Testimi, 702 mësuesit që garojnë për arsimin fillor

Ornela

Qindra mësues të profilit arsim fillor do të kalojnë në testim përgjatë javës së ardhshme, rezultatet e të cilit janë vendimtare për të siguruar një nga vendet e lira të punës në shkollat publike të arsimit parauniversitar në vend. Për pesë ditë me radhë, 702 mësuesit që janë kualifikuar për të vijuar fazën e dytë të konkurimit për punësimet nëpërmjet portalit “Mësues për Shqipërinë 2020”, do t’i nënshtrohen testit të informatizuar në ambientet e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit.

Kjo qendër ka shpallur tashmë kalendarin me datat dhe oraret e testimit  për secilin kandidat që është pjesë e listës së detajuar në vijim të shkrimit. Provimet do të zhvillohen me tre turne për secilën ditë. Kështu, mësuesit duhet të tregohen të kujdesshëm dhe të paraqiten në ambientet e QSHA-së për të zhvilluar testin vetëm në datën dhe orarin e përcaktuar specifikisht për të. Në të kundërt e humbasin të drejtën për të vijuar më tej garën e punësimit përgjatë këtij viti. Krahas këtij kushti, mësuesit duhet të bëjnë kujdes edhe me zbatimin e rregullave të paraqitjes në provim, si dhe materialeve që duhet të kenë me vete në ditën e testimit.

Konkretisht, gjatë paraqitjes në provim, kandidati duhet të zbatojë këto rregulla: “Të paraqitet pranë QSHA-së i pajisur me mjetet mbrojtëse, maskë dhe doreza plastike, të zbatojë ruajtjen e distancës fizike 1,5-2 metër me kandidatët e tjerë, të ketë me vete vetëm dokumentet e kërkuara dhe mjetin e identifikimit, të ketë me vete stilolaps për nënshkrimin e deklaratës dhe rezultatit të testimit, si dhe të mos ketë me vete celularë, çanta dhe sende të tjera personale, të panevojshme në zhvillimin e testimit.

Në kuadër të situatës së krijuar nga pandemia Covid-19 dhe në vijim të masave parandaluese të përhapjes së tij, nëpërmjet urdhrave të publikuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, testimet do të zhvillohen duke zbatuar me përpikëri rregullat higjienës dhe distancimit fizik.

Edhe për këtë profil, testi me alternativa do të jetë i strukturuar në dy pjesë. Pjesa e parë që përmban pyetjet në njohjen e dokumenteve zyrtare që kanë të bëjnë me veprimtarinë e mësuesve, njohjen e programeve lëndore përkatëse, metodologjinë e mësimdhënies dhe të të nxënit, në përgjithësi dhe të lëndës, etikën dhe komunikimin e mësuesit në institucionin arsimor, aspekte të drejtshkrimit të gjuhës shqipe. Ndërsa pjesa e dytë do të ketë në përmbajtje pjesën shkencore të lëndës për profilin e arsimit fillor.

Vlerësimi i mësuesve do të bëhet automatikisht nga sistemi kompjuterik, duke mundësuar njohjen me rezultatin menjëherë në përfundim të provimit. Sipas skemës së përcaktuar më herët, “Teza e testimit të informatizuar përmban 50 pyetje, përgjigjet e sakta të të cilave vlerësohen maksimalisht me 80 pikë”.  Ndërkohë që më herët janë zbardhur edhe pikët që secili kandidat ka siguruar në fazën e parë të konkurimit me dosje.

Renditja e kandidatëve të cilët kanë përfunduar të dy fazat e konkurimit fillon me kandidatin që ka më shumë pikë dhe vijon me rend zbritës për çdo profil dhe zyrë vendore. Kandidati që në renditjen e përgjithshme ka më shumë pikë ka të drejtën e zgjedhjes së vendit të lirë të punës dhe është i detyruar të konfirmojë edhe vendin e punës ZVAP brenda 24 orëve nëpërmjet adresës elektronike. Në rast të moskonfirmimit nga kandidati ky pozicion pune i ofrohet kandidatit të listuar një rend më poshtë. Kandidatët nuk mund të refuzojnë më shumë se tri vende pune të lira, në tri njoftime të njëpasnjëshme të komisionit. Në rast se kjo ndodh mësuesi hiqet nga lista e renditjes, duke i lënë vendin e përzgjedhjes një tjetër kandidati.

KLIKO per te pare listen me emra

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *