me varre masive të zbuluara më vonë etj. etj.
Edhe në dy dekadat e para të shek. XXI është dashur sakrifikimi i jetëve njerëzore për t’u ndarë nga qeverisjet diktatoriale. Në Afganistan për t’u shkëputur nga regjimi shtypës i talebanëve, në harkun kohor 2001-2014 janë shkaktuar 174 mijë jetë të ndërprera, shumica të pafajshëm sepse kanë qenë jashtë detyrimit të shërbimit si shtetas nën uniformë. Gjakderdhja ka vazhduar dhe vijon edhe në ditët e sotme me sulme terroriste duke u vetësakrifikuar si kamikazë që pasohen me dhjetra viktima të pafajshme në tregje, në shkolla, në spitale, e deri në tempuj fetarë etj. etj. Vetëm në 1.5vjet (2015- ½ e 2016), të paktën janë evidentuar jo më pak se 700 viktima.
Kronologjikisht, Iraku është vendi i dytë që rezulton me më shumë viktima. Gjatë luftës 5- vjeçare 2010-2015 midis forcave shumëkombëshe dhe forcave qeveritare të despotit Sadam Hysein, një Hitler i ri ky i shekullit të ri, ka viktima jo vetëm në radhët e luftëtarëve nën uniformë por edhe të popullsisë civile. Janë artikuluar shifrat: 150 mijë viktima irakenë, por edhe 179 anglezë dhe 138 amerikanë nga 8234 forca shumëkombëshe të vrarë në luftime. Por më shumë e dhembshme është shifra prej më se 15 000 viktimash të shkaktuar nga sulmet terroriste dhe kamikaze.
Gjendja rezulton tej kufijve të makabritetit sidomos në Siri. Në luftën 5-6 vjeçare (2011-2016) janë shkaktuar jo më pak se 300 mijë viktima, prej të cilëve 86 mijë civilë dhe 15,1 mijë fëmijë, me aspak përgjegjësi, qoftë edhe morale, për zhvillimet absurde në këtë vend me histori dhe kulturë të lashtë. Për shkak të luftimeve në terren, të jetës së pasigurtë dhe të terrorit sistematik, janë shpërngulur drejt vendeve fqinje 7.6 milion sirianë, si dhe 3.7 milion të tjerë janë emigruar përmes peripecive vdekjesjellëse në dyert e Evropës duke kërkuar mbështetje apo lypur lëmoshë për mundësi mbijetese.
Edhe në zhvillimet e epitetuara “Pranvera Arabe” (2011-2012) në lëvizjet dhe protestat antiqeveritare në Tunizi-Libi-Egjipt-Jemen (në këtë të fundit ende në vijim) janë shkaktuar jo më pak se 46 mijë viktima, nga të cilët 33 mijë në Libi, 4, 9 mijë në Jemen, ashtu sikurse nga Libia kanë emigruar më se 450 mijë banorë.
A nuk duhet të përbëjë shqetësim fakti që në 9.5 muaj (janar-mes tetori 2016) nga sulmet terroriste apo ato vetëvrasëse janë shkaktuar jo më pak se 3334 viktima, ose më shumë se sa viktimat e 11 shtatorit 2001 në SHBA?!! Ja disa nga këto krime: në Siri 1450, në Irak 427, në Jemen 252, në Turqi 177 plus 310 nga “grushti i shtetit”, në Francë 93, në Belgjikë 35 etj.,etj.
Tej optimizmit shpresë mirë dhe aksiomës se “shpresa vdes e fundit”, duhet parë e gjykuar fenomeni i ndodhur gati përditshmërisht, se krime horror të tipit kamikaz, po kryhen edhe në vendet me stabilitet dhe siguri në nivelet më të larta si: Francë, Gjermani, Angli etj., por sidomos në Australi, Kanada e SHBA etj. Personalisht gjykoj se bota e qytetëruar që aspiron liri, prosperitet dhe të drejta themelore për gjithë njerëzimin, e ka të gjithë motivimin dhe mundësitë për t’i thënë “NDAL” terrorizmit vdekjeprurës në çdo skaj të globit.
Qytetërimi demokratik, për ta bërë jetën e njerëzimit sa më të motivuar dhe të mbushur me ideale të bashkëpunimit e të bashkëjetesës në paqe, harmoni e prosperitet, ndër ditët e vitit ka gjetur e përcaktuar nga një ditë si event të veçantë. Kështu mes tyre gjejmë Ditën e Fëmijëve, të Dashuruarve, të Nënave dhe të Moshuarve; por gjejmë edhe Ditën e Tokës, të Luleve, të Pemëve, të Kafshëve, të Fenomeneve të Natyrës etj; më tej edhe Ditën e Luftës kundër SIDË-s etj.
Personalisht gjykoj se është e tejshkuar koha që njerëzimi të përzgjedhë një ditë, e cila t’i bëjë apel subkoshiencës së njeriut, që ai të jetë sa më pak të jetë e mundur “armik i vetvetes”.
Përse ky emërtim kaq i ashpër?!! Sepse njerëzimi “ka vrarë” mjaft kohë si dhe ka konsumuar shumë energji mendore e fizike për të ideuar dhe realizuar mundësi, mënyra dhe mjete për të asgjësuar vetveten. Sjellim në vëmendjen e gjithkujt evoluimin progresiv që nga armët dhe mjetet më të thjeshta deri tek ato më të sofistikuarat për dëmtimin në masë. Qysh herët janë iniciuar mjete dhe veprime të thjeshta për eliminimin e njerëzve dhe të gjallesave të tjera (solucione apo melheme vdekjeprurëse); mandej mjete të thjeshta për dëmtim (mjete prerëse apo goditëse); më vonë në kohë armë të thjeshta, të cilat i automatizoi deri në perfeksionim në të pastajmen; më pranë në kohë, armë dhe mjete të dëmtimit në masë (armë bërthamore, kimike) etj. etj.
Por arma dhe mjeti më arkaik në pikëpamje të funksionimit, por më anti-njeri në pikëpamje të mentalitetit dhe ideologjisë, mbetet ajo me emërtimin në origjinë nga Lindja e Largët “kamikaz”. Në emër të, nuk e di kujt, lind motivimi për të ndërprerë sa më shumë jetë njerëzore përmes vetësakrifikimit. Kjo mënyrë veprimi është avancuar në ato nivele, të cilat ngjallin frikë dhe shkaktojnë panik e humbje njerëzore, por edhe humbje shprese.
Të therësh njerëz, sidomos nëna dhe fëmijë, t’i filmosh ato dhe t’i publikosh masivisht në media, është më shumë se sa antinjerëzore!!! Të vetësakrifikohesh, sidomos në moshën 12-14 vjeçare, duke vrarë njerëz të pafajshëm në një ndeshje futbolli, në një shfaqje teatrore, në një kamping të rinjsh, në një shkollë, në një spital, në bulevard, në një ceremoni martesore apo funeral, etj, etj, është jashtë çdo arsyeje njerëzore, është tej çdo ideali, qoftë ai edhe si “porosi” apo “këshillë” e të “Gjithëfuqishmit”!!!
Pra, njerëzimi i mbarë globit duhet të jetë i qartë dhe i ndërgjegjshëm, se rreziku i sulmeve terroriste të tipit si ato të 11 shtatorit 2001 në SHBA, është imediat dhe mjaft aktiv. Në këto rrethana ai duhet të jetë i përgjegjshëm të bëjë gjithçka për të ndalur dorën zjarrvënëse dhe vrastare të klikave, qarqeve, organizatave terroriste dhe individëve me koka “të nxehta”. Popujt duhet të përgjegjësohen se Bin Landenë, Sadam Hyseinë, Sllobodan Milosheviçë, Hosni Mubarakë, Kadafë, Assadë, e të tjerë si këta, njerëzimi i ka “pjellë” po vetë, ashtu sikurse është plotësisht në dorën e tij, që njerëzve me prirje kriminale, t’u tregojë vendin me kohë, përpara se ata të bëhen të rrezikshëm, të papërmbajtur dhe kobsjellës.

Trinomi: Berisha- Basha dhe Like Floriri,qe hedh gurin e
fsheh doren jane kapot e terrorizmit ne Shqiperi. Kaq e
thjeshte eshte situata ne Shqiperi. Nese shqiptaret i he-
qin qafe keta monstra do te sigurojne clirimin perfundim-
tar te Shqioerise. Kjo eshte e gjitha.Sigurisht jo vetem
ndeshkimi i tyre penalisht por edhe konfiskimi deri ne
qindarken e fundit te parase se vjedhur …!!!