Testimi për rritjen e pagës, mësuesit me master s’kanë pikë bonus

anazapta

Ekspertët e Ministrisë së Arsimit zbardhin të tjera detaje që do të aplikohen për provimet e kualifikimit të mësuesisë, i cili do të zhvillohet më 27 prill. Mësuesit që do të kalojnë me sukses këtë provim do të mund të përfitojnë edhe rritjen e pagës, e cila varion nga 5 në 10 dhe 20 për qind, sipas vjetërisë së punës që secili aplikues ka në këtë profesion.

Drejtoresha e Arsimit Profesional në Ministrinë e Arsimit, Dorina Rapti, bën me dije se mësuesit do të hyjnë të barabartë në sfidën e kualifikimit. Çka do të thotë se masteri nuk do të jetë më një kriter i vlerësimit me pikë plus për një kategori të caktuar arsimtarësh që do regjistrohen për të dhënë këtë provim.

Kështu, për provimet e këtij vitit nuk do të ketë bonuse për ata që kanë një master. “Të gjithë do ta përfitojnë rritjen në bazë të përvojës dhe kualifikimit. Në kualifikimin e mësuesve nuk ka lidhje masteri. Nëse mësuesit janë në sistemin e një Drejtorie Arsimore, do të thotë se ata janë në arsimin përkatës për t’u futur në kualifikim. Pra, nuk duhet të ngatërrojmë pjesën e mësuesve që kanë mbaruar master me këtë lloj kualifikimi”, deklaron Rapti.

Marrja e rezultateve negative në këtë provim nuk rrezikon vendet e punës për arsimtarët, por u heq të drejtën për të përfituar rritjen e pagës sipas niveleve të përcaktuara. Rritja e pagës sipas autoriteteve të arsimit varet nga vjetërsia në punë. Kategoritë që kanë rreth 20 vite pune, nëse kalojnë me sukses provimin e kualifikimit marrin titullin “mjeshtër” për herë të parë dhe përfitojnë deri në 20 për qind rritje të pagës.

“Të gjithë mësuesit që  kanë plotësuar kriteret e vjetërsisë së punës siç  janë kriteri i kategorisë mësues i kualifikuar që  është me 5 vjet vjetërsi pune, kategoria tjetër që është mësuesi specialist me 10 vjet vjetërsi pune dhe kategoria e fundit që është dhe më e larta, është mësuesi mjeshtër me 20 vjet punë. Nëse kanë plotësuar këto kritere, mësuesi do përfshihet në procedurat e kualifikimit”, detajon më tej Rapti.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *