Thaçi e Daçiç pajtohen “në parim”

redaktor

Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, përfunduan me një “pajtim në parim” bisedimet mbi planin e zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi tha se është arritur nje pajtim i cili duhet të verifikohet nga qeveritë e të dyja vendeve. Ai tha se janë përcaktuar afatet kohore dhe zbatuesit e marrëveshjes për gjashtë muajt e ardhshëm. Ai tha se pajtimi paraqet një angazhim krijues të të dyja palëve.

Një muaj më parë, të dy kryeministrat u akorduan rreth marrëveshjes së parë për normalizimin e marrëdhënieve, por ndonëse ishte planifikuar që deri më 26 prill të ketë një plan për zbatimin e saj, grupet punuese të të dyja palëve dështuan të arrijnë një pajtim. Prandaj, zonja Ashton, që është edhe ndërmjetësuese e bisedimeve, vendosi të ftojë sërish kryeministrat në një takim të ri.

Marrëveshja e arritur me 19 prill u siguron serbëve në komunat veriore përgjegjësi në fushën e policisë dhe gjyqësisë dhe një shkallë të lartë autonomie në shumë fusha tjera.

Marrëveshja është mbështetur nga diplomacia euro perëndimore e cila e sheh atë si një hap të të dyja vendeve drejt integrimeve evropiane.

Komisioni Evropian miratoi propozimin që Serbisë t’i jepet data e fillimit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosovës ajo e negociatave për marrëveshjen e stabilizim asocimit.

Por, vendimi i Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian për këtë çështje që do të merret në fund të muajit qershor, varet nga zbatimi i marrëveshjes në terren.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *