Në 22-vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike, kryeministri Berisha dhe kreu i opozitës, Rama, e kanë kujtuar atë ditë përmes postimeve në profilet e tyre në Facebook dhe Twitter. Berisha ka kujtuar dhjetorin e 22 viteve më parë, kur u themelua PD-ja, ndërsa Rama është shprehur se në atë kohë ajo ishte shpresa, por sot ka nevojë për rilindje.
“Sot kremtojmë 22 vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike. Po bëhesha gati të shkruaja një status për këtë ngjarje dhe më erdhi në mend ajo natë e ftohtë e 11 dhjetorit ‘90, kur sëbashku me një grup studentësh e intelektualësh, Azem Hajdarin, Gramoz Pashkon etj, diskutuam dhe vendosëm themelimin e pluralizmit politik njëherazi dhe PD-në si forcë e parë opozitare të vërtetë të vendit. Themelimi i PD-së mund të quhet dita e shpëtimit dhe e shpresës së madhe, dita e rilindjes së vërtetë të dytë kombëtare sepse Partia Demokratike u themelua si parti e lirive dhe të drejtave njerëzore në vendin ku ato ishin të ndaluara me Kushtetutë, e vokacionit perëndimor dhe integrimit euro-atlantik dhe evropian të saj, si parti e interesit kombëtar dhe çështjes shqiptare. Asokohe ky vizion dukej thjesht një utopi, mbasi vendi kishte përjetuar izolimin më të thellë, mjerimin më të madh. Shqiptarët jashtë Shqipërie në rajon përjetonin pushtimin më të egër. Por sot, pas 22 vitesh, ëndrra e tyre, e një shoqërie të lirë, e shqiptarëve të lirë kudo që ata jetojnë, e anëtarësimit në NATO, është bërë e vërtetë. Kam bindjen se nuk do të vonojë së shndërruari në realitet edhe shembja e murit të bllokimit dhe avancimit të madh të integrimit evropian”, shkruhet në profilin e Berishës.
“22 vjet përpara, PD ishte shpresa, sot është zhgënjimi. Në 2013, PS në qeverisje për të rilindur Shqipërinë, PD në opozitë për të rilindur vetë!”, shkruan Rama në Twitter.