Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka uruar 105 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, në rrjetin social Facebook.
Ai shprehet se sot, simotra të pandashme, Kosova dhe Shqipëria qëndrojnë të bashkuara rreth axhendës evropiane.
Sakaq, përveç urimit për ditën e Pavarësisë së Shqipërisë Thaçi ka rikujtuar se sot është dalja publike e UÇK-së dhe ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari.
“Nëntori i ka dhënë gjithmonë shpirt historisë sonë. Por, krenaria kombëtare, lidhja shekullore dhe vendosmëria e popullit tonë, më së miri për-bashkohen rreth Flamurit Kombëtar më 28 Nëntor.
Bashkë me 105 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, ne sot e festojmë edhe ditëlindjen e komandantit tonë të madh, Adem Jashari, si dhe daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prandaj gjithë shqiptarëve anekënd botës, ua uroj festat e krenarisë dhe lavdisë sonë kombëtare.
Ky muaj historik na ka dhënë gjithnjë guxim e forcë për ta shpallur edhe Republikën e Kosovës.
Dhe sot, si motra të pandashme, Kosova e Shqipëria qëndrojnë të bashkuara edhe rreth axhendës evropiane. Ishim, jemi dhe do të jemi gjithmonë bashkë!”, shkruam kryeministri i Kosovës.
