Pasojat shfaqen më shpesh në moshën e tretë, ndërsa çrregullimet zakonisht fillojnë që nga mosha e mesme. Mund të ndodhë që për vite të tëra sëmundja të zhvillohet në heshtje, duke mos paraqitur asnjë shenjë të dukshme klinike. Çka bën që pacientët të mos e dinë se vuajnë nga osteoporoza, deri në momentin kur pësojnë një thyerje kockore.
Osteoporoza është një çrregullim i përbërjes kimike të kockave, gjatë të cilës bëhen më të brishta, më të dobëta dhe më të rriskuara drejt thyerjes. Ndonëse, pasojat shfaqen më shpesh në moshën e tretë, (mbi 60 vjeç), çrregullimet zakonisht fillojnë që nga mosha e mesme dhe vazhdojnë më tej. Mjekja, Ilda Xhelili, vë në dukje se kockat janë mjaft të forta midis moshës 20 dhe 30 vjeç, ndërsa më pas nis dobësimi i tyre. Kjo sëmundje përbën një çështje të rëndësishme të shëndetit publik, kjo sepse shoqërohet në shumicën e rasteve me dëmtime të rënda dhe thyerje kockore. Këto dëmtime mund të rezultojnë në paaftësi të përhershme për t’u kthyer në punë, ose për të kryer aktivitetet e përditshme, çka rëndon edhe buxhetet shëndetësore.
Në pjesën dërrmuese të pacientëve ndodh që sëmundja të mos paraqesë asnjë simptomë të dukshme klinike. Çka do të thotë se pacientët, mund të mos e dinë se vuajnë nga osteoporoza deri në momentin kur pësojnë një thyerje kockore. Kockat që thyhen dhe dëmtohen më shpesh si shkak i uljes së densitetit kockor, janë ato të shtyllës kurrizore (vertebrat). Kjo vjen si rezultat i presionit që ushtrohet nga mbivendosja njëra mbi tjetrën, ndërsa kur rrëzohemi të predispozuara për t’u thyer janë të gjitha kockat e skeletit.
Dëmtimet kockore mund të ndodhin edhe për shkak të traumave minimale dhe kjo vjen si rezultat i dobësisë së theksuar të tyre. Për shkak të dobësisë që kanë kockat nga osteoporoza, dëmtimet mund të kërkojnë një kohë të gjatë për t’u shëruar, por mund të jetë gjithashtu shumë e vështirë që ato të trajtohen plotësisht.
Faktorët që përcaktojnë fortësinë e kockave
Kockat janë të përbëra nga kripërat minerale si: kalcium, kalium, natrium, etj, si edhe nga lënda spongioze, ose e sfungjertë. Raporti i kripërave minerale përcakton fortësinë e kockave, ndërsa lënda spongioze i jep atyre elasticitetin. Në moshën fëminore mbizotëron elasticiteti kockor në raport me kripërat minerale prandaj edhe fëmijët e vegjël pësojnë më pak thyerje kockore se të rriturit kur rrëzohen. Me rritjen e moshës, ulet elasticiteti kockor, po ashtu ndryshon edhe raporti i kripërave minerale, të cilat në moshën e tretë pakësohen gjithmonë e më shumë.
Pra forca kockore është e lidhur me densitetin e saj, i cili i referohet kripërave minerale që kanë kockat në përbërjen e tyre. Faktorët që përcaktojnë forcën kockore mund të jenë gjenetikë, mjedisorë dhe mund të ndikohen nga medikamente të ndryshme që njerëzit përdorin për arsye shëndetësore. Sa i përket gjenetikës, afrikano-amerikanët kanë një dendësi kockore më të lartë sesa aziatikët, apo edhe evropianët. Në raport me gjininë burrat kanë një densitet kockor më të lartë se femrat dhe për sa i përket moshës, dendësia kockore arrin kulmin rreth moshës 25 vjeç, për të filluar pastaj uljen pas moshës 35 vjeç.
Arsyeja pse gratë janë më të rrezikuara nga osteoporoza, krahasuar me burrat, është e lidhur drejtpërdrejt me hormonin estrogjen, i cili ndihmon fuqishëm në ruajtjen e densitetit kockor te femrat. Në periudhën e menopauzës e më pas, niveli i estrogjenit bie dhe respektivisht, ulet densiteti kockor me rreth 4 për qind në vit në dhjetë vitet e para të postmenopauzës. Faktorë të tjerë për rrezikun e osteoporozës përfshijnë duhanpirjen, mungesën e aktivitetit fizik, dieta e varfër në kalcium, ushqyerja e dobët, si edhe përdorimi i alkoolit. Ndër sëmundjet që favorizojnë osteoporozën përmenden të jenë: hyperparatidoidizmi (prodhimi i shtuar i hormoneve të paratiroides), çrregullimet e traktit tretës, apo edhe medikamente si kimioterapia dhe preparatet kortizonike.
Testet për vendosjen e saktë të diagnozës
Osteoporoza shpesh diagnostikohet kur pacienti pëson ndonjë frakturë (thyerje kockore) nëpërmjet një ekzaminimi të thjeshtë radiologjik (radiografia kockore). Një ekzaminim më i saktë është përcaktimi i masës se dendësisë kockore, i cili bëhet me një aparat specifik dhe interpretohet nga mjeku specialist. Të gjitha grave që hyjnë në periudhën e menopauzës, si edhe ato mbi 65 vjeç u rekomandohen matje të rregullta të densitetit kockor. Ndërkohë që edhe grupmoshat më të reja nuk duhet të neglizhojnë kryerjen e këtyre testeve, kjo me qëllim për të zbuluar sa më herët rrezikun e kësaj sëmundjeje, kohë në të cilën trajtimi mund të jetë edhe më efikas.

Kujdesi që duhet të ndjekim
- Osteoporoza nuk ka shërim. Trajtimi i saj përfshin ndalimin e mëtejshëm të uljes së densitetit kockor. Çelësi i osteoporozës është parandalimi pra, profilaksia.
- Rolin kryesor në parandalimin e osteoporozës luajnë ushtrimet fizike, të cilat ndihmojnë dhe përmirësojnë fuqinë e muskujve për të ruajtur ekuilibrin. Për llojin dhe kohëzgjatjen e ushtrimeve fizike duhet të konsultoheni me mjekun specialist, i cili në varësi të gjendjes tuaj mjekësore bën përcaktimin e tyre. Disa lloje të ushtrimit ekstrem, të tilla si: maratonat e vrapimit nuk mund të rekomandohen për pacientët që vuajnë nga osteoporoza.
- Pirja e duhanit në pacientët me osteoporozë mund të përshpejtojë përparimin e sëmundjes. Duhani gjithashtu ul nivelet e estrogjenit në gjak te gratë, gjë e cila mund të çojë në menopauzë të hershme dhe rrjedhimisht në ulje të mëtejshme dhe në ulje të densitetit kockor. Prandaj ndalimi i duhanit është një faktor i rëndësishëm profilaktik për osteoporozën.
- Efekti i alkoolit dhe i kafeinës mbi osteoporozën ende nuk është i qartë. Megjithatë, ka të dhëna se ato luajnë një rol negativ. Në këtë mënyrë do të ishte e rekomandueshme mosabuzimi me këto substanca.
- Që kockat të ruhen të forta dhe të shëndetshme duhet që ato të fiksojnë elementin kimik kalcium. Nevojat ditore për kalciumin tek të rriturit shkojnë 1000, deri në 1300 mg në ditë. Burime të mira të kalciumit përfshijnë produktet e qumështit, perimet (lakra, brokoli, spinaqi), frutat (në mënyrë të veçantë portokalli), si edhe drithërat. Gratë në periudhën postmenopauzale mund të kenë nevojë për më shumë kalcium (deri në 1500 mg në ditë). Po kaq duhet të marrin edhe gratë shtatëzana, si edhe ato që ushqejnë fëmijët me gji.
- Që kalciumi të fiksohet në kocka organizmi ka nevojë për vitaminën D. Kjo vitaminë u jepet fëmijëve që në vitin e parë të jetës, të cilët kanë nevojë për 400-600 IU në ditë. Ndërsa të rriturit, kanë nevojë për 800 IU në ditë. Burime të mira të vitaminës D janë rrezet e diellit, produktet e detit (në mënyrë të veçantë salmoni dhe karkalecat), mëlçia e viçit, veza, produktet e qumështit, portokalli dhe drithërat. Në rastin e grave që janë në menopauze, mund të lindë nevoja dhe për terapi hormonale për të zëvendësuar hormonin estrogjen, por kjo duhet bërë nën mbikëqyrjen e plotë të mjekut specialist për shkak të efekteve anësore që kanë këto preparate.
/DITA
