Teuta është mbretëresha e merkatos së janarit, me përforcime të shumta, duke i dhënë një organikë të fortë në dispozicion trajnerit Roberto Sorrentino. Janë plot nëntë lojtarë që janë ofruar te skuadra bregdetare, nga Shqipëria dhe vende të tjera. Tre lojtarë kanë ardhur nga Lugano, ish-skuadra e sulmuesit kuqezi Armando Sadiku. Portieri 22-vjeçar Pajtim Badalli, vëllai i tij mbrojtës, Durimi, dhe mesfushori 23-vjeçar Behar Berisha janë lojtarët që vijnë nga Lugano, por nga futbolli zviceran vjen edhe një lojtar tjetër. Është një rikthim në futbollin shqiptar, Eni Imami, i cili ka luajtur me Dinamon, duke pasur tashmë përvojë në kampionatin shqiptar, pasi ka fituar edhe një titull me blutë, para se të transferohej në Zvicër, verën e fundit. Nga Italia ka ardhur Luka Moskatielo, 23 vjeç, i cili disa vite më parë ka luajtur me kombëtaren e kaltër të moshës nën 16 vjeç. Përforcimet e mesfushës vazhdojnë me Idriz Bathën, i huazuar nga Besa, si dhe Muhamed Mambuje Malik. Ndryshimet në organikë kanë prekur edhe sulmin, me dy afrime të reja. Njëri është Amadou Samb, 25 vjeç, i cili ka qenë te disa skuadra italiane, më e njohura Kievo Verona dhe fundit Lumexane. Sulmuesi i dytë është Aleksandar Bezmareviç, për të cilin nuk ka ende të dhëna. Në këtë mënyrë, të paktën nga ana sasiore, Teuta është përforcuar në çdo repart dhe mbetet të shihet se cili do të jenë ndikimi i tyre në rezultatet e “djemve të detit”.
Përforcimet e Teutës
Portier
Pajtim Badalli
Mbrojtës
Durim Badalli
Mesfushorë
Eni Imami
Behar Berisha
Luka Moskatielo
Idriz Batha
Muhamed Mambuje Malik
Sulmues
Amadou Samb
Aleksandar Bezmareviç
