Identifikimi i një problemi të tillë vonohet pa dashur nga prindërit, pasi shumë prej tyre nuk e dinë që një fëmijë i vogël, qoftë edhe brenda vitit të parë të jetës mund t’i nënshtrohet testeve të dëgjimit.
Zbulimi sa më i hershëm i uljes së dëgjimit, madje sa më afër periudhës së lindjes së fëmijës bën që të aplikohen trajtime efektive që ulin në mënyrë të dukshme paaftësinë që shkakton ky problem. D.SH.M. Juzela Shehu, mjeke ORL në Shërbimin e Kirurgjisë Infantile në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, shpjegon se si prindërit mund të dallojnë që në moshë të vogël, nëse fëmijët e tyre kanë problem me dëgjimin.
Humbja e dëgjimit tek fëmijët e vegjël është një paaftësi e qetë dhe e fshehtë. Është e fshehtë sepse fëmijët, veçanërisht të porsalindurit dhe fëmijët e vegjël nuk mund të tregojnë se nuk po dëgjojnë mire, është paaftësi sepse, nëse nuk zbulohet dhe nuk trajtohet, çon në vonesë, ose në mungesë të zhvillimit të të folurit dhe gjuhës, në probleme emocionale dhe një përparim i dobët në mësime.
Zbulimi sa më i hershëm i uljes së dëgjimit, madje sa më afër periudhës së lindjes së fëmijës bën që të aplikohen trajtime efektive që ulin në mënyrë të dukshme paaftësinë që shkakton ky problem. Shumë shpesh identifikimi i një problemi të tillë vonohet, pasi shumë prindër nuk e dinë që një fëmijë i vogël, qoftë edhe brenda vitit të parë të jetës mund t’i nënshtrohet testeve të dëgjimit.
Dëmtimi i dëgjimit mund të jetë i plotë, ose i pjesshëm në njërin ose të dy veshët.
Niveli i dëmtimit të dëgjimit mund të jetë i lehtë, i moderuar, i rëndë ose i thellë. Dëmtimet e dëgjimit mund të shkaktohen para, ose gjatë lindjes për disa arsye të ndryshme siç janë: “Lindje premature, situata që gjatë lindjes çojnë në mungesë të theksuar të oksigjenimit, kalimi i Rubeolës, Siphilisit apo sëmundje të tjera infektive gjatë shtatëzanisë, përdorimi i ototoksikëve që mund të shkaktojnë dëmtim të veshit të brendshëm, hepatiti, i cili mund të dëmtojë nervin e dëgjimit në një fëmijë të sapolindur”, vë në dukje mjekja.
Zgjidhja e dëmtimeve të dëgjimit duhet të fokusohet në parandalimin, zbulimin e hershëm, menaxhimin dhe rehabilitimin e pacientit.
Procedurat diagnostike speciale për testimin e dëgjimit janë:
- Audiometria tonale.
- Audiometria e të folurit.
- ABR dhe teknika e Emetimit Otoakustik (OAE).
Arsyet pse nuk duhet të neglizhoni trajtimin e problemeve të dëgjimit tek fëmijët
- 1-2 fëmijë në 1000 lindje, lindin me shurdhësi të thellë.
- Në 2 fëmijë në 1000 lindje mund të shkaktohet shurdhësi në fëmijërinë e hershme.
- Të porsalindurit që më pas kërkojnë trajtim në reanimacion kanë rrezik të lartë për humbje dëgjimi (1 fëmijë në 50 që janë reanimuar).
- Infeksioni i veshit shoqërohet me ulje dëgjimi.
- Pothuajse 100 për qind e fëmijëve kanë një periudhë me ulje dëgjimi.
Problemet me dëgjimin tek të vegjlit shkaktohen nga:
- Lindje premature.
Situata që gjatë lindjes çojnë në mungesë të theksuar të oksigjenimit.
- Kalimi i Rubeolës, Sifilizit, apo sëmundje të tjera infektive gjatë shtatëzanisë.
- Përdorimi i ototoksikëve që mund të shkaktojnë dëmtim të veshit të brendshëm.
- Hepatiti, i cili mund të dëmtojë nervin e dëgjimit në një fëmijë të sapolindur.
