Teuta – Laçi do të jetë sfida hapëse e javës së 17-të, e cila do të zhvillohet sot në orën 14:00. Pavarësisht se shorti ka vendosur që kjo sfidë duhet të luhet në “Niko Dovana”, në bazë të marrëveshjes së arritur në fazën e parë, dy klubet në bashkëpunim me FSHF kanë vendosur që sfida të luhet në Laç.
Teuta e Gugash Magnit vjen pas dy humbjeve radhazi, teksa në 3 sfidat e fundit ka marrë vetëm një pikë. Suksesi i fundit i “Djemve të detit” është në transfertën pukjane me rezultatin minimal 0-1, ndërkohë që në 270 minuta lojë kanë shënuar vetëm një gol, atë ndaj Bylis në “Adush Muça”. Për durrsakët rikthehet në dispozicion sulmuesi Artur Magani që mungoi ndaj Skënderbeut për arsye kartonësh.
Një moment negativ po kalon edhe skuadra e Laçit, që në klasifikim nuk është në pozitat që pritej. Në dy javët e fundit kurbinasit kanë marrë vetëm një pikë, në shtëpi ndaj Kukësit. Për Armando Cungun ka lajme të mira nga infermieria, pasi rikthehen me grupin Cetkovic e Zefi, që gjithsesi mund të nisin sfidën nga stoli.
Në fazën e parë skuadrat u ndanë në barazim 2-2, me 4 golat e realizuar në pjesën e dytë të takimit. Fitorja e fundit e Laçit është më 17 prill të këtij viti me rezultatin minimal 1-0 me gol të Arjan Shetës, ndërsa suksesi i fundit i Teutës është më 26 tetor të 2013 me rezultatin 2-1 me gola të Mancakut dhe Muriqit.
