Testet, si të zbulojmë herët sëmundjen kronike të veshkave?

J L

Sëmundja kronike e veshkave është një sëmundje e zakonshme dhe e dëmshme, e cila prek rreth 10 për qind të popullatës. Mungesa e shenjave të dukshme që në stadet më të hershme, fatkeqësisht ka bërë që pacientët të cilët vuajnë nga ndërlikimet kronike të veshkave të diagnostikohen në stadet më të rënduara, çka ka çuar në rritjen e vdekshmërisë së shkaktuar prej tyre. Kjo situatë është rënduar edhe më tepër gjatë dy viteve të fundit si shkak i pandemisë ku kujdesi në kryerjen e kontrolleve rutinë ka qenë edhe më i ulët.

Duke vlerësuar rrezikshmërinë që paraqet dëmtimi kronik i veshkave, dje “Në Ditën Botërore të Veshkave autoritetet e shëndetit publik apeluan për kujdes të shtuar ndaj diagnostikimit të hershëm të kësaj sëmundjeje. Sipas tyre në mbarë botën 1 në 10 të rritur vuajnë prej saj dhe nëse nuk trajtohet mund të jetë vdekjeprurëse. “Vdekshmëria e lidhur me sëmundjen e veshkave vazhdon të rritet çdo vit. Por nëse zbulohen herët, sëmundjet kronike të veshkave mund të trajtohen duke zvogëluar komplikacionet e tjera dhe reduktuar në mënyrë drastike barrën e vdekjeve dhe paaftësinë nga sëmundjet kronike të veshkave dhe ato kardiovaskulare në mbarë botën”, sqarojnë autoritetet e Institutit të Shëndetit Publik.

Kategoritë e rrezikuara

Sëmundjet kronike të veshkave prekin këdo, por më të rrezikuarit janë: personat mbi 50 vjeç, pacientët që vuajnë nga diabeti, ata që kanë tension të lartë të gjaku, personat me një histori familjare të sëmundjeve të veshkave, pacientët që vuajnë nga sëmundjet kardiovaskulare, obezët, si dhe duhanpirësit. “Sëmundja e veshkave është më e zhvilluar tek njerëzit obezë duke përfshirë edhe ata që janë me diabet dhe hipertension. Obeziteti mund të çojë në sëmundjen kronike të veshkave indirekt duke rritur 2 tipet e diabetit, hipertensionin dhe sëmundjen e zemrës, dhe gjithashtu duke shkaktuar direkt dëme në veshka përmes rritjes së punës së veshkave dhe mekanizmave të tjerë. Reduktimi i obezitetit mund të na kursejë ose të zvogëlojë progresin e zhvillimit të sëmundjes kronike të veshkave”, bëjnë me dije ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik.

Si t’i zbulojmë herët?

Fillimet e hershme të sëmundjes kronike të veshkave nuk kanë shenja të dukshme që të kuptohet se jeni duke zhvilluar këtë sëmundje. Mund të ndodhë që individët mund të humbin deri në 90 për qind të funksionit të veshkës pa pasur asnjë shenjë të dukshme. Por, pavarësisht kësaj rrezikshmërie të lartë që paraqet dëmtimi i heshtur i funksionit të veshkave, nëpërmjet kontrolleve rutinë dhe disa testeve të thjeshta, mund të zbulohen herët problemet me veshkat. Mjafton kryerja e një analize urine për të parë praninë e proteinave në urinë dhe një test gjaku për të matur dhe mësuar nivelin e kreatininës në gjak. Ndërkohë që shenjat e avancimit të sëmundjeve kronike të veshkave janë: këmbë të ënjtura, lodhje, vështirësi në përqendrim, ulje oreksi dhe urinë me shkumë. Me konstatimin e këtyre shenjave ju duhet të kërkoni menjëherë ndihmën e specializuar mjekësore.

Ka disa mënyra për të zvogëluar rrezikun e zhvillimit të sëmundjes së veshkave. Sipas autoriteteve të shëndetit publik, krahas kontrolleve periodike tek mjeku, rreziku për zhvillimin e sëmundjes kronike të veshkave mund të reduktohet nëse tregoni kujdes në stilin e përditshëm të jetesës, ku rekomandohet që të kryeni aktivitet fizik, të mbani nën kontroll nivelin e glukozës në gjak, të mbani nën vëzhgim të rregull tensionin arterial, të konsumoni sa më shumë lëngje të shëndetshme, të reduktoni mbipeshën, si dhe të kontrolloni funksionin e veshkave tuaja nëse keni një ose më shumë faktorë risku, si: diabet, hipertension arterial, jeni obezë, apo keni histori familjare të zhvillimit të sëmundjes (prindërit apo familjarë të afërt).

Disa masa për të reduktuar rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve të veshkave:

  • Qëndroni në formë dhe bëhuni aktivë.
  • Mbani nën kontroll nivelin e glukozës në gjak.
  • Monitoroni tensionin arterial.
  • Ushqehuni shëndetshëm dhe mbani nën kontroll peshën tuaj.
  • Konsumoni lëngje të shëndetshme.
  • Mos pini duhan.
  • Kontrolloni funksionin e veshkave tuaja nëse keni një ose më shumë faktorë risku si diabet, hipertension arterial, jeni obezë, apo keni histori familjare të zhvillimit të sëmundjes (prindërit apo familjarë të afërt).

 Sëmundja kronike e veshkave tek fëmijët

Sëmundja e veshkave mund të ndikojë te fëmijët në mënyra të ndryshme, duke filluar nga çrregullimet e lehta pa pasoja afatgjata në shëndet deri në çrregullime të cilat janë të rrezikshme për shëndetin e fëmijëve. Sëmundja akute e veshkave zhvillohet papritur, zgjat një kohë të shkurtër dhe mund të jetë serioze me pasoja afatgjata ose mund të zhduket plotësisht pas trajtimit. Sëmundjet kronike të veshkave nuk kalojnë pa trajtim dhe kanë tendencë të përkeqësohen me kalimin e kohës nëse nuk trajtohen, çojnë në mosfunksionim të veshkave deri dhe në nevojën për një transplant të tyre. Sëmundja e veshkave te fëmijët mund të shkaktohet nga: defektet e lindjes, sëmundjet e trashëguara, infeksionet, sindroma nefrotike, trauma, bllokimi ose refluksi i urinës.

Nga lindja deri në moshën 4 vjeç, shkaqet kryesore të mosfunksionimit të veshkave janë defektet në lindje dhe sëmundjet e trashëguara. Midis moshës 5 deri 14 vjeç, mosfunksionimi i veshkave shkaktohet më shumë nga sëmundjet e trashëguara, sindroma nefrotike dhe sëmundjet sistemike. Midis moshës 15 deri 19 vjeç, sëmundjet që prekin glomerulat janë shkaku kryesor i mosfunksionimit të veshkave. Sëmundja e veshkave te fëmijët diagnostikohet nëpërmjet një vizite nga doktori, historia mjekësore e tij, si dhe nga simptomat dhe shenjat që ka fëmija. Për të konfirmuar diagnozën kryhen edhe disa analiza të tjera si: analiza të urinës dhe gjakut, biopsi të veshkës etj. Megjithatë, trajtimi i sëmundjes së veshkave te fëmijët do të varet nga shkaku i sëmundjes dhe fëmija duhet dërguar te specialisti.

Parandalimi tek fëmijët

Për fëmijët me sëmundje kronike të veshkave ushqyerja është shumë e rëndësishme pasi ushqimi mund të ndikojë në funksionimin e veshkave të tyre. Prindërit të cilët kanë fëmijë që vuajnë me sëmundje kronike të veshkave, duhet të konsultohen gjithmonë me doktorin përpara se të bëjnë një ndryshim në ushqyerjen e fëmijës. Për të qenë të shëndetshëm, fëmijët që kanë sëmundje kronike të veshkave, në dietën e tyre të përditshme duhet të kenë kujdes disa elementë, si: proteinat, natriumin, kaliumin, fosforin,  lëngjet.

Proteinat. Fëmijët që kanë sëmundje kronike të veshkave duhet të marrin proteina në sasitë e nevojshme për rritjen, pasi marrja e tepërt e tyre do ta avancojë sëmundjen deri në mosfunksionim të veshkave. Ushqimet që përmbajnë proteina janë: vezët, qumështi, djathi, pula, peshku, mishi i kuq, bishtajoret, kosi etj.

Natriumi. Sasia e natriumit që fëmijët kanë nevojë varet nga faza e sëmundjes së veshkës, mosha e tyre, dhe ndonjëherë edhe faktorë të tjerë. Ushqimet të cilat përmbajnë sasi të mëdha natriumi janë: ushqimet e konservuara, disa ushqime të ngrira, ushqimet e përpunuara, patatet e skuqura etj.

Kaliumi. Te fëmijët që kanë sëmundje kronike të veshkave, kaliumi duhet të mbahet në nivele normale, pasi më pak ose më shumë kalium në organizmin e tyre mund të shkaktojë probleme në zemër dhe muskuj. Fëmijët nuk duhet të konsumojnë disa fruta apo zarzavate, ose duhet të pakësojnë vaktet dhe porcionet e ushqimit në mënyrë që mos të marrin kalium më shumë seç duhet. Frutat dhe zarzavatet që kanë pak kalium janë: molla, boronica, luleshtrydhet, lakra, lulelakra, brokoli, etj. Frutat dhe zarzavatet të cilat kanë shumë kalium janë: portokalli, pjepri, kajsia, banania, patatja, domatja, spinaqi i gatuar etj.

Fosfori. Fëmijët që kanë sëmundje kronike të veshkave duhet të ruajnë nivelin e fosforit në gjak, pasi nivele të larta të fosforit çojnë në thithjen e kalciumit nga kockat duke i bërë ato të dobëta dhe lehtësisht të thyeshme. Gjithashtu, nivele të larta të fosforit në gjak mund të japin kruarje të lëkurës dhe skuqje të syve. Fosfori gjendet në ushqimet me shumë proteina. Ushqimet që kanë nivele të ulëta të fosforit janë: bishtajat, kokoshkat, mishi i papërpunuar, orizi, drithërat, e bardha e vezës etj.

Lëngjet. Në fillimet e sëmundjes kronike veshka e fëmijës mund të prodhojë shumë ose pak urinë, e cila mund të çojë në dehidrim ose në ënjtje. Me përparimin e sëmundjes mund të nevojitet që fëmijët të pakësojnë nivelin e lëngjeve të marra. Sasia e likideve që fëmija duhet të marrë duhet të përcaktohet nga doktori specialist.

Share This Article
2 Comments
  • ASNJE TEST! ASNJE VAKSINE!

    Mjekesia zyrtare duhet reformuar (hedhur ne koshe te plehrave) se ajo ka vetem dy opsione: operacione me pasoja afatgjata te demshme dhe pilula helmuese. Gjithashtu ajo ka teste te demshme.

    • …Lum si Ti…, qe i paske si veshket ne rregull e po qa edhe Melcine…,, por vetem nga te vrima e te ndenjures na vuake pak si teper…: pirdhke pa hesap…,,, pavaresisht zhurmave vetiake – qe zotrote na dukesh se qenke mesuar – tek e fundit zhurmat e Tua seriale…,, jane shenje e shendetit ekselent qe disponoke…

      Edhe Qako-ja kete gje do te na TheshTee neve…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *