Testamenti i Ukshin Hotit

J L

Nga Sefer Pasha

 

Qysh moti në elitën e zhargoneve intelektual në Kosovë zhvillohet ngultazi një debat i ashpër në rrafshin letrar rreth botimit të plot të veprës së idhullit Ukshin Hotit. Një nga botuesit e veprës së Ukshin Hotit, Moikom Zeqo, i cili e botoi si në mitologji pesë herë  librin: – “Filozofia Politike e Çështjes Shqiptare” më pati thënë se libri është botuar pjesërisht. Është kundërshtuar energjikisht sidomos botimi i atyre eseve të shkruara në burg, ku politologu i madh lëçiti e siti me penën e tij poetike dramat e tij familjare. E motra e Ukshin Hotit, Myrvetja, që në Kosovë dhe Shqipëri njihet si një Doruntinë e tregon me lot në sy se në një nga takimet e fundit në burgun e Istogut (kurrë nuk u panë më) i vëllai Ukshin Hoti i ka thënë: – “Motër! Nuk i dihet fatit tim. Po fillon çlirimi i Kosovës nga Natoja dhe UÇK -ja. S’ dihet se çfarë bën UDB -ja me mua. Ka nisur tu derdhet kupa e durimit. Po ta lë si testament. Nëse unë vdes gjithçka që kam shkruar brenda kudhrës së burgjeve të botohet. Kur i kam radhitur dhimbjet e mija në letër e dija se do të bëheshin përpjekje për t’më censuruar. Libri i jetës të dal i plot në dritë. Dorëshkrimet e ferrit edhe ato më të trishtat në të gjitha kahet sheshazi të merren vesh pa kufizim”.

Në takimet me lexuesit i vëllai i Ukshin Hotit, Afrimi, që gjithashtu është një personalitet shumëplanësh dhe karakter i krupshëm, si nomad burgjesh, tregon në thikë e në pikë profanërisht me të epërmet fjalë ngjarje rrëqethëse. Kujtimet e tij janë një burg e piskam vaj më vete. Afrimi që ka qenë dhe deputet i Parlamentit të Kosovës si askush tjetër të magjeps me ato që rrëfen për temperaturat e larta të pasionit, tharmin dhe lakadredhat e fatit të vëllait, të cilit në ankth e siklet ja di të gjitha gjamat dringa – dringa. Edhe kur udbashët u përpoccën ta denatyrojnë dhe t’i futen në familje. Në çastin e mbramë përkundruall dëgjuesve Afrim Hoti bën portretin dhe narrativën e jetës të vëllait, që nuk kishte qenë petal trëndafili. Ukshin Hoti i pati të gjitha mundësitë që të qëndronte në Harvard e Boston, ku dha dhe leksione. Gjithashtu pati miq në Amerikë të cilët i thanë që të qëndronte atje. Thuhet se Ukshin Hoti në Harvard është takuar për pak minuta me Presidentin e Amerikës Xhimi Karter. Por filozofin e thërriste çështja e madhe e Kosovës që ishte nën pushtimin serb. Edhe kur u kthye në Kosovë dhe armiqtë e izoluan ju krijuan të gjitha mundësitë që të mërgonte në Gjermani ashtu si i vëllai Afrimi. Me marifet ja rregulluan dhe pasaportat. Gjithsesi Ukshin Hoti nuk lëvizi nga istikami. E dinte thotë me zë të lart Afrimi se ai do të vetëflijohej. E ndjente. Ja çfarë shkruan me dorën e tij: – “Ka momente të tilla kur vdekja është më e lehtë sesa lojë – lufta me jetën, por vdekja si mundje dhe jo si humbje. E provokova tri herë, por nuk më deshi. Herën e katërt nuk desha ta provokoja vrasjen, por e dija se mund të vinte dhe isha indiferent ndaj saj”.

Në vitin 1995 është bërë botimi i fundit i librit “Filozofia Politike e Çështjes Shqiptare” me recenzentë Shaban Sinani dhe Moikom Zeqo. Ata nuk e shfronësuan figurën e Ukshin Hotit. Tentativat e ndonjë botuesi për ta botuar të plot veprën e filozofit patën dështuar që të gjitha. Po të ndodhte botimi bëhej “gjëma”. Të gjithë ngrinin supet nga pëshpërimat ngerçore. Përfundoje në dyert e gjykatës. Kjo për arsye se filozofi i pashoq në fletët e pabotuara të librit përshkruan një “Drin” me dhimbje. Pas çdo personazhi Ukshin Hoti e thotë shqeto se qëndronte UDB -ja. Filozofi meditonte në dritaren e burgut të Istogut si personazh i një drame të madhe. E zgjonin nga mendimet cicërimat e zogjve të bjeshkës së Mullirit. Zërat e zogjve i sillnin poshtë dritares Erletën, Andinin dhe Brisildën. Po fëmijët ishin larg burgut. I mbanin dhe ata të burgosur në lirinë e kanosur. Gjeraqinat e Istogut i mërmërisnin në dritaren e burgut se vajza e vogël Brisilda kishte marrë të ftohtë. Por askush nuk e kishte mjekuar. Ç’të bënte Baca Ukshin? Ai mbahej i lidhur me zinxhirë. Në fund të qelisë mbante një shishe dy litroshe që e përdorte për të urinuar. Diabeti po ja bluante kockën. Për shkak të diabetit i duhej të urinonte disa herë në natë. Dera e qelisë ishte e mbyllur. Dhe Ukshin Hoti i detyruar urinonte në shishe. Në qelinë e ngushtë era e urinës  ja zinte frymën filozofit që kishte mbi 12 vjet, që edhe oksigjenin e kishte me racion. Të gjitha këto drama Ukshin Hoti ja tregonte të vëllait, Afrimit, kur ai kishte mundësi dhe e takonte në burg. Edhe kur Ukshin Hoti nuk e shkruan me atë shkrimin e bukur si gur qemeri nga të Pashtrikut, ai këtë e ndjen qysh moti. Një pjesë e librit endej në duar të palara.“Jagot” kërkonin që libri të botohet i plot kur të gjallët të kenë vdekur. Por ja që papritur u gjet një botues “i krisur”. Ky është një nga shokët e fëminisë së Ukshin Hotit, Halil Kuliqi. Botuesi i çuditshëm jeton në Drenas të Skënderajve. Halil Kuliqi  vitin që kaloi e botoi të plot veprën e Ukshin Hotit me një titull të ri: – “Mr. Ukshin Hoti. Kodi rajonal, filozofik, analitik, shkencor i zgjidhjes së çështjes shqiptare”. Ja çfarë shkruan në parathënie botuesi Halil Kuliqi: – “Duke u munduar t’i gjendem afër Ukshin Hotit, nga Drenasi kam udhëtuar në këmbë, me kalë, me tren, me autobus, me autostop, me biçikletë e kam fjetur në shtigje malesh. UDB -ja më ka kërcënuar, më ka rrahur dhe më ka izoluar. Por nuk jam ndalur dhe kam mbrritur në Krushë të Madhe, ku mbahej i gozhduar Ukshin Hoti”.

Botuesi Halil Kuliqi është një nga miqtë e dramave të mëdha të Ukshin Hotit. Nën qiellin e Krushës Halili ka prekur izolimin e Ukshin Hotit, dramat familjare, përndjekjet, rrahjet e syrgjynosjen larg Prishtinës. Maskarenjtë për prishjen e kurorës së parë me Edi Shukrinë vepruan me shpejtësinë e një helmi. Nën hijen e gorricave të Krushës dhe të Celinës Ukshin Hoti i tregonte shokut të fëminisë, Halilit, se kur u kthye nga Universiteti i Harvardit në Amerikë “elita”kosovare nuk i hapi asnjë vend pune qoftë dhe si pjatalarës. Botuesi e di shumë mirë se Ukshin Hoti ndryshe nga kolegët mediokër nuk pati kabinet ku të punonte. Të 18 kapitujt e libri janë shkruar nën trungjet e pyllit të Celinës. Filozofi shkruante i shtrirë mbi livadh i përqendruar mbi fletore dhe stilolapsa. Nëna Fatimja i çonte nën dardhë kafet dhe cigaret(Ukshin Hoti pinte 70 cigare në ditë). Kur i ati Nazyfi që shiste gazeta në Prizren kthehej në mbrëmje dhe i çonte në dhomë gazetat dhe ndonjë libër për Ukshin Hotin kjo ishte kënaqësia më e madhe. Në bisedat e lira me Halilil Kuliqin që e ka botuar të plot veprën e Ukshin Hotit ai i tregonte mikut të fëminisë se kur po shkruante esenë “Bëje ose vdis”, nga që ishte shumë i përqendruar mbi fletore, pa një korb sa një dash që futi sqepin në filxhanin e kafesë.

Malli për të takuar fëmijët në burgje ka qenë një nga makthet më brerëse për filozofin Ukshin Hoti. Ai kurrë nuk jetoj në liri. Nuk pati kurrë të holla që t’i gëzonte fëmijët me ndonjë lodër e t’i freskonte me ndonjë akullore. Në burg stuhitë politike bënin punën e tyre. Dhe fëmijët mbaheshin peng. Këtë sëkëlldi lexuesi do ta gjej në esetë, që ka shkruar nga burgu Ukshin Hoti. Të lënë mbresë sidomos kapitujt: “Vëllau – Motrës!”.  Në burgun e Istogut Ukshin Hoti dritaren e kishte me pamje nga hyrja e burgut. Tek një mështeknë ishte shtegu nga dukeshin të afërmit e të burgosurve të cilët vinin në takime. Mbanin për dore dhe fëmijë. Ukshin Hoti vështronte në dritare 10 orë. Por asnjë nga fëmijët e tij nuk dukeshin. I mbanin peng nënat e tyre. Në cep të dritares së vogël të qelisë pati mbirë një degë rigoni(rigoni i egër i Bjeshkës së Istogut rritet nëpër mure). Ukshin Hoti herë pas herë e ujiste fillin e rigonit të ashpër. “Pemës” së rigonit ja kishte vënë emrin “Brisilda”. Në mëngjes kur çohej nga gjumi  i afrohej bimës  së rigonit dhe i thosh në “vesh”: “Mirëmëngjes Brisilda”. Një nga bashkëvuajtësit e qelisë më ka treguar se në bisedat që bënte Ukshin Hoti me fillin e rigonit mund të ndërtohet një libër më vete. Kur Ukshin Hotin më datën 16 qershor të vitit 1999  është larguar nga qelia përgjithmonë e ka përkëdhelur “Brisildën”, e cila hidhte shtat në dritaren e burgut. Thuhet se Ukshin Hoti shkroi në qeliinë e burgut një prozë të shkurtër me titull “Bisedë me Brisildën”. Prozën filozofi e redaktoi dhe e bëri gati për botim. Ja mori përsipër dhe një botues në Prishtinë. E motra Myrvetja i dërgoi dhe ca lekë. Por ato nuk mjaftonin. Vendosi të botojë rreth 50 kopje. Një nga shokët e qelisë nga Drenica e Pashës e qorton se 50 kopje janë shumë pak. Kjo nuk ka shumë rëndësi i përgjigjet Ukshin Hoti dhe i tregoj se një nga miqtë e Hemiguejt gjatë qëndrimit të tij në Paris, Ëillim Bird, gazetar amerikan dhe pronar i një shtypshkronje të thjeshtë i shtypi Heminguejt më 1924 përmbledhjen e parë me tregime “Në kohën tonë”, me një tirazh prej 170 kopjesh.

Me librin në dorë botuesi Halil Kuliqi foli në promovimin që u bë edhe në një nga sallat e Muzeut Kombëtar në Tiranë. Miku i betejave dramatike tregon çastet kur me terezi e gjente mënyrën dhe fëmijët ja çonte Ukshin Hotit në burg. Dhe fëmijët e malluar i recitonin atit të tyre vjersha në dhomat e pritjes së burgjeve. Ukshin Hoti i dëgjonte dhe përtypte gjuhën me dhemb që të duronte dhimbjet. Lëngonte në heshtje. Nuk i bëhej e gjallë vajza e madhe Erleta. I vëllai i Ukshin Hotit, Afrimi, që është gjallë dhe di një pyll me sekrete rrëfen atë çastin makbethian kur Ukshin Hoti kishte dal nga burgu dhe me çantën në dorë me teshat e burgut përballet me të bijën, Erletën. Dhe kur Ukshin Hoti ishte gati ta përqafonte të bijën Erleta i thotë atë vargun e famshëm që është bërë homerik në popull: – “Ti nuk je babi im!” Filozofi nuk donte që tu besonte veshëve. Pas Erletës ishin udbashët. Ai këtë e dinte mirë. Në ato çaste të rënda qyteti i Prishtinës përfundoi në këmbët e malit të Çiçavicës. Kështu ai studenti i Harvardit,  tani qiraxhi burgjesh, me çantën në dorë e la të bijën në këmbë si në një skenë filmi dhe vazhdoj rrugën për askund. Edhe këto drama ishin pjesë e luftës për çlirimin e Kosovës.

Megjithatë debatet nuk kanë të sosur. Një nga personazhet e jetës tragjike të Ukshin Hotit është padyshim bashkëshortja e parë Edi Shukriu. Pikërisht për këtë pjesë të jetës Edi Shukriu gjithashtu ka botuar librin me titull “Pasqyra e Thyer”. Ky libër hedh dritë mbi legjendën e Kosovës. Ish bashkëshortja jep detaje nga miti i jetës së Ukshin Hotit. Ajo e ka takuar Ukshin Hotin në Burgun e Sigurisë së Lartë në Beograd. Në takim i filmonte dhe i përgjonte UDB—ja. Edi Shukriu e vështronte të shoqin në sy. Ukshin Hoti gjithashtu. Thuhet se UDB -ja u ka bërë të dyve dhe një fotografi, e cila ndodhet në arkivin e Ministrisë së Brendshme në Beograd. Do të kishte interes ajo foto e bërë në fshehtësi nga udbashët. Edhe botimi i librit “Pasqyra e Thyer” i Edi Shukriut është ftesë për paqe. Siç e thotë edhe vet ajo mezi pret të takohet me Ukshin Hotin me të cilin kanë dhe një vajzë. Në librin “Pasqyra e Thyer” prozatorja shkruan: “Për ish burrin tënd nuk dihet gjë! Jo nuk dihet! Të takon dhe ty. E di. E ke vajzën! E di. Kërkoje sërish, kudo! Nuk ke nevojë të ma rikujtosh”.

Në takimin me lexuesit dhe studiuesit e veprës së Ukshin Hotit në Prishtinë dhe në Tiranë Halil Kuliqi sjell një buqetë më tregime. Kur Ukshin Hoti ishte në burg në Istog miku i tij Halili nisej që nga Drenasi. Mbushte një çantë të lëkurtë me ushqime. Mish, bulmet, mjalt, arra dhe lajthi. Natyrisht dhe ndonjë shishe me raki dhe verë Rahoveci, të cilat i kalonte duke “kompromentuar” gardianët serb të burgut. Por Halili nuk harronte t’i çonte idhullit të tij dhe disa pako me lodra e veshëmbathje për fëmijët. Pakot ja linte Ukshin Hotit që kur t’i vinin fëmijët ai të kishte se me çfarë t’i gostiste. Natyrisht që Ukshin Hoti nuk ngopej me ato që i rrëfente miku nga Drenasi. Janë takime të paharruara. Në paradhomat e burgut Ukshin Hoti dhe Halili bisedonin edhe për botimin e plot të veprës së tij. Filozofi i thoshte Halilil Kuliqit se “Librin “Filozofia Politike e Çështjes Shqiptare”, Tiranë 1995, pas një vonese të konsiderueshme, arrita ta shfletoj vetëm sipërfaqësisht, sepse nuk mund të vija në rend për lexim të kujdesshëm dhe sepse, më në fund, e shkyen një pjesë të tërë(rreth 14 faqe). U detyrova të mjaftohem me shpjegimin se kjo ishte bërë nga ndonjë barbar, që kishte patur ndjenja barbare ndaj librit, në përgjithësi dhe jo vetëm ndaj librit tim”. Por siç ka treguar Ukshin Hoti në takim me shokun e fëminisë tregimet e çlodhnin filozofin. Humori i Halilit ishte spontan dhe i natyrshëm dhe kjo e bënte që Ukshin Hoti ta vinte buzën në gaz. Ai kishte një bllok ne qeli ku shënonte ato që i thoshin miqtë e tij. Ne bllok shënonte lindjet dhe vdekjet. Titulli i bllokut ishte: – “Baca Ukshin i rrethuar nga buqeta e tregimeve të miqve”.

Me librin e ri nën sqetull botuesi Halil Kuliqi më gjezdis në Gllogoc. Më tregon udhët ku UDB-ja përndiqte Ukshin Hotin. Filozofi së bashku me studentin e tij Agron Limanin kishin qenë në takimin ku Adem Demaçi ishte në grevën e urisë në Pallatin e Shtypit në Prishtinë. Botuesi më tregon lisat ku policia e Rahovecit e hoqi zvarrë Ukshin Hotin. Turinjtë ja bëri përshesh me gjak. Pesë brinjë ja bën cifla – cifla. Pastaj filluan ta rrahin për vdekje në zyrat e komisariatit të policisë serbe. Mililicët donin që Ukshin Hoti të vdiste. E qëllonin pa mëshirë. Situatën e merr nen kontroll shefi i policisë serbe të Gllogocit. Ai i urdhëron vartësit xhelat: – Mos e vrisni Ukshin Hotin! Na duhet që të mbetet i gjallë. Silleni mjekun e komisarjatit të Gllogocit. Ai e urdhëron mjekun që Ukshin Hoti të tridhet. Ja hiqni të dyja koqet. Mjeku filloj operacionin. Dhimbjet e Ukshin Hotit ishin të padurueshme. Për “skopitjen” që ju bë në Gllogoc Ukshin Hoti nuk ka shkruar. Për to ai vetëm ka treguar. Është një nga momentet më tragjike të jetës së tij. U enjtë në organet gjenitale. Nuk urinonte dot. Në mal mjekët e Rahovecit i vunë një tub. Ishte torturë e vërtetë. Për më shumë se një muaj qëndroj në stanet e Rahovecit. I druhej arrestimit për të pestën herë.

Tregimet e jetës së Ukshin Hotit nuk i gjen në letërsi. Vet jeta e kishte zgjedhur si personazh të paparë. Edhe sot rrëfenjat për të tregohen në odat e Krushës. Ishte sëmurur axha i Ukshin Hotit, Abdurrahimi, të cilit shkurt i thërrisnin axha Selë. Një nga mbesat e tij çdo ditë shkonte tek shtrati i axhës dhe aty shkruante dhe i lexonte një këngë për jetën e tij. Para se të vdiste axha ai ja lë amanet të mbesës që kur ai të varrosej ajo këngën t’ja lexonte përpara arkivolit. Dhe mbesa ditën e varrimit nisi ta lexoj këngën kushtuar axhës. Të gjithë krushasit në mort filluan ta dëgjojnë. Por kënga qe e gjatë dhe ati i Ukshin Hotit, Nazyfi, me terezi ja thotë në vesh që këngën ta ndërpriste. Nuk ishte vendi. E mbesa e indinjuar e merr bllokun ku kishte shkruar këngën dhe ja fut axhës në xhepin e xhaketës atje ku qe shtrirë në arkivol. U bë varrimi dhe bashkë me axhën u varros dhe blloku, ku mbesa kishte qëndisur një këngë të gjatë. Kjo ngjarje u harrua. Mbesa u rrit. Pas disa vitesh kur ajo studionte në fakultet në Prishtinë kujtohet për këngën kushtuar axhës Selë. Po blloku i këngës ishte varrosur bashkë me axhën. E mbesa vendosi që këngën ta rishkruaj, por pa sukses. Kur vinte në Krushë shkonte tek varri dhe ja pastronte gjembat. Poshtë dheut ku kishte mbirë bari i ashpër ishte dhe poema e saj që nuk u botua dot. Libri mbeti brenda varrit në Krushën e Madhe. Këtë ngjarje Ukshin Hotit ja tregon e motra kur ai vuante dënimin në burgun e Nishit. Ukshin Hoti që e donte shumë axhën Selë kishte filluar të lotonte.

Botuesi Halil Kuliqi thotë në takime me lexuesit e veprës së Ukshin Hotit se filozofi në jetë kalonte ankthe të forta. Nuk ishte në gjendje që fëmijëve tu blinte tesha, libra e fletore. I dridhej shpirti. Mbyllej në dhomë nga dëshpërimi. Shumë fshatar të lidhur me serbët e urrenin filozofin. Ata nuk donin luftë. Kurse Ukshin Hoti e thoshte copë se shkitë duhen përzënë me revolucion. I vetmi që e ka ndihmuar ekonomikisht Ukshin Hotin është një nga kushërinjtë  e tij. Quhet Fehmi Hoti. Me të Ukshin Hoti i qante hallet. Tani që Ukshin Hotin e zhdukën serbët Fehmi Hoti e pi kafenë tek bordurat e shtatores së Ukshin Hotit, e cila është ngritur tek shtëpia muze në Krushën e Madhe. Me kafen dhe gotën e rakisë në dorë Fehmi Hoti kuvendon me filozofin, që rri i menduar në bronx. Vetëm Fehmi Hoti e di se me Ukshin Hotin në Krushën e Madhe ishte takuar misteriozisht Adem Jashari. Të vjen keq që filozofi këtë fakt nuk e ka shkruar në esetë e tij magjepsëse.

I vëllai Afrim Hoti ka një brengë të madhe. Ditën që Ukshin Hoti ka dal nga burgu i Istogut më datën 16 maj 1999 ai ka pasur në dorë tre qese të zeza. Ish të burgosurit e qelisë tregojnë se në një qese filozofi e ka pasur të mbushur me fletore. Në një nga qeset ka qenë dhe një fotografi të cilën Ukshin Hotit ja bën në burg një javë para se ta zhduknin. Ka shumë gojëdhëna për këtë fotografi. Foton ja bëri Ukshin Hotit një serb që ishte dhe fotograf i burgut. Porosia e Ukshin Hotit kishte qenë që ta kishte një foto me vete kur të delte nga burgu. Çoç parandjeu. Të gjitha këto nuk kanë ndonjë rëndësi thotë botuesi Halil Kuliqi. E rëndësishme është që në një nga tre qeset që ka pasur në duar Ukshin Hoti kur ka dal nga burgu më datën 16 maj të vitit 1999 ka qenë dhe një foto e bërë brenda burgut. Edhe në këtë vështrim libri nuk mund të quhet si botim i plot i veprës së Ukshin Hotit. Duhet qëmtuar. Nuk po përmendim këtu ato materiale të cilat i ka marrë UDB -ja dhe janë në arkivin e Ministrisë së Brendshme në Beograd. Që pa dal nga burgu Ukshin Hoti kishte merak sidomos pjesën e esesë “Individi dhe Procesi Politik”. Pjesën e dytë udbashët e kanë zhdukur. Në librin e parë të redaktuar nga Moikom Zeqo janë botuar pjesa e parë dhe e tretë. E njëjta gjë ka ndodhur dhe me botimin e fundit të botuesit Halil Kuliqi.

Libri “Kodi Rajonal, Filozofik Analitik, Shkencor i Zgjedhjes së Çështjes Shqiptare”(Fjalime, diskutime, letra dërguar  motrës- Myrvetes) prej 800 faqesh po shpërndahet në Kosovë dhe Shqipëri. Botuesi Halil Kuliqi po përgatit një libër të ri me titull “Të tjerët për Ukshin Hotin”. Në këtë libër do të jenë dhe poezitë e ish bashkëshortes Edi Shukriu, që në kulmin e acarimit hodhi një Pashtrik me baltë mbi filozofin e madh. Ja çfarë shkruan vetë Ukshin Hoti për këtë ngjarje tronditëse në jetën e tij: – “U paraqit me një sërë poezish të botuara nëpër gazeta dhe revista dhe pastaj i botoi edhe dy libra që qenë duke më shkatërruar. Askund nuk më përmendte me emër, por aluzioniet ishin mjaft të qarta dhe meqë ambienti intelektual ishte i vogël, gjithkush e dinte se për kë ishte fjala. Asnjëherë nuk iu pata përgjigjur, sepse friksohesha për të ardhmen e bijës, Erletës”.

Tregimet gojore qarkullonin tek “shkrimtarët” e qelisë. Erdhi lajmi në qeli gjatë bombardimeve të Natos. Policia serbe e Rahovecit kishte zbrazur në ujërat e Drinit të Bardhë një kamion me banor të Krushës së Madhe dhe të Celinës. Tregohet se Ukshin Hoti ka folur me celularin e një të burgosuri serb me kushëririn e tij Fehmi Hoti. Dhe ai i ka thënë se kjo tragjedi ishte e vërtetë. Ukshin Hoti kishte qarë si grua me zë të lart. Por udbashët ishin mafioz të mdhenj. Në të njëjtën ditë që u zhduk Ukshin Hoti u gjet në Celinë me kokë të prerë dhe i vëllai, Rakip Hoti.

Tregojnë se ditët dhe muajt e ferrit për Ukshin Hotin kanë qenë ato kur gardianët e burgut nuk ja jepnin blloqet dhe stilolapsat që ja dërgonte e motra Myrvetja dhe i vëllai Afrim Hoti. Ukshin Hoti i ashtëzuar nuk kishte se me çfarë do të shkruante. Në qeli koha nuk lëvizte. Boshllëk i madh. Ç’të bënte filozofi në dy metra vend? Esetë që mendonte i fliste me rrebesh fjalësh. Recitonte copra frazash si në një proces kozmik. I përsëriste qysh në ngjizje. I korrigjonte ëndrrat dhe zhgjëndrat. I shquar për artin gojor në çdo minutë nxirrte një tok me mendime, që rrokulliseshin brenda qelisë. Ah sikur të kishte një stenografist. Por gjithçka mbetej në ajër. Si Sfinksi makthet e prozës flatrore si polemist befasues i vërtiste në botën qerthullore pikë për pikë nga e para. Qelia mbeti një magje plot me fjalë. Edhe fjalët ishin vepra filozofike. Si në një bashkësi legjendash asgjë nuk shkruhej në letër. Kjo ishte tortura më e madhe. Personazh të eseve që i fliste me gojë me gjuhë sipërore si një titan ishin çobanët, ziliqarët, urithët, llumi, spiunët e karagjozët. Vet Ukshin Hoti, i cili ishte maja e majave ka thënë nga hera në herë se së paku dhjetë vëllime i ka humbur. Vetëm i ka folur i urtuar. Edhe ato që ka shkruar sidomos kapitujt: “Vëllau – Motrës” i ka qëndisur me skrupulozitet i mbuluar me batanije, nën shollët e këpucëve, në petët e byrekut, në lëvozhgën e vezës, në brumin e sapunit, në pastën e rojes, në qeset e kafesë, në kuleçët e pjekur në furrë dhe në kokat e qepëve të qëruara. Megjithëse gardianët serb gënjeheshin me një shishe raki Rahoveci jo të gjitha shkrimet dilnin nga qelitë e burgjeve. Nga ky pikshikim mund të thuhet se vepra e Ukshin Hotit nuk do të botohet ndonjëherë e plot.

Share This Article
1 Comment
  • Ukshin Hoti ishte njeriu me i ditur ne Kosove,njeriu me patriot,trim dhe me vizione te qarta per te ardhmen e Kosoves.Regjimi serbe i zhdukte njerezit qe mendonte se munde te krijojne rrethana te papershtatshme per pushtetin e tyre ne Kosove.Shtrohet pyetja pse Serbia nuk burgoste ledekeistat,qe me pasaporten e Serbis me aeroplanet e Serbis viztonin qendrat perendimore per ti njohtuar se Kosova do „pavaresi“.Gruaja e U.Hotit, Edi Shukriu,antare dhe ne kryesin e LDK,u nda nga i shoqi.Ka pasur zera qe LDK nuk e ka dashte konurent ne politike te kete U.Hotin.LDK,asnjehere nuk kerkoj zbardhjen e vrasjes se Fehmi Aganit,nenkryetar i LDK,qe perkrahu luften e UCK.Une mendoj se duhet te hetohen lidhjet e disa strukturave te LDK me regjimin serbe,qe kan ekzistu para lufte,gjat lufte por edhe sote jane shume avtive dhe punojne me zelle per kriminalizimin e luftes se fundit.Por nje gje e tille sot eshte e pamundur,pasi Kosova ka ne pozitat me te larta te shtetit njerez qe mohojne luften e UCK.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *