Teuta në rënie të lirë, rrezikohet mbijetesa

redaktor

Teuta e Durrësit shënoi një rekord negativ në këtë sezon në transfertë me Apoloninë. “Djemtë e Detit” pësuan humbjen e gjashtë radhazi në kampionat, ecuri kjo që i bën kandidatë potenciale për të rënë nga kategorie. Suksesi i fundit në Superiore i durrsakëve është ai me Vllazninë më 31 janar, në sfidën e shtëpisë me Vllazninë që përfundoi me rezultatin 2-1. Që nga ajo ndeshje durrsakët kanë pësuar 6 humbje të njëpasnjëshme, që e vënë në rrezik serioz mbijetesën në elitën e futbollit shqiptar.

Rënia e lire nisi me disfatën 1-0 me Elbasanin, vijoi me rezultatet negative me Laçin, Partizanin, Skënderbeun dhe Kukësin, për të kulmuar me humbjen e fundit në “Loni Papuçiu” me Apoloninë. Në këto 6 ndeshje negative, ndër të cilat 2 në “Niko Dovana”, Teuta ka pësuar në total 14 gola dhe ka shënuar 5. Gjatë muajve të parë të 2015, Teuta ka pësuar në total 8 takime, ndër të cilat ka arritur të fitojë vetëm një herë, pikërisht në takimin e “Niko Dovanës” me Vllazninë.

Ndryshimet gjatë pauzës së janarit nuk sollën impakt pozitiv, përkundrazi shpeshherë “Djemtë e Detit” janë lënë në baltë nga ata elementë, që u afruan në skuadër falë eksperiencës që kishin në elitën e futbollit shqiptar. Situata e Teutës mund të komplikohet edhe më shumë në përfundim të javës së 27-të, pasi në fundjavë formacioni i Gentian Begejës do të presë Tiranën në “Niko Dovana”, ndërsa Apolonia pretendon të marrë pikë në transfertë me Laçin, pas 7 pikëve të grumbulluara në 3 ndeshjet e fundit.

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *