Testimi sipas numrit të dosjes, datat për farmacistët e rinj

Ornela

Testi i aftësimit praktik për të gjithë farmacistët e rinj që do të garojnë në fund të vitit për lejen e ushtrimit të profesionit do të zhvillohet në mes të muajit tetor.

Në këto kushte, të gjithë kandidatët që kanë shlyer detyrimet e ndjekjes së praktikës profesionale me mbikëqyrje në rrjetet e farmacive publike dhe private në vend, duhet të paraqiten pranë Urdhrit Profesional të Farmacistit për të bërë konfirmimin e hyrjes në testin e aftësimit praktik. Rezultatet pozitive të këtij provimi janë vendimtare për të konkuruar për licencat e reja profesionale në këtë profil mjekësor.

Datat e testimit sipas numrit të dosjes

Drejtuesit e Urdhrit të Farmacistit bëjnë me dije se afati i fundit i dorëzimit të dosjeve dhe i regjistrimit për provimin e vlerësimit të aftësimit praktik do jetë data 9 tetor. Për praktikantët që i nënshtrohen provimit në mënyrë të përsëritur, kërkohet që po brenda kësaj date të dorëzojnë pranë strukturave përgjegjëse të Urdhrit kërkesën e hyrjes në testim, si dhe mandatin e pagesës. Lidhur me datat kur farmacistët e rinj duhet të paraqiten për të zhvilluar testin praktik sqarohet se: “Provimi do të organizohet në ambientet e Urdhrit të Farmacistit në datat 14-18 tetor sipas ndarjes së përcaktuar për secilin kandidat”.

Çdo praktikant që i nënshtrohet këtij testimi duhet të paraqitet në ambientet e këtij institucioni në orën 8:00 , teksa duhet të ketë detyrimisht me vete kartën e identitetit. Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuar datat se kur çdo kandidat (i identifikuar sipas numrit të dosjes së regjistrimit) duhet të paraqitet për të zhvilluar provimin para komisionit të ekspertëve të kësaj fushe. Kandidatët që nuk paraqiten në datat e përcaktuara duhet të presin sezonet e vitit të ardhshëm për të ridhënë këtë provim.

Çka do të thotë se nuk mund të garojnë në mbyllje të vitit për të fituar licencën profesionale, e cila i hap udhë punësimit të tyre në rrjetin farmaceutik publik, apo privat në vend. Sa i takon provimit, autoritetet e Urdhrit sqarojnë se në faqen online të këtij institucioni gjenden të detajuara edhe pyetjet orientuese që çdo kandidat duhet të përgatisë për testin e aftësimit praktik.

Gara e fundvitit për licencat e reja

Të gjithë kandidatët që do të kalojnë me sukses testin e afatësimit praktik kanë të drejtë të vijojnë më tej me procedurat e konkurimit për licencat profesionale, provimet e të cilit do të zhvillohen përgjatë muajve nëntor-dhjetor. Për të hyrë në provimin e shtetit për licencën të gjithë këta kandidatë duhet të ndjekin procedurat e regjistrimit sipas afateve të përcaktuara. Sipas afateve të konfirmuara tashmë, regjistrimi i kandidatëve për provimin e shtetit të sezonit nëntor-dhjetor do kryhet nga data 21-22 tetor pranë zyrave të UFSH  në kryeqytet.

Për regjistrimin, kandidatët që aplikojnë për herë të parë në këtë sezon duhet që të dorëzojnë: “Formular aplikimi, dokument identifikimi, fotokopje të noterizuar të diplomës universitare dhe listës së notave, fotokopje të noterizuar të suplementit të diplomës, dëshmi e pjesëmarrjes në praktikën profesionale (lëshuar nga UFSH në momentin e kalimit me sukses të provimit të aftësimit praktik), dëshmi e kursit të ndihmës së shpejtë (lëshuar nga Kryqi Kuq Shqiptar), raport mjeko ligjor, Dëshmi penaliteti, Vërtetim nga prokuroria e rrethit qe nuk është në ndjekje penale, mandat pagesën e hyrjes në provim, si dhe dy fotografi.

Ndërsa kandidatët që janë përsëritës të këtij provimi duhet që të dorëzojnë: “Formular aplikimi, fotokopjen e diplomës universitare, fotokopjen e kartës së identitetit, raportin mjeko-ligjor, dëshmi penaliteti, vërtetim nga prokuroria e rrethit që nuk është për ndjekje penale. mandat pagesën e përsëritjes së provimit, si dhe dy fotografi. Autoritetet e urdhrit sqarojnë që dosja e regjistrimit të jetë e vlefshme duhet të dini që raporti mjeko-ligjor, vërtetimi nga prokuroria dhe dëshmia e penalitetit duhet të jenë të lëshuara gjatë tre muajve të fundit.

Kandidatët  për t’u regjistruar duhet të paraqesin detyrimisht dëshminë e penalitetit, lëshuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Ndërsa kandidatët që janë diplomuar në ish Universitetin “Kristal” duhet të paraqesin vërtetimin e vlefshmërisë së diplomës, lëshuar nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Kandidatët që do të vlerësohen në testimin e informatizuar me alternativa me më pak se 50 pikë, nuk do të pajisen me licencën profilit në të cilën aplikojnë, pasi rezultojnë mbetës. Me marrjen e licencës, këta profesionistë të shëndetit do mund të aplikojnë për të fituar një kontratë pune, si në strukturat publike, ashtu dhe në ato private.

Testi i aftësimit praktik do zhvillohet në këto data:

  • Në datën 14 tetor do të zhvillohet provimi për praktikantët me numër dosje 3017-3056.
  • Në datën 15 tetor do të zhvillohet provimi për praktikantët me numër dosje 3057-3096.
  • Në datën 16 tetor do të zhvillohet provimi për praktikantët me numër dosje 3097- 3136.
  • Në datën 17 tetor do të zhvillohet provimi për praktikantët me numër dosje 3137- 3175
  • Ndërsa në datën 18 tetor do të zhvillohet provimi për praktikantët me numër dosje 3176 -3185, si dhe praktikantët e tjerë që e kanë kryer praktikën në periudha të mëparshme.
  • Praktikantët që i nënshtrohen provimit të aftësimit praktik, duhet të paraqiten në orën 8:00 në ditën e provimit si dhe duhet të kenë me vete kartën e identitetit.

Në dosjen e dokumenteve që duhen për hyrjen në provimin e shtetit duhet të përfshini:

  • Formular aplikimi.
  • Fotokopje e kartës së identitetit.
  • Fotokopje e noterizuar e diplomës universitare dhe listës së notave.
  • Fotokopje e noterizuar e suplementit të diplomës.
  • Dëshmi e pjesëmarrjes në praktikën profesionale ( lëshuar nga UFSH në momentin e kalimit me sukses të provimit të VAP).
  • Dëshmi e kursit të ndihmës së shpejtë ( lëshuar nga Kryqi Kuq Shqiptar).
  • Raport mjeko ligjor.
  • Dëshmi penaliteti.
  • Vërtetim nga prokuroria e rrethit qe nuk është në ndjekje penale.
  • Mandat pagesa në llogari të QSHA-së.
  • 2 ( dy ) fotografi ( format pasaporte).

Ja sa do kushtojë testi për licencat e reja profesionale:

  • Tarifa për kandidatët që e japin për herë të parë provimin e shtetit në këtë sezon është 10,000 lekë.
  • Tarifa për kandidatët që e japin për herë të dytë provimin e shtetit është 12,500 lekë.
  • Tarifa për kandidatët që e japin për herë të tretë provimin e shtetit është 15,000 lekë.
  • Tarifa për kandidatët që e japin për herë të katërt provimin e shtetit është 17,500 lekë.
  • Tarifa për kandidatët që e japin për herë të pestë provimin e shtetit është 20,000 lekë.
  • Tarifa për ata që e japin për herë të gjashtë, e më shumë, provimin e shtetit është 25,000 lekë.
Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *