Takimi mes Kryeministrit të Kosovës Hashim Thaci dhe atij serb Ivica Dacic ka përfunduar pa asnjë marrëveshje.
Lajmi konfirmohet nga mediat kosovare, të cilat bëjnë me dije se takimi ka përfunduar rreth orës 17:00, ndërkohë që mësohet se nesër do të ketë një takim tjetër mes dy kryeministrave.
Bruksel, nis raundi i pestë Thaçi-Daçiç
Ka nisur takimi mes kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë Ivica Daçiç me ndërmjetësimin e shefes së diplomacisë europiane Kethrin Ashton. Vetë zëdhënësja e Ashton, Maja Koçijançiç konfirmoi nisjen e takimit trepalës pasi Ashton, u takua me dy kryeministrat në takime të ndara.
Ky është raundi i pestë i bisedimeve ndërmjet dy kryeministrave, të cilat kanë për qëllim normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Pas këtij takimi të sotëm raundi i bisedimeve do të vijojë edhe nesër në mëngjes, nëse do të shihet e nevojshme apo nëse palët nuk arrijnë të bien dakord për një marrëveshje.
Zëdhënësja e Ashton, Maja Koçijançiç tha një ditë më parë se këto janë bisedime të vështira ku do të diskutohen tema tepër të rëndësishme, ky natyrisht çështja e veriut dhe strukturave paralele serbe atje janë në qendër të bisedimeve. Sipas analistëve ndërkombëtar ky raund pritet të jetë vendimtar pasi palët mund të bien dakord për një marrëveshje mes tyre.