Teuta Hoxha: Kartelat mjekësore të Enver Hoxhës u deklasifikuan 50 vjet para kohe

redaktor

Kjo është intervista e parë që ju jepni për një televizion, pasi me aq sa di unë nuk keni dhënë intervista televizive?

Ju gazetarët shihni vetëm intervistat  e pas 91, por unë kam dhënë intervistë në televizionin shqiptar gjatë atyre viteve menjëherë pasi unë botova librin për Ismail Qemalin, dhe fola mbi aktivitetin e tij. Me pas kam dhënë intervista edhe kur kam punuar në Muzeum, në Trashëgiminë Kulturore.

 

Ju thatë që një nga punët tuaja është edhe libri mbi Ismail Qemalin, por kur kam kërkuar librin tuaj nuk e kam gjetur, ndërkohë që shumë historianë e studiues më kanë dhënë vlerësime për atë libër?

Në fakt është e vërtetë ajo që thatë ju, por unë modestisht mendova se për 100 vjetorin e pavarësisë do të s’kishte shumë botime apo prurje të reja, apo studime dhe mendova që pas 30 vjetësh që libri kishte parë dritën e botimit, mbase do të ishte i tepërt. Por ndodhi ajo që thatë ju, qenë libri është kërkuar dhe kjo ishte një kënaqësi për mua, pasi kur ai i qëndron kohës do të thotë se është një vepër arrirë dhe se është bërë një punë serioze.

 

Në cilat arkiva keni studiuar për këtë libër, vetëm në Shqipëri?

Sapo mbarova shkollën për histori-arkivistikë u caktova në arkivin në shtetit dhe puna e parë që mu caktuar ishte të hulumtoja dokumente mbi jetën e Ismail Qemalit për të bërë një botim. Të them të drejtën e kur ma ngarkuan këtë punë, e prita më kënaqësi pa dyshim por edhe më një farë droje sepse ishte një punë e rëndëishme. Punën e nisa në arkivat e Arkivit të shtetit dhe jo vetëm në fondin e Ismail Qemalit apo që kishin lidhje me shpalljen e pavarësisë por edhe në dokumentet që mund të cilësoheshin si dytësorë. Pasi mbarova hulumtimin në arkivin e shtetit vijova në arkivin e instituti të historisë, që ka një arkiv shumë të pasur dhe më pas në bibliotekën kombëtare ku punoja me shtypin periodik të kohës. Pasi bëra gjithë këtë grumbullim dhe seleksionim të materialeve vura re që kishin një mangësi ëprsa i përket periudhës së Ismail Qemalit kur ishte shtetar i Perandorisë Osmane, ndaj kjo dobësonte veprën sepse nuk e jepte të plotë jetën e Ismail Qemalit. Me një kërkesë të bërë nga Arkivi i Shtetit në ministrinë e Jashtme Turke, në 1981 e cila u pranua mundësonte që të hulumtoja edhe ën arkivat e Stambollit. Ndaj bashkë me një shoqen time një arkiviste të vjetër, Eleni Duka që ishte dhe osmanologe shkuam në Stamboll dhe ajo kërkoi në arkivin e ministrisë dokumente në osmanishte, ndërsa unë në ministri të jashtme kërkova për dokumente bnë frëngjisht dhe më pas shkuam në bibliotekën e Stambollit ku gjetëm dokumente që janë botuar në libër dhe që për mua mbeten dokumentet më të rëndësishme. Unë nuk kam parë dokumente të tjera që asaj periudhe që të jenë marrë nga arkivat turke. Ato janë shumë të pasura dhe është mbetet në dorën e historianëve për të hulumtuar.

Cilat kanë qenë reagimet që keni marrë pas publikimit të librit?

Libri në atë kohë u prit shumë mirë dhe për mua ishte një kënaqësi e shumë e madhe dhe që mora përgëzime. E para që mora përgëzime nga Enver hoxha që për mua ishte shumë e rëndësishme për vetë faktin se ai më kishte ndjekur hap pas hapi gjatë punës sime. Ashtu siç u gëzua kur mori vesh që më kishin ngarkuar me këtë punë dhe më tha se kjo ishte një punë shume nderuar dhe se duhet të punoja me shumë përkushtim, por edhe në vijimësi të punës ai më ndoqi. Libri ishte një ndër temat e bisedës mes meje dhe atij.

A kishte njohuri për figurën e ismail Qemalit, Enver Hoxha?

Ai jo vetëm që kishte njohuri, por figurën e tij e vlerësonte e quante arkitekt të shpalljes së pavarësisë dhe diplomat të rangut evropian. Enver Hoxha gjithmonë kur fliste për Ismail Qemalin, nuk thoshte rëndom ashtu sic themi ne tani Isamil Qemali, por Plaku i Vlorës, ose Plaku Isamil Qemali, gjithmonë si për t’i dhënë peshë figuës së tij. Enver Hoxha kishte edhe një lidhje shpirtërore me atë kohë sepse xhaxhai i tij kishte qene pjesëmarrës i delegatëve të pavarësisë.

Nuk ishte firmtar?

Jo sepse ai arriti me vonesë për shkak të kushteve të kohës, por në atë fotografi është e njohur tashmë, Hysen Hoxha ishte shumë pranë Ismail qemalit dhe kjo tregon se ai ka qenë një figurë e lidhur me aktivitetin patriotik.

Një historian turk, Nexhip Alpian shkruan për Ismail Qemalin se ditëlindja e tij nuk është 24 janari, por 16 tetori. Duke qenë se ishte në një ditë me atë të Enver Hoxhës, a mendoni se ajo muind të jetë fshirë edhe pse në atë kohë nuk shkruhej fare data?

Absolutisht që unë nga të gjitha ato kërkime që kam bërë nuk më ka dalë asgjëkundi data e 16 tetorit. E së dyti kjo që thoni ju se ka lidhje me ditëlindjen e Enver Hoxhës unë nuk shoh asnjë lidhje. Nëse do të ishte në 16 do të kishte mbetur aty. Këto dy figura politike nuk i bëjnë hije njëri tjetirt sepse të dy kanë vlerat e tyre. Ismail Qemali si një arkitekt i pavarësisë ndërsa Enver hoxha si një udhëheqës i Luftës Nacional Çlirimtare dhe më pas ndërtimi i socializmit, që pavarësisht si konceptohet sot.

 

Ju keni punuar për shumë kohë si specialiste në arkivë, një pozicion jo prestigjioz. Si ka mundësi që një pjesëtare e familjes Hoxha kishte një detyrë kaq të thjeshtë?

Punova për rreth 8 vjet dhe nuk isha as specialiste e arkivës, por punonjëse e thjeshtë, pavarësisht detyrës që mora. Nuk kam pasur pretendime për të zgjedhur, ishte krejt normale dhe kjo për mua ashtu siç gjithë të tjerët.

Ju keni bërë disa deklarata publike që janë diskutuar dhe njëra prej tyre ka qenë edhe ajo e ditarëve të Enver Hoxhës. A mund të na e shpjegoni këtë çështje?

Bëhet fjalë për 130 ditare, ose blloqe kalendarike.

A bëhet fjalë për 130 blloqe që ai mbante shënime, apo ditarë më vetë?

Jo për ditare sic janë me datat përkatëse. Ndër to 100 ishin tamam  ditarë kurse 30 ishin kujtimet e tij. Këto u dorëzuan pas vdekjes së Enver Hoxhës, në shkurt të vitit 1986, në arkivin e Komitetit Qendror që ishte në atë kohë nga vetë Nexhmije Hoxha. Dorëzimi është bërë në bazë të procesverbaleve dhe më pas në ngjarjet e 91 i gjithë arkivi i Komitetit u dorëzua në Arkivin e Shtetit. Ne kemi pasur gjithnjë mendimin se këto dokumente do të ishin në Arkivin e shtetit. Para disa kohësh kur doli libri i Blendi Fevziut “Biografi për Enver Hoxhën” unë shkova në arkivin e shtetit dhe kërkova origjinalin e këtyre ditarëve. Ata mu përgjigjen që nuk ekzistojnë këto ditare në arkiv, ndërkohë që ane kishim procesverbalet e dorëzimit të këtyre ditarëve.

Sot nuk ekziston asnjë?

Asnjë prej këtyre 130 ditarëve nuk ekziston.

Cila është përgjigjia që ju keni marrë?

Përveç përgjigjes që këto ditarë nuk ekzistojnë në arkivin e shtetit, ne u detyruam të bënim një kallëzim në prokurori, sepse ajo është një organ hetimor dhe të japë një përgjigje se ku janë këto ditare. Në prokurori kemi çuar edhe procesverbalet, por si përfundim prokuroria e mbylli çështjen pasi pyeti në arkivin e shtetit dhe mori përgjigjen se ato ditarë nuk ndodhen aty.

Çfarë duhet të bënte prokuroria sipas jush?

Duhet të hetonte, sepse sot janë ende gjallë njerëzit që i kanë marrë në dorëzim ato ditare në 1986.

Përse e lidhni këtë me librin e Blendi Fevziut?

Jo nuk ka aspak lidhje, ai ishte thjesht ngacmimi për ti kërkuar. Sepse është folur në media që kemi hedhur Blendi Fevziun e gjyq e të tjera si këto, por nuk është aspak e vërtetë.

Përse keni qenë aq kritike ndaj atij libri, znj.Hoxha?

Kam qenë kritike sepse ai libër që në titull ishte një mashtrim për opinionin publik, sepse titulli është biografi i mbështetur mbi dokumente origjinale, dhe madje të pabotuara ndonjëherë. Së pari nuk mund të thuash biografi e mbështetur mbi dokumente, sepse ajo detyrimisht duhet të jetë e mbështetur mbi dokumente. Biografia është paraqitja e jetës së një njeriu në tërësi, në këtë rast e Enver Hoxhës, por ajo ishte një biografi ku autori kishte marrë vetëm disa momente nga e Enver Hoxhës, pra vetëm ato që interesonin. Përveç kësaj në këtë biografi autori ka shfrytëzuar vetëm 25 dokumente pasi i kam numëruar.  Libri është i ngritur më shumë në dëshmitë gojore në disa personave që sigurisht kanë qenë kundërshtarë të Enver Hoxhës. Nëse kërkon të bësh një biografi atëherë duhet të marrësh edhe persona që mbështetin Enver Hoxhën dhe më pas si studiues bën balancën dhe del me një mendim tëndin. Edhe nëse shihje fotografitë e zgjedhura për botim në fund të librit, sheh tendencën e tij për të diskredituar Enver Hoxhën, në pesë foto e nxjerr me rrobe banje dhe tre si plaku i vitit të ri në një festë familjare.  Problemi qëndron tek cilësimi si një biografi, sepse nëse ai do të bënte një libër që do të titullonte “Mendimi i Blendi Fevziut për Enver Hoxhën” atëherë as nuk do të më interesonte fare. Biografia në vetvete është një botim serioz, shkencor dhe i mbështetur mbi dokumente.

Zonja Hoxha, kalojmë tek çështja e bibliotekës së Enver Hoxhës, si ishte ajo? Ndërkohë që ju hidhni sërish akuza për zhdukjen e saj.

Biblioteka e Enver Hoxhës mund të them që ishte biblioteka personale më e pasur dhe më me shumë libra, Ajo ka pasur rreth 25 mije kopje librash. Ai ishte jo vetëm një lexues i kualifikuar por kishte edhe kujtesë të jashtëzakonshme. Pjesa më e madhe e mureve të shtëpisë ishin biblioteka, dhe vetia e tij për kujtesë të fortë, bënte që ti mbante mend të gjithë librat ku i kishte vënë.

Ku janë këto libra sot?

Në 91 kur ne u larguam nga shtëpia, Nexhmija vendosi që bibliotekën ta linte ashtu siç ishte, sepse ajo mendonte se biblioteka ishte një pasuri kombëtare. Por ajo bibliotekë mund të them u vodhe dhe tani gjenden vetëm 2700 kopje të cilat u dërguan në Bibliotekën Kombëtare dhe nuk janë ruajtur ai biblioteka e Enver Hoxhës, por e kanë shpërndarë në gjithë fondin e bibliotekës si libra të zakonshme.

Çfarë librash kishte në atë bibliotekë?

Aty kishte libra shumë të mirë dhe kryesisht ajo kishte libra në frëngjisht, pasi Enveri e zotëronte shumë mirë atë gjuhë. Përmbajtja e saj ishte e ndryshme nga të gjitha fushave, kishte një larmi të madhe librash dhe i kishte të gjitha të zgjedhura vetë. P.sh Ismail Kadare kur erdhi për të parë bibliotekën e tij pas vdekjes e Enver Hoxhës është habitur.

Përse shkuan deri në atë pikë marrëdhëniet me Ismail Kadarenë, pas debatit në lidhje me dorëshkrimin e librit të Dimri i Madh?

Ismail Kadare nuk e kishte kërkuar këtë dorëshkrim prej vitesh dhe Nexhmije Hoxha e ka mbajtur në ato kushte të mira këtë dorëshkrim se bashku me dokumentet e Enver Hoxhës. AI nuk e kishte kërkuar dhe papritur hap një çështje gjyqësore, për përkatësinë dorëshkrimit, që nuk i takonte Enver Hoxhës, por atij.

Megjithatë Ismail Kadare është një ndër krenaritë tona kombëtare, duke qene shkrimtari numër një…

Unë nuk thasë që jo, ai është një shkrimtar i madh dhe pse ishte i tillë ne e ruajtëm atë dorëshkrim për vite.

Znj. Hoxha, kur e keni takuar Enver Hoxhë për herë të parë?

E kam takuar kur kam qenë fëmijë. Unë jam dhe mbesa e Ramiz Alisë dhe për vetë marrëdhëniet afërta që kishte babai im me xhaxhain, Ramizin, ne pushimet e verës i kalonim bashkë në Durrës dhe aty kam parë për herë të parë Enver Hoxhën. Më kujtohet gjithnjë i veshur elegant me kostum të bardhë madje si fëmijë që isha më bënin çudi edhe këpucët e bardha që ai vishte, dhe shumë herë e kemi takuar në ato kohë, por nuk mbaj mend ndonjë bisedë me të. Ky ishte edhe ambienti ku unë njoha me Ilirin ndaj dhe për këtë nuk di të them me saktësi se kur jemi njohur.

Si ka qenë marrëdhënia juaj në familjen e Enver Hoxhës, si funksiononte familja Hoxha? Sepse atje ishte dhe djali tjetër me nusen e tij si dhe vajza e Enver Hoxhës me familjen. Si jetonit së bashku në një shtëpi edhe pse mesa unë di kishit apartamente të ndara.

Kjo ishte edhe një ndër arsyet që Enver Hoxha shtoi një pjesë në vilë, edhe pse nëse sheh në ditarët e tij ai shkruan se fëmijët kur të martohen do të dalin në shtëpi më vete. Por pikërisht në atë kohë kur ne ishim në prag të fejesës, dhe të tre çiftet jemi fejuar pothuajse në një kohë, atëherë nisën edhe problemet e tij me shëndetin e sidomos me zemrën. Aty ai kuptoi se do të ishte i pafuqishëm për ti ndjekur familjet e fëmijëve. Ne jetonim të gjithë të bashkë, por shtëpia ishte e ndërtuar në atë mënyrë që çdo çift kishte apartamentin e tij. Jeta bëhej e përbashkët, çdo darkë hanim të gjithë  familja bashkë, në dielave edhe në drekë dhe festat i kalonim bashkë.

Si ishte marrëdhënia juaj personale me Enver Hoxhën, a kishit ju mundësi të bisedonit gjatë më të?

NË familje ti harroje që Enver Hoxha ishte udhëheqësi, sepse ishte shumë i dashur dhe i afruar, kishte një komunikim të jashtëzakonshëm. me të mund të bëje biseda, unë bisedoja me të për librin e Ismail Qemalit, por ai në shtëpi nuk bisedonte çështje që ishin të punës.

Asnjëherë nuk ju ka rënë rasti të bisedoni çështje që i përkisnin shtetit?

Absolutisht nuk bëhet fjalë, të bisedohej për çështje të rëndësishme shtetërore madje edhe vetë Nexhmie Hoxha vetë ka raste kur dalin çështje dhe ne e pyesim ndonjëherë, ajo thotë që nuk di asgjë. Ajo thotë se Enveri nuk ka folur asnjëherë më të përsa i përket çështjeve të ministrisë së mbrojtjes, të brendshme dhe të jashtme. Enverit i vinin në atë kohë radiograme nga ministria e jashtë dhe ai jo vetëm që i lexonte vetë, por edhe i digjte vetë e këto nuk ia linte askujt, vetëm sepse i quante ato si sekrete shtetërore.

Një pjesë e rëndësishme e personave nuk e besojnë këtë, madje ato thonë që pas sëmundjes së Enver Hoxhës, Nexhmie Hoxha ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në punët shtetërore dhe partisë të asaj kohe.

Këto janë fjalë pazari dhe koha do ti shoshitë këto gjëra.

Cilat kanë qenë marrëdhëniet tuaja me vjehrrën tuaj në atë kohë, dhe si janë ato tani pasi ju jetoni bashkë?

Unë e quaj fat që kam jetuar në një çati me Nexhmie Hoxhën, sepse ajo është një grua e jashtëzakonshme në plot kuptimin e fjalës. Përveç meritave të saj gjatë luftës e më tutje, por edhe në aspektin njerëzor ajo është një grua mjaft e kulturuar. Është gjithmonë e preokupuar për familjen dhe është një fat dhe ke çfarë të mësosh nga ajo grua.

Ju asnjëherë nuk keni pasur kontradikta me të?

Jo asnjëherë dhe thuhet se kur je mire edhe marrëdhëniet janë të tilla, por edhe në kohë të vështira p.sh kur Nexhmia ishte në burg. E në fakt ajo bëri gjithë ato vite burg duke u dënuar me 11 vite e në një moshë të shkuar dhe unë jam ajo që e kam ndjekur në burgun e saj. Më pas ishte edhe burgu i Ilirit dhe kështu u bënë të dy familjarët në burg dhe ajo ishte një kohë shumë e vështirë e për të mos folur edhe xhaxhain në burg. Por këto vështirësi ndonjëherë të lidhin edhe më shumë.

Çfarë ishin për ju Ramiz Alia dhe Enver Hoxha, dy figurat më të rëndësishme të asaj kohe?

ME xhaxhain unë kam pasur marrëdhënie shumë të veçanta dhe jam rritur në shtëpinë ed tij, sepse edhe dy vëllezërit kanë pasur një marrëdhënie të ngushte mes tyre. Unë jam krenare për të dyja familjet, si nga babai ashtu edhe nga im shoq. Padiskutim që nuk mund të bëj krahasime, pasi Enver Hoxha ishte tjetër. Por gjeja që më ka bërë më shumë përshtypje të xhaxhai im ishte zemra e tij e madhe, ai falte. Ishte një njeri i zgjuar, me ideale dhe që i ruante idealet e tij. Një vlerë e madhe e tij është fakti i ndryshimit të sistemit që u bë pa u derdhur gjak. Ju shikoni që ndodh një demostratë, një rotacion pushteti nga një  parti në tjetrën dhe ka të vrarë për të mos folur më pas për 97. Kurse ajo ishte një ndryshim sistemi dhe kaloi paqësisht.

A duhet bënte Ramiz Alia reformat në një mënyrë tjetër dhe më të shpejtë?

Në një farë mase diçka filloi sepse në vendet e tjera të lindjes sistemi tashmë ishte ndërruar dhe po i vinte rradha edhe Shqipërisë. Por ai ishte gjithmonë që ishte me idenë që gjerat të bëheshin sa më lehtë dhe pa trauma për shoqërinë shqiptare. Ndaj ai aq pati mundësi dhe aq bëri mendoj unë.

Megjithatë pas 90 një pjesë e opinionit e di se marrëdhëniet e familjes Hoxha me Ramiz Alinë nuk kanë qenë te qeta, madje shpesh herë thuhet se një çështjet si rrëzimi i bustit apo arrestimi i Nexhmie Hoxhës kanë krijuar një hon të madh?

Jo hon të madh jo, janë fjalë të mëdha këto, nuk pasur këto prishje marrëdhëniesh. Pas 90 Nexhmie Hoxha hyri në burg, pas saj vetë Ramizi hyri në burg pastaj ishin ngjarjet e 97, e më pas largimi i Ramiz Alisë jashtë vendit tek fëmijët e tij. Pra ishte vetë koha që solli këtë distancim nga këto dy persona.

Gjithmonë kanë shkuar mirë Ramiz Alia dhe Nexhmie Hoxha pas 90?

Natyrisht që kanë shkuar mirë, por nuk kanë qenë ato marrëdhëniet e afërta sic kane qenë para 91. Kane qenë takime të rastësishme, një telefonatë apo urim.

A shpejtoi vdekja e Mehmet Shehut, vdekjen e Enver Hoxhës?

Unë nuk di të them tani në e shpejtoi si vdekje, por di të them këtë se Enver Hoxha e ndjeu jashtëzakonisht shumë këtë ngjarje. I krijoi një shqetësim një angazhim me të madh ën punë dhe kuptohet që të gjitha këto natyrisht i rënduar shëndetit të tij.

JU jeni studiuesi i historisë, a jeni marrë me studime me jetën e Enver Hoxhës dhe aktivitetit të tij politik?

Jo unë me jetën e Enver Hoxhës jam marrë këto kohët e fundit dhe të dy bashkë me Ilirin kemi bërë dy botime për Enver Hoxhën. Njëri ka qenë përmbledhja e kujtimeve të tij i dalë me rastin e 100 vjetori të lindjes së tij dhe tjetra për botimet mbi Kosovën.

A vizitonit të huaj Muzeun Kombëtar gjatë kohës që ju ishin nëndrejtoreshë e tij?

Atëherë kishte turistë dhe këtu flas për kohën që unë kam qenë aty pra nga 1986-1990. Të gjitha delegacionet që vinin në Shqipëri një vizitë e programuar ishte edhe muzeu kombëtar.

Kush ishin këta personalitete?

Kishte nga fusha të ndryshme edhe nga arti. Një takim që unë kujtoj dhe më ka lenë mbresë ka qenë ai me kompozitorin e madh grek Mikis Teodorakis, ose p.sh aktori Bud Spencer.

Në cilin vit ka qenë Bud Spencer në Tiranë?

Duhet të ketë qenë rreth vitit 1989.

Ju përmendët marrëdhënien e Enver Hoxhës me Kosovën, madje shumë historianë kanë publikuar disa teza si ajo që Enver Hoxha e shiti Kosovën. Ju si i komentoni këto deklarata?

Ajo që e shiti Kosovën është e papranueshme, pasi të shesësh diçka do të thotë ta kesh pronën tënde. Enver Hoxha nuk kishte ku ta gjente Kosovën, kur kufijtë ishin të përcaktuara. AI që në fillimet e luftës Kosovën e ka pasur një nga preokupimet e tij kryesore dhe të partisë komuniste, deri në dërgimin e divizioneve për çlirimin e Kosovës. Më pas ai ka bërë përpjekje të mëtejshme por aq sa mund ti lejohej. Enver Hoxha arrit, dhe këtë e kam të dëgjuar nga Nexhmie Hoxha, që të hiqte dorë nga posti i kryeministrit dhe ministrit të jashtëm dhe të bëhej vetëm sekretar i parë, vetëm për Kosovën. Sepse nëse ai do të kishte ato dy poste qeveritare nuk do të mund të mbronte Kosovën sepse quhej ndërhyrje në punët e brendshme të Jugosllavisë.

E çfarë arriti Enver Hoxha me këtë?

Ai mundi të mbronte Kosovën me aq sa mundi. Por, p.sh për demonstrata t e ’81 ai nuk ishte në dijeni dhe këtu ngrihet një pikëpyetje të madhe, sesi sigurimi dhe ministria e brendshme nuk dinte asgjë. Ai ka qenë me pushime në Vlorë, dhe informacioni erdhi nga pedagogët që shkonin aty për të dhënë meësim. Ai kthehet urgjentisht në Tiranë dhe fillojnë publikimet e shkrimeve në ZP, disa me emrin e Enver Hoxhës, disa të ideuara nga ai që mbrojtën çështjen e Kosovës. Por mbrojtja që i bënte në atë kohë Shqipëria, ishte edhe për ta bërë problemin   të njohur ndërkombëtarisht.

Një media e huaj publikoi një lajm se Enver Hoxha kishte në plan të sulmonte Jugosllavinë. Ju jeni në dijeni të këtij fakti?

Lajmin e lexova por nuk mund të flas për këto gjëra, sepse sot shumica e gjërave që thuhen janë vetëm në bazë të fjalëve, por një ditë do të hapen arkivat.

Kur do të hapen, duke qenë se mund të njihni dhe ligjin?

Atë nuk e di, por megjithatë një pjesë e arkivave shqiptare janë të hapura, sepse unë kam konstatuar edhe shkelje të ligjit. Është hapur fondi personal i Enver Hoxhës, p.sh ato që kishte përdorur Blendi Fevziu janë ditari personal i Enver Hoxhës kur në ligj thuhet se fondet personale hapen pas 50 deri në 150 vjet nga dorëzimi i dokumenteve në arkiv, madje dhe kur hapen duhet të jenë me lejen e trashëgimtarëve. Por thonë se fondine  Enver Hoxhës e kanë deklasifikuar, pra që e kanë bërë të hapur për të gjithë, madje edhe kartelat mjekësore.

Si ka qenë vitet tuaja pas rrëzimit të sistemit komunist?

Kur ndodhen ndryshimet dhe protestat e fol që do digjet blloku, pra pas rënies së monumentit më kujtohet që blloku u rrethua nga njerëzit, ndërsa ne ishim në shtëpi. Pavarësisht se ishte garda që mbronte bllokun , Nexhmia mori tre fëmijët e saj dhe i tha që të largoheshin dhe i dha urdhër komandantit të gardës “Nuk dua që në shtëpinë e Enver Hoxhës të ndodhë shkëmbim zjarri. Shtëpia le të digjet, por unë nuk dua që të derdhet gjak në derën e shtëpisë së Enver Hoxhës”.

Çndodhi pas kësaj kërkese të Nexhmie Hoxhës?

Ne u larguam dhe kemi jetuar ëpr disa muaj në shtëpinë e prindërve të mi, më pas në një shtëpi tjetër dhe në fundin e 93 shkuam në shtëpinë ku jetojmë edhe sot.

A kishit frikë gjatë asaj kohe që ndodhnin ato protesta në Tiranë?

Gjithnjë turmat kanë rrezik, sepse situata mund ët dilte jashtë nga kontrollit, por ne u larguam nga shtëpia

Ditën e rrëzimit të bustit a keni qëndruar në vilë?

PO kemi qenë aty.

A nuk kishit frikë?

Jo, sepse situatat erdhën aq menjëherë sa të vinte çudi që si njerëzit mund të ngriheshin dhe të protestonin, kur para një muaji situata ishte shumë e qetë.

Ju e kuptoni që po rrëzohej sistemi komunist?

Natyrisht që kur filluan ato protesta edhe ne e kuptuam që ishte kërkesa për ndryshimin e sistemit komunist.

Si ka qenë jeta juaj, si keni jetuar ju pas 90, pasi persona mendojnë se  ju jeni një familje e pasur dhe keni biznese?

E kemi dëgjuar dhe ne këtë, madje në 92-93 çdo biznes që hapej thuhej si ishte i djalit të Enver Hoxhës.

Sa të pasur jeni ju?

Si është pjesa më e madhe e shqiptarëve. Mbase ju mund të jenë më i pasur se unë. Në këto vite ne kemi pasur vështirësi, pasi puna ime ishte e lidhur me institucionet pra që duhej të punoje në arkiv të shtetit dhe ato vite ishte e pamundur që unë nusja e djalit të Enver Hoxhës të merresha në punë. Unë më pas hapa një biznes të vogël me një shoqen time, një atelie të vogël vetëm për të mos mbetur pa punë. Ndërsa Iliri në profesion është inxhinier mekanik me titull profesor doktor, e megjithatë edhe ai u mundua të në profesionin e tij të bënte diçka si konsulent inxhinier mekanik. Ilir krijoi edhe një marrëdhënie të mirë me Kinën.

Si i krijoi edhe për shkak të marrëdhënieve të mëparshme që kishim pasur?

Diçka vinte edhe nga ajo, sepse në Kinë ruhej një mendim shumë i mirë për Enver Hoxhën dhe Shqipërinë socialiste.

Znj. Hoxha , a keni ndërmend të futeni në politikë, ju apo bashkëshorti juaj?

Jo, Enver Hoxha nëse e sheh u dha profesione fëmijëve që nuk kanë lidhje me politikën duke i bërë djemtë inxhinierë dhe vajzën arkitekte.

Në 100 vjetorin e shtetit shqiptar, u bënë rivlerësime të disa figurave historike. Sipas jush ku ishte figura e Enver Hoxhës në këtë kuadër?

Figura e tij në këto festime zyrtare nuk ekzistonte askund dhe 50 vjet ishin të fshira nga historia.

E ku duhet ta vendosnin sipas jush?

Lufta Nacional Çlirimtare është një pjesë shumë e rëndësishme dhe kontributi i tij gjithashtu. Por edhe ndërtimi i socializmit është mjaft i rëndësishme sepse ka arritje të jashtëzakonshme, si p.sh zhdukja e analfabetizmit, u hapën shkolla në të gjithë vendin, ngritja e universiteteve dhe akademia e shkencave, bujqësia, etj,

Por ato të kundërtat, pushkatimet dhe janë vrarë 6 mijë persona për bindje politike…

Pa u hapur dosjet, dhe nuk e kam fjalën për ato dosje që flitet sot, por duke qenë se unë kam punuar me dokumente e di rëndësinë e tij, dhe ato përmbajnë të vërtetat.

Si ju duken këto 23 vjet të demokracisë shqiptare?

Natyrisht që ka ndryshime dhe arritje dhe çdo shoqëri ka zhvillim, por ne kemi mbetur në fazën e tranzicionit dhe nuk po arrijmë demokracinë e vërtetë.

Për këtë votoni ju në përgjithësi?

Për të majtën sigurisht.

Tek e majta ja disa parti komuniste, a votoni për ato?

Po ka disa xhepa… por nuk ka rëndësi për  ke votojmë ne. Sigurisht që kemi marrëdhënie me partinë komuniste, jo se jemi anëtarë, apo siç doli në shtyp që Iliri ka formuar një parti, këto nuk janë të vërteta, por ne ata njerëz i njohim dhe kemi një marrëdhënie njerëzore me ta.

A ka familja juaj ndonjë peng?     Jo.

Channel One

Share This Article
3 Comments
  • KJO INTERVISTE SHUME SERIOZE DHE E PASUR NR IDERA ,TREGON ME SE MIRI QE DIFERENCA SHUME E MADHE EGZISTUESE MIDIS 2 NUSEVE TE DJEMVE TE ENVERIT.KISHA DEGJUAR VETEM ATE TE SOKOLIT POR MU KRIJUA BINDJA QE AJO E SOKOLIT PASKA QENE NJE LARASKE NE SHTEPIN E E. HOXHES.NJE NDRYSHIM ESENCIAL KU NJERZORJA MBIZOTRON MBI ATE TE URREJTJES.E CUDITESHME SA E THELLE ESHTE MOSMIRNJOHJA TEK ATA QEMARRIN POSTE ME TE PA DREJTE NGA PERFITIMET E ETERVE APO TE NJERZVE TE FAMILJES.KUR ISHTE ME POST NE ATSH,TREGOJNE PER NJE FEMER TE LIG KAPRICIOZE ME SHUME VESE .NDERSA KJO TREGON HIJESHI MODESTE DHE SHUME FISNIKE.
    ELAMI

  • I kam ndjekur me shume interes intervistat e Teutes ne rubriken “Ngjarje dhe Data” qe transmetoheshin nag TVSH mbi ngjarjet e Pavaresise se Shqiperise dhe rolin e Ismail Qemal Beut ne udhen drejt shpalljes se Pavaresise. Kam patur rastin te bisedoj me kete zonje fisnike, te thjeshte e te mencur rreth temave te ndryshme historike te pasqyruara ne stendat e Muzeut Kombetar dhe ruaj mendimin se tek ajo grua nderthureshin natyrshem bukuria e lindur fizike me bukurine e shpirtit te saj te çilter. Faleminderit Teuta!

  • Teuta te pergezoj per dinjitetin dhe urtesine tende. Me vjen keq per zhdukjen e bibliotekes dhe dokumentacionit. Kam pershtypjen qe ditaret e Enverit i ka marre Saliu per te mesuar nga ai por meqenese nuk e arrin dot, shkaterron ato qe beri “babai” i tij i adhururar. Lutem qe pasi te perjetoje deshtimin dhe mosarritjen e qellimit per te qene si ai, nuk i djeg ato materiale me vlere historike.

    Te uroj shendet, te lutem shkruaj te verteten e perjetuar. Dikur do lexohet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *