Teuta: Nuk mjaftohem me pak

redaktor

Nuk është vetëm e bukur, por edhe e suksesshme. Aktorja kosovare Teuta Krasniqi, e cila së fundi është zgjedhur anëtare e Ansamblit Rezident të Teatrit Kombëtar të Kosovës në këtë intervistë ka folur për dashurinë që ka për teatrin, filmin por edhe projektet tjera që kanë të bëjnë me këtë fushë. Sipas saj, aktorëve që jetojnë në Kosovë, përpos talentit iu duhet edhe pak fat. Ndërkaq, për rolin e saj në filmin e metrazhit të gjatë “Engjëjt janë larg” me regjisor Gjergj Xhuvani që premierën botërore do ta ketë në shtatorin e këtij viti, është shprehur se e ndjen si një vulë të rëndësishme në zhvillimin e saj si aktore.

Teuta, sapo jeni zgjedhur anëtare e ansamblit rezident të TKK-së, si ndiheni?

Jam e lumtur që tashmë jam pjesë e ansamblit të TKK-së. Unë që 13 vite jam pjesë e Teatrit Kombëtar me shfaqje të ndryshme, por natyrisht që është privilegj të jesh pjesëtare e trupës rezidente të Teatrit.

Megjithatë, teatri nuk është institucioni që të jep famë sikurse ekrani, ju si jeni në ketë raport?

Unë nuk jam bërë aktore vetëm që të bëhem e famshme, profesionin tim e dua dhe e bëj së pari për kënaqësi dhe përmbushjen time si njeri dhe profesioniste. Krahas studimeve për aktrim dhe fillimit të realizimeve të roleve në shfaqje të ndryshme, unë kam qenë pjesë e ekraneve televizive me emisione dhe projekte të ndryshme dhe kjo puna ime dytësore, më ka bërë fytyrë të njohur për publikun. E dua pa masë teatrin, por e dua edhe televizionin, dhe besoj që të dyja reciprokisht i kanë ndihmuar njëra – tjetrës gjatë zhvillimit tim.

Ndalemi përsëri te teatri, sapo është prezantuar premiera e shfaqjes “Gishti”, ku keni pas një rol të rëndësishëm në këtë shfaqje jo të zakonshme, për faktin se teksti ka shpërfaqur dhimbjen e luftës së fundit në Kosovë. Sa ishte përgjegjësi të bartje mbi supe një rrëfim të tillë?

Shfaqja “Gishti” është pritur jashtëzakonisht mirë dhe jam e lumtur për këtë sepse nuk ka qenë aspak proces i lehtë i punës. Regjisori Erson Zymberi, mendoj që ka bërë një punë shumë të mirë duke bërë gjetjen e një koncepti regjisorial të veçantë, i cili i ka ofruar publikut të jetë në një mënyrë edhe vetë ai si pjesë e shfaqjes. Të luash përkrah një aktoreje fenomenale si Irena Cahani, është kënaqësi dhe siguri e madhe. Kemi funksionuar shumë mirë bashkë dhe kemi pas konsideratë te madhe mes vete, kjo besoj që është reflektuar edhe te publiku. Përgjegjësia ka qenë e dyfishuar për ne si aktore për vet faktin që ky tekst është shkruar për një të vërtetë të dhimbshme të vendit tonë, zhdukja e personave gjatë luftës. Përmes këtij teksti dhe koncepti, ne kemi pas për detyrë që përveç lojës sonë të jemi edhe zëri i shumë grave të Kosovës. Zëri i një ngjarjeje që fatkeqësisht ende vazhdon të jetë aktuale. Kjo ka qenë përgjegjësi edhe më e madhe se vet procesi jonë i zakonshëm i punës prej profesionisti, sepse e kemi ndjerë tekstin jashtëzakonisht shumë.

Ju jeni pjesë edhe e filmit artistik të regjisorit Xhuvani, po ashtu me një rrëfim jo të lehtë, cila ishte përvoja në këtë film dhe sa jeni te kënaqur nga ky produksion?

Vazhdoj të ndihem ende shumë e privilegjuar që kam qenë aktorja e përzgjedhur e regjisorit Gjergj Xhuvani për filmin “Engjëjt janë larg”. Përvoja e xhirimeve të këtij filmi do të mbetet vulë në zhvillimin tim prej aktoreje. Unë gjithmonë e kam cekur që filmi është ai që e dua më së shumti dhe gjatë xhirimeve të këtij filmi jam ndjerë që po e kryej njërin nga misionet e mia më të rëndësishëm në jetë. Filmi do ta ketë premierën botërore në shtator dhe besoj shumë thellë që do te ketë sukses në festivale të ndryshme.

20150706154953141Megjithatë këto projekte që u përmenden janë projekte për një publik më të kufizuar në numër që nuk ka qasje publiku sikurse që kanë qasje në televizion. Nëse do të bëje një krahasim mes projekteve televizive dhe atyre në teatër dhe film, cilat janë me sfiduese dhe më të pëlqyeshme për ju?

Filmin e dua me shpirt, teatrin po ashtu dhe njëkohësisht e konsideroj më sfiduesin, ndërsa projektet televizive janë krejtësisht tjetër proces pune, aspak i lehtë por proces konstant, e ky lloj procesi pune të jep mundësi më të mëdha për përmirësime. E rëndësishme është të duash atë që bënë, e unë jam me fat që punoj dhe jetoj nga profesioni im e që njëkohësisht e kam edhe pasion.

Serialet janë më të kapërcyeshme deri te publiku, por nëse flasim për vlerat e tyre, sa mendoni se janë të arrira?

Mendoj që janë shumë të arrira në proporcion me kushtet e ofruara. Në Kosovë ka aktorë shumë të mirë dhe ky është një plus i madh. Nuk mundemi të flasim për vlera dhe t’i përgjithësojmë gjërat, as nuk mund të bëjmë krahasime banale si ndodh shpesh në vendin tonë. Për shembull të krahasohet muzika klasike me pop ose r&b…etj… Thjesht nuk krahasohen, sepse nuk kanë të njëjtin qëllim, as target e as publik. Secila formë e artit e ka qëllimin e vet, publikun e vet, tjetër gjë është kujt i pëlqen kjo ose ajo, atëherë kemi të bëjmë me shije e shija është çështje që nuk diskutohet. Nuk krahasohen lajmet e mbrëmjes me një emision argëtues, sepse nuk kanë natyrë të njëjtë edhe pse të përbashkët e kanë televizionin dhe informimin. Njësoj nuk krahasohet një serial sit-kom, me një dramë në Teatër, sepse as ato nuk kanë të njëjtën natyrë e as zhanër, edhe pse kemi të bëjmë me lojë të aktorëve dhe koncept regjisorial. Mendoj që duhet të vlerësohet secila formë e artit për të tillë siç është e jo të krahasohet me diçka për të cilën nuk ka pas as qëllim të krahasohet.

Ndërkohë ju jeni e angazhuar edhe në moderim, promocion dhe projekte të tjera që lidhen me fushën tuaj, e keni menduar ndonjëherë të dilni jashtë Kosove me projektet tuaja?

Gjatë gjithë këtyre viteve krahas aktrimit dhe televizionit, kam qenë e angazhuar edhe në fushata të ndryshme reklamuese dhe këtë gjë e çmoj shumë për faktin që kur një kompani serioze dëshiron të ketë fushatë reklamuese, i duhet shumë hulumtim dhe analizë që të përzgjedhë fytyrën e cila do ta prezantojë te publiku produktin. Duke u nisur nga kjo, unë ndjehem shumë mirë që për vite me radhë kam qenë fytyra e përzgjedhur e shumë kompanive serioze në vend, për reklamimin e produkteve të ndryshme. Sa i përket depërtimit të suksesit jashtë kufijve, nuk mjafton vetëm të jesh i mirë por duke jetuar në Kosovë, neve na duhet edhe pak fat… Unë shpresoj që përmes filmit të Gjergj Xhuvanit do ta kem një mundësi shumë të mirë ku do të prezantohet puna ime edhe përtej kufijve.

TeutaKrasniqiTeuta, gjithë ky angazhim në botën e artit në një vend të vogël sikur është Kosova dhe vlerësimi jo i kënaqshëm si në vendet e zhvilluara. Sa ia vlen apo sa është e vështirë ta bësh jetën e aktores në këto rrethana?

Për pyetjen sa ja vlen do të them që gjithmonë ia vlen të bësh atë që do, pavarësisht paragjykimeve apo vështirësive. Të bësh një jetë krejt rutinore pa e sfiduar vetën është shumë e lehtë, por unë nuk jam tip i tillë, nuk mjaftohem me pak kërkesa nga vetja. Pas secilit sukses mua vazhdojnë të më rriten kërkesat nga vetja dhe sfidohem edhe më shumë, kështu ndjehem gjallë në kuptimin e plotë të fjalës. Kështu ndjehem se po zhvillohem dhe kështu ndjej se po e arrij vetë realizimin çfarë unë e dëshiroj. Dikush nuk do të mund ta duronte stresin e procesit të punës sime dhe i duket e pakuptimtë çka po flas, por as unë nuk besoj që do të mund të punoja në zyrë dhe të kem një punë rutinore, sepse mendoj që kjo do të zbehte potencialin tim kreativ. Shyqyr që Zoti na ka fal të ndryshëm dhe duke qenë të tillë marrim kuptim të gjithë si një tërësi.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *