Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb Aleksandar Vuçiç do të takohen në Bruksel më datë 27 qershor.
Data e takimit është bërë e ditur nga Klan Kosova, e cila i referohet ftesës që tashmë u është dërguar të dyja palëve.
Mësohet po ashtu se më 24 qershor do të mbahet takimi i delegacioneve të të dyja vendeve në kuadër të dialogut teknik Kosovë-Serbi.
Takimi i fundit ndërmjet presidentit Thaçi dhe presidentit Vuçiç, si dhe Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Europian, Federica Mogherini, ka ndodhur më 16 maj në Sofje të Bullgarisë, në Samitin e Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Duke iu rikthyer situatës aktuale në Prishtinë, debatet e brendshme vazhdojnë ende lidhur me nevojën që Kosova ka për përfshirjen e opozitës në fazën finale të dialogut me Serbinë.
s.a/dita
