Në Libofshë; 100 vjet më parë
Nga Naun Kule
-Në Libofshë, po hidhet themeli i arsimit shtetëror bujqësor
-Të dalluarit në shkollën e Libofshës, do dërgohen në Europë me bursë shteti.
-Shkolla e Libofshës me 1500 nxënës nga e gjithë Shqipëria.(500 në çdo rend)
-A.Zogu dhe Ministria e Brendëshme, nuk e pëlqejnë Libofshën…!?
(AQSH,Vëndimi i Këshillit Ministror, nr. 428, dt.19.04.1921)
***
Në Myzeqe (Libofshë,1908), u hap njera nga shkollat e para kombëtare në gjuhën shqipe, aq e pritur për kohën kur mësimi dhe gjuha amtare në Shqipri, përbënte herezi dhe paguhej me kokë. Libofsha, që në lashtësi përbënte udhëkryqin mes degës së rrugës Egnatia e cila kalonte nën kodrat perëndimore të Ardenicës, duke bashkuar Durrësin me Apoloninë ndërsa në mesjetë, ishte stacion qëndrimi për karvanët që lidhnin Ardenicën dhe më tej, Beratin me portet grykëlumore të Pirgut (Ndërnënas), dhe Karavastasë. (Hasan Ceka,“Dega jugore e Egnatias…” Revista Monumentet nr.2/1971,fq.28)
Në rregjistrimin e parë osman të vitit 1431, ndërkohë kur shumë vendbanime të Myzeqesë së sotme ende nuk kishin as emër as truall, Libofsha (Liboç), rregjistrohet me 13 hane(shtëpi), për tu shtuar më 1570 me 165 shtëpi. Por koha kur Libofsha shndërrohet në qendër grumbullimi dhe administrimi për gjithë Myzeqenë e madhe dhe Karatoprakun, i përket shekullit 19-të (Teki Selenica,libri “Shqipria,1927” Tiranë,1928,fq.254)
Më 1832, administrata pushtuese osmane vendosi në Libofshë qendrën ku u ndërtuan depot, grazhdaret dhe hangarët të cilat do grumbullonin dhe mbanin prodhimet bujqsore të vjela si taksa të treta e të dhjeta ndër bujqërit e krahinës.
U emruan edhe drejtuesit e kësaj administrate të cilët, për disa dekada me radhë (deri në vitin 1912), e qeverisën Myzeqenë e poshtëme dhe Karatoprakun përmes Libofshës. Njeri nga administratorët më të shquar të Libofshës ishte Nedin bej Leskoviku,
“Direktor i çifligjeve sulltanore në Myzeqe dhe Karatoprak”
“…..Nedin beu ishte njeri me parime të larta dhe njohuri agronomike. Ai u kujdes të zbatoheshin këtu kërkesat bashkëkohore të bujqësisë, duke sjellë fara dhe fidane të zgjedhur. Solli edhe specialistë për kadastrimin dhe bonifikimin e tokave të fushës.. Kodrat i veshi me ullinj dhe agrume, solli edhe kuaj e kafshë të tjera të racës. Hapi në Libofshë edhe një bankë krediti e cila, kreditonte bujqit për t’i shpëtuar nga kamatmarrësit në raste dasmash ose fatkeqësish..”
(Mehdi Frashri, libri “Probleme shqiptare”, Tiranë, 1944, fq. 16)
Kështu e gjeti Libofshën edhe pavarësimi i Shqipërisë, më 1912, pas të cilës pronat sulltanore u shtetëzuan nga qeveria shqiptare. Ishin pikërisht këto rrethana dhe kjo e veçantë si qendër e qeverisjes lokale e Libofshës e cila, (domosdo e njohur nga shoqëruesit e Ismail Qemalit) i cili, në udhëtimin e vet historik përmes Myzeqesë, darkën e 24 nëntorit 1912, darkoi dhe fjeti në Libofshë, pikërisht në konakët e Nedin bej Leskovikut, këtu. (Ilir Ikonomi, libri “Pavarësia”, Tiranë, 2012, fq.32 Shih edhe Kujtimet e Karaosmanit..)
Në nderim të kësaj pritpërcjellje historike, Kryeministri Ismail Qemali, pas disa muaj qeverisjeje të shtetit të ri shqiptar, do shkruante kështu për qeverisjen e Libofshës:
“Qeverisja e Krahinarit të Libofshës përfaqëson vërtetë një qeveri të re, thjeshtë shqiptare, sipas kuptimit të çdo shqiptari që e do Shqipërinë të lirë” (Gaz.“Përlindja e Shqipërisë”Vlorë, nr.15,dt.18.09.1913)
Si qendër e njohur e administratës së kohës, Krahinaria dhe më pas Komuna e Libofshës, qeveriste asokohe, 54 fshatra të hapësirës Ardenicë-bregdet, mes dy lumenjëve Seman-Shkumbin. Kjo-dhe jo vetëm- është arsyja që edhe në projektet e qeverisë së re shqiptare për shtimin e shkollave në krahinën e Myzeqesë, Komuna e Libofshës vlerësohet si njera nga ato Komuna që duhet të merren si qendra:
“…Për të hapur tash arsimin në Myzeqe, duhet të merren si qendra Fieri, Libofsha dhe Lushnja, vende ku ndodhet edhe qeveria vendore” (Gazeta “Përlindja e Shqipërisë”Vlorë,nr.20.dt.05.10. 1913)
***
Dhe ja, edhe një dekadë më vonë,(1921) qeveria e porsadalë nga Kongresi i Lushnjes, tek projekton arsimimin e popullit, shtimin e rrjeteve shkollore dhe hedhjen e themeleve të arsimit të mesëm bujqësor, sërish i drejtohet Myzeqesë dhe posaçërisht, Komunës së Libofshës. Kemi në dorë Vendimin e Këshillit Ministror, nr.428, të datës 19 prill, 1921,i cili urdhëron “çeljen në Libofshë të shkollës së parë kombëtare bujqësore me 1500 nxënës konviktorë, të ardhur nga Berati, Dibra,Tirana, Elbasani,Gjirokastra,Korça,Shkodra dhe Vlora..”
Gazeta “Drita” Gjirokastër nr. 46, datë 08 maj, 1921)
Por shkolla në fjalë dhe projektuesit e saj, nuk janë të parët që gjejnë trevën e Myzeqesë për të filluar arsimimin për specialistë të bujqësisë. Ende pa u bërë Shqipëria shtet i pavarur, në mars të vitit 1911, intelektuali i mirënjohur Namik Delvina, jepte konsiderata, bënte vlerësime dhe i propozonte administratës vendore të kohës, për një shkollë të tillë kombëtare në konakët e shumtë të manastirit të Ardenicës. Ndërsa, në Shqipërinë e porsabërë, dy vjet më vonë, qeveria e re e Vlorës, i rikthehet sërish të njëjtës temë pasi konstaton se:
“…Manastiri i Ardenicës mbush krejt ato sende që duhen për një shkollë (të mesme-N.K.) bujqësore…Ky manastir është më i begatë dhe më i pasur ndër gjithë manastiret e sundimtarisë së Bertit.Ka 50 dhoma dhe mes tyre është edhe shkolla e cila vitet e fundit, punon si shkollë qytetare e plotë dhe ushqen prej manastirit 200 nxënës konviktorë dhe mësuesit e tyre…”
(AQSH, F.Arsim, viti 1924, Dosja nr.1, dt. 03.12. 1924)
Që në fund të shekullit 19-të dhe, sidomos kur erdhi si drejtor në këtë shkollë atdhetari Jani Minga (Mësues i Popullit), “…shkolla mori tjetër fytyrë dhe u shtua me fëmijë nga gjithë fshatrat e Myzeqesë, pa dallim feje…”
Por, duke qënë brenda manastirit dhe e varur financiarisht po nga ky, shkolla varej gjithashtu nga Mitropolia e Beratit. Ishte dhespoti grek i Beratit ai që hapi dhe financoi gjysmëgjinazin grek, në këtë manastir i cili, vazhdoi si i tillë deri në vitin 1913, kur qeveria e Vlorës e ktheu në shqip.
Pra nismat, projektet dhe modelet e arsimit të mesëm për gjithë Shqipërinë në Myzeqe, zenë fill që në shekullin e njëzetë. Por le të vijmë tek dekada e dytë e këtij shekulli dhe, posaçërisht tek vendimet e qeverisë së re shqiptare e dalë nga Kongresi i Lushnjes.
Projektuesit e shkollës së mesme bujqësore të Libofshës, i argumentojnë qeverisë se: “… Shkolla bujqësore do të fillojë përkohësisht në ndërtesat e Libofshës, që ndodhen afër pazarit. Aty do të formohet edhe një depo për makineri (bujqësore,N.K.), dhe një ofiçinë për ndreqjen e tyre… Mësimet e kësaj shkolle do të jenë më shumë të karakterit praktikë -2 orë në ditë në verë dhe 4 orë në ditë në dimër. Lëndët do të jenë; Botanika e bimëve, Sëmundjet e bimëve, Ujrat dhe tharja e tyre, Farërat dhe zgjedhja e tyre, Mbjellja dhe shartimi i bimës, Mbjellja e manave (për krimba mëndafshi-N.K.), Sëmundja e fshikëzave, Maqinat bujqësore dhe përdorimi i tyre, Rritja e kafshëve, Llogari bujqësore dhe gjeografi e Shqipërisë.
Nxanësat do diplomohen për mjeshtri bujqësie, bletari dhe mekanikë bujqësore.
…Nxanësat e dalluar të shkollës së Libofshës, do dërgohen në Evropë më bursë shteti…
Mësimet do fillojnë në datën 10 qershor, 1921. Kandidatët që dëshirojnë të moshës 16-18 vjeç të cilët dinë shkrim dhe këndim shqip, të paraqiten në prefekturë pasi të vizitohen te mjeku…Në Libofshë janë bërë gjithë përgatitjet e nevojëshme për pritjen e tyre…Personeli mësimor do të drejtohet nga Dr.Passerini, organizator i huaj dhe nga një mësonjës shqiptar, agronom…
Në Libofshë po hidhet kështu themeli i parë i arsimit bujqësor…!”
(Mehdi Frashëri,libri “Probleme shqiptare”Tiranë, 1944, fq. 191)
Mësimi greqisht në Ardenicë,(gjysmëgjimnaz) nuk përkonte me të përditëshmen e jetës dhe marrëdhëniet shoqërore në fshat pasi nuk i vinte në ndihmë të drejtpërdrejtë bujqësisë, punës bazë të njerëzve këtu, blegtorisë apo vreshtve të tyre.
Edhe kjo nevojë nxiste kërkesat për një shkollë të tillë, për djem të shkolluar mjaftueshëm për kohën në shkencat e bujqësisë dhe blegtorisë. Dhe, për ta yshtur miratimin nga qeveria, banorët e këtejmë jo vetëm ia kërkojnë përsëritshëm qeverisë, por edhe ia mundësojnë asaj duke i shkruar se edhe godinat për shkollë janë gati, siç është edhe ajo pranë kishës së Libofshës. Në shkresën e datës 9 maj, 1921, drejtori i shkollës së Lushnjes i kërkon Drejtorisë së Përgjithëshme të Bujqësisë në Tiranë të urdhërojë hapjen e kësaj shkolle në Libofshë.
Po cilat janë shkaqet pse qeveritë shqiptare disa herë i rikthehen problemit dhe nevojës për një shkolle të tillë dhe thuajse gjithënjë gjejnë Libofshën si qendra më e volitëshme ndërtimi dhe mësimi për të. Ja disa nga argumentet që i japin qeverisë kompetentët dhe intelektualët e kohës, për ta mbështetur këtë ndërmarrje jo të vogël për qeverinë shqiptare të një shekulli më parë:
“…Kjo zonë është pjesa perëndimore e Ardenicës dhe ka për qëndër katundin e Libofshës, i cili është çiflig i shtetit. Shkolla këtu do të ketë për fushë veprimi përpara Karatoprakun e famshëm në pjellori me pemishtat, ullishtat dhe portokallet
Meqënëse zona e Libofshës ka një klimë të butë, ndërtesa e shkollës e cila do të përfshijë në tri rendet (klasët-N.K.) 1500 nxënësa, mund të ngrihet me drurin e pyllit që ndodhet afër Libofshës. Kjo shkollë do ketë një periudhë studimi prej tri vjetësh…Shkolla do të jetë e pajisur me të gjitha veglat moderne të bujqësisë, me gjënë e gjallë të përshtatëshme dhe me farat e zgjedhura……Në shkollën e Libofshës do të merren mot për mot nga 500 djelmosha prej katundeve të gjithë Shqipërisë. Shkolla do ketë edhe dy rende parapërgatitës pë rata djelmosha që nuk kanë bërë shkollë fillore të plotë…
…Shkolla e Libofshës do të bëjë që brenda 5-6 vjetësh në secilin katund të Shqipërisë, të ketë nga një djalosh me aftësi dhe mendësi të reja rreth bujqësisë të cilët, do të jenë pionierët e zbatimit të bujqësisë së re të Shqipërisë…” (Mehdi Frashëri, libri i cit. fq.189)
Kuptohet se nuk janë dhe nuk mund të jenë vetëm kushtet e favorshme natyrore dhe as pjelloria e tokës, faktorët e vetëm që i rikthejnë kompeteentët e kohës disa herë në Libofshë e Myzeqe, për të hapur shkolla me përmasa kombëtare. Më shumë se për çka tjetër këto fakte flasin për traditë të lashtë dhe të njohur arsimore, për punë dhe luftë të parreshtur të disa atdhetarëve myzeqarë për të kultivuar dhe shtuar “pjellorinë” e shkollës dhe të shkollimit shqip ndër këto anë, pa e ndarë asnjëherë luftën për çlirim nga ajo për emancipimin kombëtar.
Gjithsesi, paradoksi qëndron gjetkë…!
Me gjithë argumentet që sjellin dhe këmbënguljen e specialistëve të njohur në fushën e arsimit bujqësor, si edhe të vendimeve të disa qeverive për ta çelur në Libofshë një shkollë tillë kombëtare, kjo shkollë nuk u hap në përmasat e parashikuara në Vendimin e Këshillit Ministror. Për të shmangur dhe ulur zërin e kumdërshtarëve, pas një zvarritje dhe neglizhence disamuajore, në Libofshë u hap vetëm një kurs bujqësie me rreth njëzetë nxënës. Çudia është se në arkivat e kohës për arsimin dhe shkollat, nuk gjejmë asnnjë kundërshti, madje as mendime të ndryshme për moshapjen në Libofshë të një shkolle me përmasat e sipërthëna. Vendimet e qeverive përkatëse janë marrë pa asnjë rezervë dhe dyshim për ta kundërshtuar hapjen e shkollës në fjalë.
Atëhere, pse shkolla e mesme bujqësore nuk u hap në Libofshë, siç vendosi qeveria ?
Përgjigjet e këtyre pyetjeve, çuditërisht, nuk i gjetëm në arkivat arsimore por në ato të…
Ministrisë së Punëve të Brendshme…?!
Banorët e këtejmë ishin mësuar me mashtrime të qeverisjes zogiste. Me pretekstin për të mbyllur shkollën me konvikt në manastir të Ardenicës, A.Zogu premtoi një spital të madh e modern në Ardenicë, fakt që mbeti vetëm premtim.
Ç’kishte ndodhur?
Katër muaj u janë dashur kompetentëve të Ministrisë së Brendshme për të hetuar dhe bindur shefat e tyre mbi “rrezikun” e hapjes në Libofshën “revolucionare” të shkollës bujqësore.
Më 25 shtator 1921, këta ia kthejnë përgjigjen Drejtorisë së Përgjithëshme të Arsimit në Tiranë ku shkruhet se:
”…Ministria e Punëve të brendëshme nuk pëlqen Libofshën për çeljen atje të një shkolle të mesme bujqësore por pëlqen Lushnjen” (AQSH, F.MPB, Vendimi nr.428, dt.19.10.1921)
Dhe, pas kësaj përgjigje, pavarësisht ç’kishte vendosur Këshilli Ministror, ajo që do zbatohej ishte vendimi i Ministrisë së Brendshme. Merret vesh që specialistët (apo spiunët ?) e Ministrisë së Brendshme nuk numërojnë asnjë arsye të këtij kundërshtimi (mospëlqimi..) por argumentet ishin aq mbushamendëse sa arritën ta anullojnë vendimin e qeverisë.
Gjithësesi, një gjë është po kaq e qartë se, cilatdo paçin qënë arsyet (e…mosarsyes ?) asnjë nga ato nuk ka qënë shkollore dhe mësimore.Nëse do ishin të tilla anullimin do ta bënte Ministria përkatëse; pra e arsimit dhe jo e …xhandarmërisë!
Po ç’patën Ministria e Brendshme dhe spiunët e saj me Libofshën? Pse nuk e pëlqyen çeljen këtu të kësaj shkolle të mesme bujqësore kaq të madhe,(me 1500 nxënës), dhe kaq të mirëpritur për kohën dhe gjithë Shqipërinë? Mos vallë i trembnin telashet politike që mund t’i hapte ajo duke qënë larg syrit vëzhgues të shtetit ? Apo duke parë e njohur “biografinë” e Libofshës, ia “vranë syrin dhe veshin” emrat e ca burrave të saj të njohur gjer larg për bëmat
e tyre atdhetare si Zoji dhe Jovan Ndreko, Kovi dhe Spiro Saqellari, Ikonom Kozma Dhima,
Naun D.Prifti, Jorgji Dhamo, Anastas Laska, Tun Gjergji, Elmaz Boce, etj. ?
“…Sigurisht, nuk ishte e lehtë të çelej në Lushnjë, pasi kjo shkollë ishte caktuar të ngrihej në Libofshë…”shkruajnë të trishtuar specialistët e kohës.
.(Revista “Bujqësia”, Tiranë, prill/1930-Shkolla bujqësore në Lushnjë dhe ferma e saj)
Megjithatë, shkolla bujqësore u hap atje ku vendosi (jo Këshilli Ministror) Ministria e xhandarmërisë…?! Në vitin 1921, të nxitur edhe nga vendimet e qeverisë së dalë nga Kongresi i Lushnjes, shkolla e filloi veprimatarinë mësimore. Është e njëjta shkollë që përshkruam e përgatitur për në Libofshë, pra shkollë trivjeçare, ku mësimet fillojnë më 1 tetor dhe mbyllen më 30 korrik. Fillimisht ajo u vendos në një godinë të vogël, pasuri e shtetit, te ishshkolla fillore e cila, i mbajti nxënësit e shkollës bujqësore për gjashtë muaj derisa u ngrit ndërtesa për shkollën bujqësore.Godina e shkollës ishte rreth një kilometër larg qytetit ku kishte edhe tokën, edhe mencën e konviktin. Nxënësit pranoheshin brenda moshës 14-18 vjeç, pasi të kishin kryer shkollën fillore dhe të ishin bij bujqish. Mësimet teorike jepeshin tri orë në ditë, para dite, ndërsa 4-5 orë praktikë zhvilloheshin pasditeve në fermën e shkollës. Edhe gjatë pushimeve verore nxënësit detyroheshin të merrnin pjesë në punimet bujqësore të fermës për një muaj pa pagesë duke pasur gratis ushqimin. Nxënësit ishin të gjithë bursistë, deri edhe librat e fletoret i merrnin falas. Shkolla kishte një drejtor dhe katër mësues si edhe fermën e saj prej 30 hektarë, gjysmë ore larg shkollës.Shkolla kishte vend edhe për kultivimin e krimbit të mëndafshit, stalla për shpend dhe kafshë; lopë, kuaj, dele, lepuj të butë, etj. Pranë shkollës kishin edhe maqineritë bujqësore me të cilat nxënësit ushtroheshin në punimet e bimëve dhe tokës bujqësore.
(Gjon Çuko, libri “80 vjetori i shkollës së bujqësisë…”,Lushnjë, 2001, fq. 27)
….Ajo që bie në sy është fakti se menjëherë pas ngjarjeve luftarake antiqeveritare të qershorit, 1924, të cilat, përfshinë gjithë qytetet dhe krahinën e Myzeqesë dhe posaçërisht pas rrëzimit të qeverisë Nolit dhe riardhjes në pushtet të qeverisë zogiste, në dhjetor, 1924, shkolla bujqësore në Lushnjë u mbyll. Qeveria i trembej grumbullimit të njerëzve të ditur pasi dihet se, të mësuarit-qofshin nxënës a mësues, sidomos kur bëhen bashkë, e nxisin dhe ushqejnë mes tyre mendimin dhe veprimin opozitar ndaj administratës qeverisëse. Sidoqoftë, mbyllja e kësaj shkolle, menjëherë pas ngjarjeve politiko-ushtarake me ngjyresë revolucionare, të cilat rrëzuan qeverinë dhe A.Zogun tashmë të ardhur në pushtet, me forcën e armëve të huaja, na zbulon dhe rikthen tek argumentet e munguara përse kjo shkollë nuk u lejua të hapej në Libofshë…!?
Institucione të tilla të arsimit, kulturës dhe propagandës, kaq të rëndësishme dhe të rralla për Shqipërinë e asaj kohe, nuk mund të ngriheshin dhe zhvilloheshin kaq larg syrit vrojtonjës dhe hetues të qeverisë. Dhe mbyllja e kësaj shkolle zgjati jo pak por katër vjet.
Vetëm në vitin 1929-30 e gjejmë të rihapur këtë shkollë por tashmë, me 53 nxënës nga gjithë Shqipëria. Gjithësesi, si qendër shumë e rëndësishme dhe thuajse e vetme në nivelin e vet, shkolla bujqësore e qytetit të Lushnjes, përbënte një vlerë shumë të madhe intelektuale e kulturore, deri edhe artistike e sportive, për qytetin dhe gjithë Myzeqenë. Në faqet e gazetave të këtyre viteve lexojmë për veprimtari të shumta që kanë për autorë pikërisht mësuesit dhe nxënësit e kësaj shkolle. Gjallërimi i jetës kulturore të qytetit dhe përfshirja në këto veprimtari rinore edhe e intelektualëve të kohës, është dobia më e madhe jashtëmësimore që jepte kjo shkollë për qytetin dhe krahinën e vet. Në bashkëveprim me simotrat e veta në qytetet e tjerë të Shqipërisë, si me shkollën e Kavajës apo me shoqata a shkolla si të Elbasanit, Beratit, Fierit e Vlorës, nxënësit dhe personeli i shkollës bujqësore të Lushnjes, nxitnin dhe ushqenin emancipimin e shtresave të ndryshme të shoqërisë së kohës.
Aktivitete organizoheshin edhe me personelin dhe nxënësit e kësaj shkolle dhe shkollës plotore të Lushnjes.Në dhjetor 1931 u zhvilluan garat olimpike për herë të parë në qytetin e Lushnjes. Për organizimin e tyre punuan gjithë nxënësit dhe mësuesit e Lushnjes të drejtuar nga kryeinspektori i arsimit ardhur enkas nga Prefektura e Beratit.(Gaz“Besa”Tir.nr.129,dt.19.12.1931)
Janë pikërisht këta nxënës dhe mësues të Lushnjes dhe fshatrave përqark, që organizuan dhe bashkuan në grupime artistike dhe sportive të rinjtë e kohës, për t’i dhënë shtysa të reja jetës kulturore.Në gusht 1930, u lajmërua krijimi i Shoqërisë kulturore artistike “Kongresi i Lushnjes” e cila organizoi manifestimin e madh gjimnastikor në fushën e sportit të qytetit, ku mori pjesë “pothuaj gjithë populli i qytetit që duartrokiti dhe mbeti i kënaqur me manifestimin e fëmijëve…! . (Gazeta.”Arbëria” Tiranë, dt.07.08. 1930)
Pas këtyre paraqitjeve për shkollat dhe shkollimin e nivelit të mesëm në Myzeqe, mund të themi se një fakt e gjejmë të përsëritur; çdo qeveri e porsaardhur në pushtet, sapo shtron mbi tryezë platformat e arsimimit të popullit, piketat e para për vendhapjen e shkollave, të cilitdo niveli qofshin, i ka ngulur në Myzeqe. Në këtë kuptim mund të theksojmë se edhe njera ndër shkollat e mesme të para, që do hapte në fshatrat e Shqipërisë, qeveria shqiptare menjëherë pas Çlirimit të vendit, ishte shkolla e mesme e Krutjes në Lushnje,(Gjimnazi i Myzeqesë” ndërkohë, gjithahtu qytetet e Fierit dhe të Lushnjes, ishin gjithashtu nga të parët që hapën gjimnazet dhe shkollat e mesme profesionale.(L.Davidhi, libri “Krutja e dijes dhe e dritës” Tiranë, 2002,fq. 84)
Kësaj tabloje duhet t’i shtojmë numurin e madh (krahsuar me krahinat simotra), të studentëve që u dërguan në Universitetet e shteteve të tjerë në vitet 1950-60, dhe u rikthyen po këtu si specialistë dhe kuadro të lartë të të gjitha fushave, duke sjellë me vete jo vetëm kulturën shkencore të diplomomit, por mbi të gjitha, atë të përvojës dhe emancipimit shoqëror, me vizionet progresive të popujve dhe shteteve ku studjuan dhe jetuan disa vite.
Shtator, 2021

Myzeqeja mbetet hambar i prodhimit dhe djep i dijes dhe kultures ne lashtesi dhe Mesjete.
Tre armiq te perjetshem ka pasur Myzeqari:
1-Kunupi
2-bejleret e Beratit dhe Fierit.
3-Banditet e Mallakastres.
Lexova:Te dalluarit do te dergohen me burse shteti ne europe.Zogu nuk ishte shteti?Me burse shteti ne ate kohe shkuan edhe per doktore,inxhiniere ,profesore .Naun Kule mos e shtrembero historine per hater te komunisteve.Ali Pashe Tepelena,Zogu e dinin vleren e trurit dhe e kane perkrahur dhe investuar me mundeste dhe rrethanat e kohes.
Z.Naun Kule,me gjithë respektin për ju,ju kërkoj të koregjoni shkrimet tuaja,përsa i përket shkollës së parë bujqësore në Shqipëri,ku thoni është hapur në Libofshë.Kjo është ëndërr në letër.Unë e kuptoj,si çdo kush është patriot i vendlindjes së tij,por mos jep informacion të gabuar.
E vërteta është që e para shkollë e mesme bujqësore në Shqipëri është hapur në Lushnjë në vitin 1921,pra para 100 viteve,tek vëndi ku sot ke Institutin e Bujqësisë.Nëse nuk e keni lexuar librin përkatës të këtij viti,vetëm me dokumentacion arkivor,për atë shkollë,ju rekomandoj ta lexoni o në Bibliotekën Kombëtare Tiranë o në Bibliotekën Lushnjë,dhuruar nga unë,autori,tani në muajin gusht 2021,por dhe pa këtë,unë pash në shkrimin tuaj,që librin tim për 80 vjetorin e asaj shkolle,viti 2001,ju e kishit lexuar,se dhe citonit.
Duke respektuar gjithë intelektualët e Libofshës,mos harro,z.Naun,se Lushnja,ku përfshihej dhe Libofsha,në vitet 1920-1921,ishte historik:Kongresi i Lushnjës 1920.Po në vitin 1920,e po në Lushnjë,Kongresi Arsimor.E më tej 1921,e para shkollë bujqësore,kombëtare.
Mos harro se edhe pa ndërtesë shkolle,pushtetarët e Lushnjës e muarrën përsipër ta ndërtojnë,siç dhe e ndërtuan,në vëndin ku komisioni e pëlqeu.
Libofsha ishte në opsionin te ajo ndërtesë,siç ju shkruani,por ishte në opsion edhe Fieri,te ndërtesat e gatshme,të lëna nga austriakët,por,si më sipër,u pëlqye opsioni i Lushnjës.
Për këto materiale,si më sipër,si Lushnjar,si historian,si arkivist,si shkrues,jam gati të ballafaqohem me ju e me këdo tjetër.
Respekte për gjithë shkrimet tuaja,përveç kësaj pjese.Rrspekte për Libofsharët,që megjithëse shteti i regjimit,në vitet 1947-1948,i shkëputi nga Lushnja,por edhe sot,pas kaq shumë vjetësh bëhen më shumë me Lushnjën sa me Fierin.Autori i librave për atë shkollë,Gjoni Çuko.
Itali,17.shtator 2021
Bukur shruani per themelimin e shkollane te mesme bujqesore ne shqiperi ….Na shkruani dhe per ato te MBYLLURA ne vite, deri te pas 90tes…sic eshte ajo e Zall-Dajtit, hapur me 1971…me emrin e mesuesit te atij fshati ndare nga jeta *Hamdi Mancaku*pas vdekies …Keq me vjen per ate ndertese MODEL ndertuar,te pakten te rruhet e kthehet ne MUZEUM per zonen e BENDES.. .Mbrodhesi shkolles se mesme ne Zall-Bastar.. (Me nostalgji;si Ish Drejtor i asaj shkolle…)