Më 2 prill pritet që të arrihet marrëveshje për çështjet e trajtuara deri tani në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që po ndërmjetësohet nga BE-ja.
Këtë e deklaroi kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi në një intervistë për agjencinë e lajmeve INA.
Ai thotë se, pas 2 Prillit, pesë vendet e Bashkimit Evropian (BE) do ta njohin shtetin e Kosovës dhe se do të lehtësohen kushtet dhe rrethanat për në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
“Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, ka qenë me fokus të veçantë dhe presim që më 2 Prill të mbahet takimi vendimtar për arritjen e marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë, Mbasi kjo marrëveshje do t’i hap mundësi të reja shtetit të Kosovës në veçanti për njohjen e saj edhe nga pesë vendet e BE-së, për të lehtësuar kushtet e rrethanat edhe lehtësimin e rrethanave të Republikës së Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara”, deklaroi Thaçi.
Sipas tij, në rast të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, edhe Rusia nuk do të ketë më asnjë argument justifikues, parandalues, për ta penguar Kosovën që të integrohet në OKB.
“Mua më vjen tepër mirë që tash për tash si thashë më lart shumica e vendeve të KS e kanë njohur Kosovën dhe po japin kontributin e tyre në forcimin e shtetit të Kosovës , institucionet e saj. Këto vende ashtu si në mbledhjen e 13 të radhës së Këshillit të Sigurimit, e kanë mbështetur dhe inkurajuar Kosovën në arritjet e saj. Janë vende të cilat bëjnë thirrje për një fqinjësi të mirë, mes Kosovës dhe Serbisë, që unë mendojë se do të krijojë edhe kushte e rrethana të volitshme dhe më të mira për paqe siguri dhe stabilitet”, theksoi Thaçi.
Ai beson se, Serbia do të detyrohet të lëviz drejt fqinjësisë së mirë, dhe do të detyrohet edhe prej bashkësisë ndërkombëtare që të heqë dorë nga retorika, dhe politika e vjetër me Kosovën.
“Deri tani kemi arritur disa marrëveshje që në fakt e legalizojnë gjithë atë përkushtim tonin e në të njëjtën kohë është edhe konfirmim se Serbia gradualisht po e njeh shtetin e Kosovës se po njeh institucionet legjitime e demokratike të Kosovës”, theksoi kryeministri kosovar.
Ai tha se, pala kosovare ka dëshmuar se është në rrugë të mirë dhe të drejtë dhe se ekziston vullneti për arritjen e marrëveshjes me Beogradin zyrtar.
“Dua të potencoi se jo vetëm 2 Prilli që është i rëndësishëm në arritjen e marrëveshjeve , por gjatë këtyre bisedimeve ne kemi arritur 6-7 marrëveshje të tjera. Marrëveshje, që do të thoja nuk kanë ndodhur kurrë më përpara, mes dy shteteve tona. Por, kjo është një vlerësim që do ta kuptojmë të gjithë dhe duhet të angazhohemi të gjithë. Pra, kërkohet një mbështetje si nga faktori i brendshëm por edhe nga ai i jashtëm. Mund të them me përgjegjësi të plot se jemi drejt arritjes së marrëveshjes më dy prill por ende nuk kemi përcaktuar diçka që kemi për ta realizuar.
