Thaçi: Kurz, alternativa e detyrueshme për funksionimin e dialogut me Serbinë

Dita

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka folur për takimin që kishte ditë më parë me kancelarin Kurz, për marrëdhëniet me Austrinë, perspektivën europiane të Kosovës dhe dialogun me Serbinë.

Në një intervistë për Agjencinë e Lajmeve të Austrisë “APA”, Thaçi e ka vlerësuar rolin e Austrisë si ndërmjetëse në procesin e përafrimit të Kosovës me BE-në, si dhe është shprehur se nga presidenca austriake e BE-së pret që të “ringjallë” zhvillimet në Ballkanin Perëndimor.

Sipas APA-s, Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që ende nuk përfiton nga liria e udhëtimit në BE. Megjithatë, sipas Agjencisë së Lajmeve, pas zbatimit të të gjitha kushteve të Komisionit nga ana e Kosovës, Thaçi është i bindur se kjo do të ndodhë gjatë këtij viti.

Përgjatë kësaj interviste, Thaçi ka thënë se në kuadër të presidencës austriake, Kurz mund të ketë një rëndësi shumë të madhe dhe mund të lërë “gjurmë të thella”. Thaçi ka bërë me dije se një temë qendrore e bisedës me Kurz ka qenë dialogu me Serbinë.

“Unë besoj se Kancelari Kurz mund të japë një thellësi të re për këtë proces”, ka thënë Thaçi.

Sipas tij nuk ka “asnjë alternativë” tjetër për dialogun me Serbinë, pasi takimi që realizoi me Presidentin serb, Aleksandar Vuçiç në samitin e BE-së për Ballkanin Perëndimor në Sofje kaloi pa “entuziazëm”.

“Por të dyja palët janë pajtuar për vazhdimin e dialogut të kryesuar nga shefja e politikës së jashtme të BE, Federica Mogherini, sa më parë që të jetë e mundur dhe për ta sjellë atë në një përfundim ligjërisht të detyrueshëm”, ka theksuar Thaçi për APA-n.

s.a/dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *