“The Economist”: Udhëheqësit evropianë “somnambulë”

anazapta

E përjavshmja prestigjioze në numrin e kësaj jave ka vënë në kopertinën e saj liderët e BE-së duke mos i kursyer kritikat ndaj tyre për mungesën e politikave efikase ekonomike. Nëntitulli i editorialit: “Në pritje të katastrofës evropiane”

 Ju mund të mos jeni vënë në dijeni, por Bashkimi Evropian zhvilloi një samit këtë javë. Të mbledhur në një drekë të shijshme pune, kryeministra, presidentë dhe kancelarë evropianë, mesditën e së mërkurës folën mbi çështjet e taksave dhe energjisë. Faza e krizës ka kaluar, nuk flitet më për shpërbërje të euros, por liderët evropianë ecin përpara si sonambulë në buzë të greminës. Kjo është teza që mbështetet në numrin e kësaj jave te “The Economist”, që shfaq Anxhela Merkelin në krye të shpurës së liderëve evropianë, midis të cilëve Hollande, Rajoi, Barroso, Pasos Koelho e Van Rompi, Draghi, Leta dhe Samaras. Titulli i kopertinës “Somnambulët”, ndërsa nëntitulli “Në pritje të katastrofës evropiane”.

Editoriali i së përjavshmes ekonomike britanike nënvizon se “shuma e borxhit të qeverive, individëve dhe bizneseve është ende tepër e lartë. Bankat kanë zvogëluar kapitalin e tyre dhe investitorët ndërkombëtarë shqetësohen për humbjet që janë ende të papërcaktuara. Edhe pse interesat e tyre janë të ulëta, kompanitë në Evropën e Jugut vuajnë ‘shtrëngimet mizore’ të kredive”.

Tregjet financiare ‘janë vënë nën narkozë’ që kur Mario Draghi premtoi se do të bënte gjithçka të mundshme për të mbrojtur euron nga kolapsi. Masat që ka ndërmarrë ai si kreu i Bankës Qendrore Evropiane, kanë vënë në dispozicion si kohën e mjaftueshme edhe mjetet e duhura për të luftuar spekulimet, por në të kundërt liderët nuk arrijnë të gjejnë një rrugëdalje për “reforma efikase”.

Është e qartë se mosveprimi nuk vjen nga mungesa e gjërave që janë për t’u bërë, por nga mungesa e vullnetit. Ky stanjacion është shkaktuar pjesërisht nga zgjedhjet e shtatorit që do të zhvillohen në Gjermani, e cila sot për sot është forca lëvizëse e çdo politike evropiane. Por gjithashtu ka një arsye më të thellë. Në të gjithë Evropën, votuesve u është shtuar zemërimi ndaj politikanëve të tyre dhe ndaj BE-së. Në Francë presidenti Hollande është paralizuar nga skandalet dhe mbështetja ndaj tij ka rënë me 24% që nga fillimi i vitit.

Një studim i kohëve të fundit nga Qendra Kërkimore “Pew Research” zbuloi se pjesëmarrja e votuesve francezë pro BE-së ka rënë nga 60% në vitin 2012 në 41% gjatë këtij viti, edhe më shumë se në Britaninë e euroskeptikëve. Italia është zhytur në recension dhe mesa duket nuk zotëron një platformë koherente politike për të sjellë ndryshimin.

Megjithatë, votuesit duan të mbajnë monedhën e vetme: 70% e tyre në Greqi e mbështesin ende euron, vend i cili e ka vuajtur krizën më shumë se çdo shtet tjetër në BE. Gjatë viteve të fundit bjerrja e mbështetjes së popujve të Greqisë, Irlandës, Portugalisë, Spanjës dhe Holandës për të qëndruar në eurozonë është përtëritur sërish dhe ky është një tregues pozitiv.

Çfarë do të ndodhte nëse udhëheqësit e eurozonës do të pengoheshin? Ashtu si Japonia, edhe Evropa do të mbetej në hije gjatë viteve të ardhshme. Kostoja do të ishte zhgënjyese me komunitete sociale të ndryshkura dhe jetë të çuara dëm dhe ndryshe nga Japonia, eurozona nuk ka kohezion (nuk është e bashkuar).

Gjatë kohës që amullia ekonomike dhe recensioni e stresojnë demokracinë, Bashkimi Evropian rrezikon një refuzim mbarëpopullor, i cili mund të jetë fatal. E nëse somnambulët e duan valutën e tyre dhe mbi të gjitha i duan popujt që përfaqësojnë, duhet të zgjohen”.

Përgatiti:Dorina Gjuzi

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *