Carlos Tevez është padyshim një kampion, një sulmues i klasit botëror, por dhe ai ka pikat e tij të dobëta. Një statistikë interesante për shembull është ajo e rendimentit të “Apashit” në Champions League, që nuk është terreni i preferuar i sulmuesit argjentinas.
Në fakt Carlitos e ka fituar Championsin që në vitin e parë që luajti në kompeticionin luksoz, në sezonin 2007- 2008 me fanellën e Manchester United, por që nga ajo kohë mund të thuhet se marrëdhënia e tij me Championsin ka qenë më shumë se e komplikuar.
Në sezonin ku fitoi Championsin nga pika e bardhë e 11-metërshave përballë Chelseat, Tevez shënoi 5 gola, përfshirë këtu dhe penalltinë e parë kundër Bluve të Londrës, por bilanci i tij në kompeticionin e ëndrrave është 37 ndeshje, 8 gola, shumë pak për një kampion si Tevez që është mësuar të ketë një rendiment impresionues në kampionatet ku ka luajtur.
Ashtu si ai dhe Juventusi ka shumë pengje në kompeticionet europiane pasi në 7 finale të luajtura në Kupën e Kampionëve apo Champions, bardhezinjtë kanë siguruar vetëm dy fitore duke shënuar vetëm 3 gola në të gjitha finalet e luajtura. Një histori që si Juventusi ashtu dhe Tevez duan ta ndryshojnë, hapi i radhës është ai përballë Malmoe, pikërisht ndaj suedezëve Tevez u rikthye te goli në Champions pas një agjërimi prej plot 1988 ditësh, në takimin e luajtur në “Juventus Stadium” shënoi një dygolësh, tani shpreson që të shënojë sërish në transfertë, edhe këtu në fakt i duhet të thyejë një tabu.
Statistika është vërtet interesante, gjatë gjithë karrierës së tij Tevez ka shënuar vetëm një gol në transfertë në Champions, një gol i shënuar 6 vjet më parë kundër Olimpikut të Lionit, që nga ajo kohë kanë kaluar 2470 ditë, periudhë vërtetë e gjatë së cilës “Apashi” synon t’i japë fund këtë të mërkurë, për të ndihmuar Juventusin e tij që të shërohet edhe ajo nga dhimbjet e Championsit.
