Një vajzë e mitur, e pazotë për t’u mbrojtur pasi është tetraplegjike, rezulton të jetë 4 muajshe shtatzënë si pasojë e një përdhunimi të dyshuar. Denoncimi është bërë nga familjarët që konstatuan se 17-vjeçarja shfaqte shqetësime serioze shëndeti dhe pas vizitës tek mjeku mësuan se ishte në muajin e katërt të shtatëzanisë. Menjëherë është depozituar denoncimi në policinë e Fierit dhe është ngritur grupi hetimor bashkë me Prokurorinë, me akuzën “marrëdhënie seksuale ose me persona të pa zotë për t’u mbrojtur” dhe po punohet për të zbuluar autorin e ngjarjes, nëse është i afërm, i njohur apo banor i zonës, që ka përfituar kur nëna e të miturës nuk ndodhej në shtëpi në ato momente.
Ngjarja
Vetë vajza ka dhënë shpjegime me aq sa ka mundur për ngjarjen dhe autorin, pasi është me aftësi të kufizuara. Policia tha se e mitura është nga fshati Lapulec i Mallakastrës. Prokuroria ka kërkuar që të merren në pyetje të gjithë familjarët dhe të afërmit, fqinjët dhe të njohurit në fshat. Gjithashtu nga analizat e fetusit në barkun e vajzës pritet të zbulohet nëpërmjet grupit të gjakut dhe ADN-së se cili është babai i fëmijës. Familjarët zbuluan të vërtetën vetëm pas vizitës në maternitet, ndërsa mësohet se ata emigronin shpesh në Greqi për motive ekonomike dhe kur janë kthyer konstatuan ngjarjen.
Hetimet
Mësohet se 17-vjeçarja është e paaftë për të folur, përveçse me pamundësi të tjera fizike dhe kjo ka vështirësuar së tepërmi zbulimin e autorit dhe ngjarjes. Për më tepër që vajza ka edhe probleme të tjera pasi lëviz me karrige me rrota dhe autori ka abuzuar me të në mënyrë të tmerrshme. Drejtuesit e Spitalit të Fierit nga ana tjetër kanë marrë vendimin për ndërhyrje me qëllim heqjen e fetusit, pasi vajza e ka të pamundur ta sjellë në jetë me kushtet fizike dhe shëndetësore në të cilat ndodhet. Mësohet gjithashtu se e mitura jeton dhe ka kujdes herë pas here me nënën dhe vëllanë e saj 15 vjeç, kurse pjesa tjetër e familjes ka emigruar në Greqi. Për këtë rast policia dhe prokuroria ka nisur hetimet. Sipas mjekut specialist, Robert Luto, zhvillimi i shtatzanisë në trupin e tetraplegjikes do të ishte i pamundur dhe fatal për shëndetin e 17-vjeçares.
