Theksi mbi A

redaktor

Theksi mbi A titullohet një poezi, që gjendet në metodën katërlibërshe të italishtes (saktësisht në Italiano 2, fq.243), hartuar dhe ripunuar prej të mirënjohurit në këtë lëmë, Qemal Xhomo. Autori i poezisë në fjalë është poeti dhe shkrimtari i shquar italian Gianni Rodari, vepra e të cilit, Libri i gabimeve (në origjinal, Il libro degli errori), është përkthyer në shqipe dhe është botuar diku nga fundvitet ’60 a fillimvitet ’70, dhe është lexuar me kërshëri e komentuar me ëndje nga brezi ynë, fëmijët dhe moshërinorët e atëkohshëm.

Në poezinë me titull L’accento sull’A ( në shqipe, Theksi mbi A), përshkruhet një ndodhizë me gjasë nga periudha e rezistencës antifashiste në Itali.

Duke grahur me furi biçikletën, një postier po rend për të çuar një pusullë urgjente për ku i është thënë. Dikush, i nxitur prej kureshtjes për të mësuar shkakun e asaj grahjeje të pazakontë me biçikletë, për më tepër, në mesin e natës, e ndalon për fare pak çaste, për ta pyetur se për ku po ia mbath me kaq nxit e ngut. Postieri ia kallëzon se për ku. Por kalimtari a i njohuri i postierit, me gjasë vetë poeti, i kureshtuar edhe më etshëm, e pyet atë nëpunës poste se ç’përmban teksti i asaj pusulle. Dhe postieri zë dhe ia rrëfen fill e për pe. Pusullën e ka shkruar një çunak. Ia dërgon së ëmës, e cila duhet të jetë tejet e brengosur që i biri nuk është kthyer ende në shtëpi; për më tepër, darka po i ftohet dhe ai patjetër duhet të ketë uri. Me anë të asaj pusulle, i biri e qetëson të ëmën që të mos bëhet asfare merak, nëse nuk kthehet dot për darkë. Ai shton se e kanë rrasur në burg, ngaqë e kanë kapur duke shkruar parulla mbi muret e qytetit. Më tej dhe çka është më e rëndësishmja për të, i tregon së ëmës se në njërën prej parullave ka shkruar: Duam paqe dhe liri!.

Por, befas, i kujtohet që tek emri liri (libertà, në italishte) nuk e ka vendosur theksin mbi zanoren fundore A. Pra, në vend të shkruante: Vogliamo pace e libertà!, djaloshi ka shkruar: Vogliamo pace e liberta!. Prandaj, përplot përgjërime, i lutet së ëmës të niset për te muri mbi të cilin ka shkruar parullën dhe ta ndreqë gafën drejtshkrimore që ka bërë. Letra mbyllet me zotimin gati solemn: Tjetër herë, nënë, të premtoj/ më mirë drejtshkrimin do mësoj.

Le të përsiatim për pak çaste, pa pasur droje se po futemi ndër komente letrare, se ku rreh meraku i çunakut. Djaloshi nuk është trembur asnjë fije kur, me shkelma, grushta dhe qyta armësh, e kanë rrasur në makinën e karabinierisë dhe, së andejmi, e kanë përplasur në kuesturë, birucë a burg, siç e thotë edhe vetë. Më tej, djaloshi duket se nuk u frigohet as pyetjeve të breshërta të kuestorëve a xhelatëve që, nëpërmjet torturash dhe onomatopesh të klithmëta bishërore dhe kanosëse, rreken të nxjerrin prej gojës së tij emrin e ndonjë organizatori a bashkëpunëtori apo vendndodhjen e ndonjë celule a grupi përbetues, në të cilin djaloshi me gjasë mund të bëjë pjesë.

Djaloshi nuk i qahet së ëmës se ka frikë mos e dënojnë me burgim kohëgjatë a mos e internojnë në ndonjë ishullth kaq të humbur, sa as edhe në hartat me shkallën më të lartë të zmadhimit nuk gjendet dot, le më të dihet se nga bie.

Më në fund dhe më e kulmëta fare, djaloshi nuk i tutet as ndëshkimit më të skajshëm, që fare lehtë mund të jepej në ato kohëra të zymta dhe të tubullta: ekzekutimit para ndonjë skuadre pushkatimi a varjeje me litar në fyt.

Tjetërkund është halli që e sfilit, derti që e bluan, brenga që e gërryen, meraku që e ha.

Prej ngutjes se mos e kapnin duke shkruar parulla mbi mure (siç edhe ndodhi, në të vërtetë) a ndoshta edhe prej pakujdesisë çunakërore, ka harruar të vërë thjesht një vijëz të pjerrur mbi zanoren fundore A. Kësisoj, duket fare qartë që djaloshi nuk i përgjërohet së ëmës t’u qurravitet e jargavitet xhelatëve dhe kapove të karabinierisë, kuesturës a burgut t’ia lirojnë të birin apo, së paku, ta dënojnë a ndëshkojnë ca më butë, ngaqë ai, në fund të fundit, është veç një kërthi, një axhami, një aguridh dhe, si i këtillë, ndokush më i rritur në moshë, për të mos e vënë veten në telashe dhe për t’i nxjerrë gështenjat prej zjarrit me duart e një naivi, do t’i ketë hedhur të birit trutë e gomarit, duke e kandisur t’i shkruajë ai çunak ato parulla mbi mure.

Përkundër gjithë këtyre pandehmave të frikshme (të mundshme, megjithatë!), djalka i lutet së ëmës që të rendë e ta vendosë ajo atë vijëzën e pjerrur, që quhet theks, mbi zanoren fundore A.

Çfarë burrërie! Sepse burrëri është të mos u frigohesh torturave dhe të mos i trembesh as vdekjes!

Çfarë kuraje! Sepse kurajë është t’ia njohësh dhe t’ia pohosh vetes gabimin që ke bërë!

Çfarë vetëkërkese! Sepse vetëkërkesë është ta zbulosh vetë gabimin drejtshkrimor, pa ta thënë kush më parë!

Çfarë vetëpërgjegjësie! Sepse vetëpërgjegjësi është të ngutesh çast e çast për ta ndrequr atë gabim, ndonëse kurrkush nuk do të të gjykonte për të pagdhendur, thjesht dhe vetëm për shkak të një theksi që mund të kesh harruar ta vendosësh mbi një zanore!

Personazhi i poezisë, djaloshi në fjalë, më shumë se për gjithçka në këtë botë, ka një nderim të papërshkrueshëm për gjuhën amtare, për italishten e vet. Sepse për të, italishtja nuk është thjesht një gjuhë e dhjetëra milionë njerëzve dhe aq, por një gjuhë që shkruhet drejt dhe flitet saktë nga bashkëkombësit e mendjendriturve Dante, Petrarca, Deledda, Moravia, Manzoni, De Amicis, Buzzati, Calvino, Quasimodo, etj.. Djaloshi i poezisë së Rodari-t është i vetëdijshëm që italishtja është identiteti i vet, gjaku i vet, zemra e vet, shenjtëria e vet dhe, më në fund e rrjedhimisht, vetja e vet. Duke dashur dhe nderuar gjuhën në të cilën ai mendon, ndien, flet dhe shkruan, dashur dhe nderuar i ka edhe të parët e vet, nënoken e vet, veten e vet dhe gjithë bashkëgjuhësit e vet.

Me siguri, në mesin e asaj nate, të nxirosur edhe më shumë nga terri tmerrues i terrorit të këmishave të zeza fashiste, ajo nënë ka rendur me një frymë, rrugë e rrugicë, për të mbërritur te muri mbi të cilin i biri pat shkruar parullën, ka vënë theksin mbi A dhe e ka përmbushur porosinë e amanetshme të të birit.

Po ne, pasardhësit e Petro Ninit, Negovanit, Kristoforidhit, Dhaskal Todrit, Babë Dudës, Naimit, Samiut, Fishtës, etj., a e nderojmë gjithaq përgjegjshmërisht dhe dashurisht shqipen sa ai çunaku italian italishten e vet? Shqipen tonë të mrekullueshme, për të cilën ranë dëshmorë dhe u therorizuan qindra rilindës dhe atdhetarë, a ndihemi të denjë ta meritojmë?

Siç ajo nënë e vuri theksin mbi zanoren A, le ta vëmë edhe ne gishtin tregues mbi tëmthin e kresë dhe të mendojmë, qoftë edhe për pak çaste, se sa borxhlinj i jemi gjuhës sonë, kësaj shqipeje burimshëm të pasur e të pastër, e cila kurrsesi nuk meriton të përdhoset e nëpërkëmbet në jo pak media të kohës që po (ç)jetojmë.

Share This Article
1 Comment
  • Nje shkrim domethenes ,nje kritike e forte per te gjithe personat qe flasin gjuhen shqipe.Nje kritike e forte per gazetaret e shumte qe ne shkrimet e dyre edhepse te hkurter fusin aty tre o kater fjale jo shqip dhe nganjeher dhe kuptimin nuk e kan taman per ate qe perdoret.
    Sa me shume shkrime te tilla .

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *