Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Ivica Daçiç pritet të vazhdojnë sot në Bruksel raundin e ri të bisedimeve me ndërmjetësimin e shefes së diplomacisë evropiane, Catherine Ashton.
Zbatimi i marrëveshjeve të deritanishme, diskutimi për organizimin e zgjedhjeve lokale, me theks të veçantë në komunat në veri të Kosovës si dhe formimi i asociacionit të komunave serbe, pritet që të dominojnë axhendën e takimit Thaçi-Daçiç.
Përveç këtyre çështjeve, kryeministrat Thaçi e Daçiç pritet të diskutojnë sërish edhe çështjen e telekomit dhe energjisë, transmeton KP.
Kryeministri Hashim Thaçi ka paralajmëruar se Kosova, për faktin që nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara, mund të merr kodin e vet ndërkombëtar +383 nga një vend evropian i cili do të aplikonte tek Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit – ITU, dhe më pas do t’ia falte këtë kod Kosovës.
Ndërkohë, Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, ka thënë se Thaçi në këtë takim do ta kërkojë përshpejtimin e zbatimit të marrëveshjes së marrëdhënieve me Serbinë.
Në këtë kontekst, Tahiri ka vlerësuar se në këtë fazë është shumë i rëndësishëm angazhimi i BE-së për vlerësimin e dinamikave të zbatimit të marrëveshjes.
Pavarësisht tendencave të Serbisë për ta zvarritur implementimin e marrëveshjes, Tahiri ka deklaruar se procesi i normalizimit mes dy shteteve nuk do të dështojë.
Sipas saj, idetë e Beogradit që serbët e veriut të përfshihen në një “listë të përbashkët zgjedhore”, nuk janë aspak demokratike.
“Thirrjet për lista unike zgjedhore u ngjasojnë kohëve të kaluara dhe sistemeve të kaluara”, ka thënë Tahiri.
