Themije Thomaj, figurë emblematike e bujqësisë shqiptare

Leda Hysa

Te personaliteti i saj shkriheshin në një profesionalizmi dhe talenti

Nga Dhimitër Shtëmbari

Edhe mbas plot tridhjetë vjetësh nga koha kur ishte ministre, Themije Thomaj ende vazhdon të jetojë ndjeshëm me shqetësimet e natyrshme të bujqësisë shqiptare.

-Pse të mos e them! Trishtohem kur shikoj sipërfaqe të gjëra tokash të papunuara!

Qëndron një çast mendueshëm dhe vazhdon:

– Dikujt mbase s’i bën përshtypje, por mua, që jam rritur me bujqësinë e blegtorinë, më ngacmohet shpirti deri edhe për çdo pëllëmbë tokë…

Dhe nis e na tregon fëmijërinë e vetë.

E lindur një vit pas çlirimit të Atdheut, Themija do të rritej jetime. I ati, Andoni e la kur ende s’i kishte mbushur të tetë vitet e moshës së vetë. Vëllai i vetëm, Vasili, ishte vetëm trevjeçarë.

E ëma, Vasilika, e dalë nga fisi Allkanjari e Krutjes së Poshtme të rrethit të Lushnjes, me t’iu ndarë i shoqi nga jeta veshi rrobat e zeza për të mos i hequr tërë jetën!

– Im atë ka qenë kryetar i parë i kooperativës bujqësore të fshatit Goriçaj, vendlindjes sime, – vazhdon të na tregojë Themija. -Edhe pse fare e vogël, e mbaj mend kur vinte vonë, shumë vonë, në shtëpi. Sepse i duhej të qëndronte arave të kooperativës, ku plugohej, mbillej a korrej.

Me vështrim te fëmijëria, Themija na drejtohet me një farë dhimbjeje:

– Eh, im atë; edhe në ëndrrën e tij më të bukur nuk do të mund t’i shkonte mëndja se e bija do të ndiqte rrugën e nisur prej tij, deri ministre e Bujqësisë.

Kur nisin e flasin rezultatet, fjalët nuk kanë më peshë

Kujt i ka rënë rasti të bisedojë me Themije Thomajin, patjetër që do t’i ketë bërë përshtypje logjika e shëndoshë dhe mendimi i mprehtë. Edhe pse kujdeset që të tregohet sa më modeste, herë -herë sinqeriteti e tradhton. Nuk thonë kot: sinqeriteti të bën fëmi.

– Kam mbaruar filloren në Goriçaj, ndërsa shtatëvjeçaren – në Këmishtaj me të gjitha notat pesa, – na thotë. – Të gjitha dëftesat shkollore, qoftë edhe atë të shkollës së mesme Bujqësore, kryer në Tiranë, i kam të shoqëruara me fletë lavdërimi. I ruaj të gjitha. Le të jenë në shtëpi.

Edhe arsimin e lartë bujqësor e ka kryer me rezultate të shkëlqyera.

Mbasi mbaroi arsimin e mesëm bujqësor, Themija u emërua shefe e Planit në kooperativën bujqësore të Këmishtajt. Tetëmbëdhjetë vjeçare. Detyra ia donte  të qëndronte në më të shumtën e kohës në zyrë, mbi regjistra, por… shefen e zyrës së Planit e shikonin edhe fshatrave, atje ku punohej e prodhohej. Madje, në ndonjë rast eprorët e saj i patën tërhequr vëmendjen, që të mos dilte shpesh prej zyrës, se duhej t’i kushtohej punës mbi regjistra. Se duheshin mbajtur lidhjet me seksionet e Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit, por…

shefja e degës së Planit nuk ishte skllave e zyrës e as thjesht rob i shifrave. E zgjuar prej natyre, në treguesit që i vinin për përpunim ajo “shihte” edhe ndonjë parregullsi. Përtej normave, a sipër tejkalimeve diktonte suksese, por… shquante edhe probleme. Madje, në ndonjë rast, bazuar në këta tregues diktonte dukuri shqetësuese, për të cilat ngrinte zërin deri edhe në kryesinë e kooperativës.

– Po mos u nxito, moj vajzë, – i qenë drejtuar në ndonjë rast. – Merru me punën tënde, ç’i fut hundët ku nuk të takon!

Mirëpo Themija si Themija: nuk mund të mos i shprehte shqetësimet që i lëndonin shpirtin. Madje, në mjaft raste këto shqetësime i shprehte guximshëm edhe në prani të deleguarve të rrethit. Mirëpo, hajde t’i kundërviheshe kësaj shefeje të re! Sepse ç’shprehte ajo, ishin të vërteta.

Idealizmi fillon kur jemi të gatshëm të japim gjithçka pa lypur asgjë

– Lëre punën dhe hajde me mua, sepse do të shkojmë në Komitetin e Partisë të rrethit, – i kishte thënë në një ditë të ftohtë shkurti të vitit 1967 Sotir Koçi, kryetari i kooperativës bujqësore të Këmishtajt.

– Ç’ne unë në Komitetin e Partisë të rrethit?! Unë s’jam as anëtare e Partisë!

Tjetri s’e kishte zgjatur më tej, por i la të kuptonte se s’duhej të vonoheshin.

Qenë nisur. Aty në të hyrë të qytetit, i qe drejtuar sërish kryetarit:

– Si s’më njoftuat që mbrëmë që të isha përgatitur me shkrim…

Sakaq kishin mbërritur pranë hyrjes së godinës së Komitetit të Partisë të rrethit.

– Ku do të shkojmë? – i qe drejtuar Sotirit.

– Te Sekretari i Parë, shoku Rrapi Gjermëni…

– Te shoku Rrapi?!

Ndërkohë ishin para derës së Sekretarit të Parë. Sotiri pati trokitur në derë, qe futur në paradhomë e më pas, Llamba Gjeçi i pati shoqëruar për te Rrapi.

Pasi qe përshëndetur me dy të porsaardhurit, Sekretari i Parë u pat bërë shenjë të uleshin pranë tij. Dhe kish nisur të fliste qetë – qetë, pastaj drejt e në temë:

– Ju kemi thirrur t’ju komunikojmë një vendim të Byrosë së Partisë të rrethit: Ju, shoqja Themije, jeni emëruar kryetare e kooperativës bujqësore të Këmishtajt…

Sapo kish dëgjuar t’i thuhej kjo, Themija qe ngritur në këmbë dhe…

– Ju faleminderit, shoku Rrapi, por unë jam shumë e re për një detyrë të tillë!

Sekretari i Parë pati vazhduar të fliste qetë dhe shtruar:

– Të gjithë shokët e Byrosë së Partisë ju njohin mirë dhe shprehën besimin e plotë, se ju do të mund ta kryeni me shumë sukses atë detyrë.

– Jam pa përvojën e duhur; Këmishtaj ka disa kuadro e specialistë të zotë…

– Edhe këtë e dimë dhe pikërisht këta që thoni ju do të jenë ndihmësit tuaj.

Dhe Rrapi qe ngritur në këmbë dhe i pati zgjatur dorën:

– Atëherë… urime, shoqja kryetare e kooperativës! Besojmë shumë edhe në idealizmin tuaj.

Është kuptimplote ajo që ka thënë Shekspiri: Idealizmi fillon kur jemi të gatshëm të japim gjithçka pa lypur asgjë

 

Derën e shpirtit ta hap vetëm prindi

 

Sapo qe futur në oborrin e shtëpisë, e ëma i ishte gjendur te këmbët.

– Hë, moj bijë, përse të kërkonin në komitet?

Themija e kish parë të ëmën në dritën e syve dhe i qe përgjigjur:

– Më thanë që të bëhem kryetare e kooperativës…

– Kryetare?! Dhe ti çfarë u the?

– S’e bëj dot, u thash.

– Mirë u ke thënë. Ti ke qenë e vogël, moj bijë, po çfarë ka hequr yt atë kur pat qenë kryetar i kooperativës bujqësore të fshatit!

Dhe nënë Vasilika pati vazhduar: Yt atë vinte në shtëpi në orën njëmbëdhjetë a dymbëdhjetë të natës, sepse i duhej të merrej me aq shumë detyra që kërkonte organizimi i kooperativës në ato vite të para të krijimit të saj. Ende pa u zgjuar në mëngjes, te dera gjendeshin kooperativistë të ndryshëm; dikush kërkonte tulla, një tjetër gëlqere, një i tretë – gurë, një i katërt – lëndë druri …

… Të nesërmen kishte ardhur në qendër të kooperativës sekretari i Komitetit të Partisë të rrethit, Petrit Nika. Sepse kryetarja do të zgjidhej nga asambleja e kooperativës. Deshi, s’deshi, Themija pati pranuar.

– Kur u ktheva në shtëpi,- tregon Themija, – prapë më doli nëna përpara.

– Domethënë, pranove të zgjidhesh kryetare…

– Nga e more vesh, moj nënë?!

– Ma thanë disa nga ata që sapo erdhën nga mbledhja.

Të nesërmen kryetarja e re u fut në zyrën ku do të punonte për rreth dhjetë vjet. Teksa Sotir Koçi i dorëzonte zyrën, kryetarja e re kish dëgjuar t’i thoshte:

– Unë po ju dorëzoj zyrën, por ju në fakt po merrni në dorëzim kooperativën.

Mos prit dikë të të sjellë lule, por mbill kopshtin tënd

Gjatë një dekade të Themije Thomajit në krye të kooperativës bujqësore të Këmishtajt, kjo ekonomi bujqësore njohu vetëm rritje progresive të treguesve ekonomiko – financiarë.

– Ndihmës kisha specialistë të mrekullueshëm, si Fejzo Pashajn, Alfred Xhomon, Selim Kolushin, Trifon Caulin, Kristaq Gjinin dhe mjaft të tjerë, – tregon bashkëbiseduesja jonë.

Tepër aktive, kryetaren e re s’e mbante zyra. Tërë ditën në lëvizje. Nga njëra parcelë në tjetrën. Nga njëra fermë blegtorale në tjetrën.

– Përsosëm organizimin e punës dhe forcuam disiplinën falë edhe shembullit vetjak të të gjithë kuadrove e specialistëve, – na thotë ish kryetarja e kooperativës – por, gjithsesi, edhe këto nuk ishin gjithçka.

Dhe vazhdon të na tregojë se si nisi e vazhdoi eksperimentimi shkencor brenda ekonomisë bujqësore. Në ndihmë u kishin ardhur shkencëtarë të Institutit të Kërkimeve Bujqësore dhe të Institutit të Lartë Bujqësor të Kamzës. Qe rritur prodhimi falë përdorimit të farërave elite e superelite. Qenë përmirësuar treguesit e prodhimit si rrjedhojë e përmirësimit të rrjetit kullues e ujitës, si dhe e drenazhimit të një sipërfaqeje të gjerë.

Nga viti në vit kishte rritje të ndjeshme të shpërblimit për ditë – pune. Dhe erdhi një ditë, kur kjo ekonomi bujqësore u bë koperativë e tipit të lartë. Për zgjerimin e mëtejshëm të prodhimit ndërhynte me investime drejtpërdrejt edhe vetë shteti.

– Jam përgatitur t’i raportoj shokut Manush (Myftiu), por nuk di se për çfarë është i interesuar,- i them sekretarit të Komitetit të Partisë të rrethit.

– Nuk ka ardhur për mbledhje, – ma ktheu ai, – por për t’ju dorëzuar juve Yllin e Artë të Heroit të Punës Socialiste. S’e paskeni dëgjuar mbrëmë nga televizori se jeni dekoruar nga ana e Presidiumit të Kuvendit Popullor?

– Nuk kemi pas drita mbrëmë, – ia kthej si e turpëruar.

Aty nga mesi i viteve tetëdhjetë kooperativa bujqësore e Këmishtajt u bë një nga ekonomitë bujqësore më të përparuara në shkallë Republike. Në maj të vitit 1975 ministri i Bujqësisë i atyre viteve, Piro Dodbiba, shkoi në Këmishtaj dhe dorëzoi aty një Flamur, duke e konsideruar këtë kooperativë flamurtare e rendimenteve të larta.

– Nuk prisnim vetëm nga rrethi apo nga Ministria, por i vumë punës shpatullat tona, – na thotë Themija.

Shprehet sikurse ka pohuar një i mençur: Mos prit dikë të të sjellë lule, por mbill kopshtin tënd

Unë ministre?!

Ndërsa ishte duke zhvilluar një mbledhje të zgjeruar me kuadro e specialistë të kooperativës, Themije Thomaj njoftohet të dalë në telefonin e zyrës së vetë.

– Shoqja Themije?

– Po.

– Jam sekretari i Komitetit të Partisë të rrethit, Halim Demiri. Nesër në orën dhjetë duhet të paraqiteni në aparatin e Komitetit Qendror të Partisë.

– Përse më kërkojnë?

– Kaq di t’ju them.

Të nesërmen Themija shkoi në Tiranë dhe paraqitet në hyrje të aparatit të Komitetit Qendror. Aty gjen Muho Asllanin, Kristaq Kulen dhe Spiro Lengon. I njihte.

– Po ju këtu? – u qe drejtuar.

– Na kanë thirrur, – i ishin përgjigjur ata.

Ndërkaq kishte ardhur një nëpunës i aparatit dhe i kishte çuar në zyrën e shokut Haki Toska – Sekretar i Komitetit Qendror të Partisë për çështjet e ekonomisë. Pas një bisede të shkurtër, ai i kishte shoqëruar për në zyrën e Sekretarit tjetër të Komitetit Qendror, shokut Hysni Kapo.

– Mirësenaerdhët! – i kishte uruar mikpritësi. – Jam i autorizuar t’ju komunikoj një vendim të Byrosë Politike. Ju, shoqja Themije, jeni emëruar ministre e Bujqësisë.

– Ministre e Bujqësisë?! Detyrë shumë e vështirë për mua, shoku Hysni, – i qe drejtuar Themija. – Nuk mund ta bëj dot…

Hysniu kishte vënë buzën në gaz dhe iu ishte drejtuar.

– Tani na pret në zyrën e vetë shoku Enver, prandaj…

Dhe i kishte shoqëruar për në zyrën e Enverit.

– Juve, shoqja Themije Thomaj? – m’u drejtua.

– Po, shoku Enver.

Ndërkohë që më dha dorën, Enveri iu drejtua Hysniut:

– Ua komunikuat vendimin e Byrosë Politike?

– Po.

– E kam të vështirë ta kryej këtë detyrë, shoku Enver, – i qe drejtuar Themija.

– Të vështirë?! Përse do ta keni të vështirë? Deri sot keni komanduar shumë mirë një Brigadë, tani do të komandoni një Korp – armatë…

Sakaq, u pat hedhur një vështrim edhe shokëve të tjerë të pranishëm në zyrë dhe pat vazhduar:

– Ja, këta do të jenë ndihmësit tuaj, shoqja Themije; kuadro me shumë përvojë, të zotë dhe të ndërgjegjshëm…

Jo duke luftuar të vjetrën, por duke ndërtuar të renë

Lajmi se Themije Thomaj u emërua ministre e Bujqësisë u prit shumë mirë nga banorët e Këmishtajt, të Lushnjes e të mbarë Myzeqesë. Ishte një vlerësim shumë i lartë që i bëhej një myzeqareje.

– Të keqen nëna! – i pat thënë sërish e ëma. – Hap sytë me ligjet, mos i shkel kurrë, sepse mund të rrëzohesh si ai tjetri para teje.

Kishte qeshur e bija teksa kish dëgjuar një këshillë që i jepej në atë mënyrë.

Që në ditët e javët e para të punës ministrja e re nisi e vazhdoi të njihej me problemet që do të ndiqte. Kuptohet, tërë vëmendjen e përqendroi te toka. Te e shenjta tokë, siç do të shprehej vazhdimisht.

– Dikush mund ta konsiderojë mburrje, por është realitet, që atyre viteve u arrit që në shkallë Republike të merreshin mesatarisht 46 kv. grurë për ha, – na thotë ish ministrja. – Objektivi ynë ishte që të realizonim një bujqësi të karakterit industrial, pra, sa më pak të varur nga kushtet e motit. Synonim e luftonim për një zhvillim intensiv e të harmonizuar të bujqësisë, blegtorisë, frutikulturës etj. Rajonizimi i kulturave bujqësore ishte një tjetër përparësi e punës sonë…

Nuk është e tepërt të thuhet, se atyre viteve bujqësia shqiptare ishte e nivelit europian.

Dhe e vërteta e asaj kohe flet me gjuhën kokëforte të shifrave: nga 630 mijë Ha tokë – arë, 420 mijë Ha ishin të ujitshme. Në shërbim të bujqësisë ishin krijuar 2420 ujëmbledhës…

Nuk njiheshin përmbytjet, sepse gjithandej ishin krijuar diga e ishin vënë në shfrytëzim hidrovore që përballonin shpërthime të fuqishme ujërash.

E aftë për të vënë në lëvizje çdo punonjës të aparatit të Ministrisë, Themija qe në gjendje të mbante në jetë aktive tërë “korp – armatën” e punonjësve të bujqësisë së vendit.

– Kryeministri, Mehmet Shehu, – shprehet kjo ish ministre, – ishte një njohës i shkëlqyer i të gjitha sektorëve, pra edhe i bujqësisë, dhe të nxiste për punë.

Ndërsa mësojmë treguesit thuajse europianë të prodhimit bujqësor e blegtoral, na vjen ndërmend një thënie e shkëlqyer e Sokratit të famshëm grek: “Sekreti i ndryshimit është të përqendrosh gjithë energjinë tënde jo duke luftuar të vjetrën, por duke ndërtuar të renë”.

*     *     *

Në një bisedë televizive në “News 24” ish ministri i Bujqësisë, Prof. Dr. Edmond Panariti e quajti Themije Thomajin personalitet dhe figurë emblematike e Bujqësisë shqiptare.

Tha një të vërtetë që e pohojnë edhe shumë e shumë figura të tjera të njohura të politikës e të shkencës shqiptare.

Themije Thomaj ka qenë jo vetëm një funksionare e shkëlqyer Shteti, por edhe një organizatore e jashtëzakonshme e bujqësisë, te e cila shkriheshin e bëheshin një profesionalizmi dhe talenti.

Po, ajo ishte vërtet e talentuar në fushë të Bujqësisë.

 

Share This Article
13 Comments
  • Një përshkrim i merituat për ish ministren e bujqësisë z. Themi Thomai.
    I nderuar Dhimitër, të falenderoj që merr përsipër dhe shkruan për intelektualët e gjysmës së II-të të shekullit të kaluar. Për ish ministren është pak të thuash : “Njeri i mrekullueshëm, njeri i kompletuar, njeri me një intelektualitet natyral dhe të kultivuar me kujdes në bankat e dijes dhe mbi të gjitha me përvojën e fituar në mes të pluhurit dhe të baltës, komponentë të patjetërsueshëm për zhvillimin e njerëzimit”.
    Jam një ish punonjës i saj, e cila më mori nga “baza” dhe sipas rregullave të kohës, më propozoi në detyra të rëndësishme drejtuese. Nuk më njihte, nuk më paragjykoi, por vlerësoi punën, ashtu siç e kishin vlerësuar edhe z. Themie. Ky paragraf nuk ka të bëjë me “Belulin”, por e theksoj se në ato dekada vlerësohej meritokracia dhe jo si sot militantizmi, nepotizmi apo punësimet në administrarat shtetërore bashkëshortët/et e politikanëve dhe pushtetarëve.
    Ashtu si z. Themie edhe ne, shumë nga punonjësit e kohës së saj, shqetësohemi për fatet e sektorit të bujqësisë e cila është shndërruar në “karakatinë” e vjetëruar. Disa kohë më parë kemi lexuar shkrime nga punonjës të asaj kohe që sot janë pensionistë dhe në shtete të tjera, larg Shqipërisë, por që pa rezerva u vjen keq për këtë situatë kaq të pa pëlqyer në këtë sektor jetik për shoqërinë.
    Për z. Themia ka shumë për të shkruar dhe vlerësuar, tek ajo Ministria e Bujqësisë gjeti njeriun kompetent, profesionist dhe me vizion të qartë afatgjatë.
    Z. Themie, ju uroj jetë të gjatë dhe të mbarë. Ata që njerzit i shikojnë me “lentën” e politikës së ditës, nuk i shërbejnë kombit, por interesave të ngushta personaledhe partiake. Ekonomia dhe politika duhet të ecin paralel vetëm duke u mbështetur në vizionin e së ardhmes së vendit dhe popullit. Ndërsa politikat partiake kur shkëputen nga ndërthurja pozitive e ekonomisë dhe politikës, kthehen në pengesa tepër të dëmshme, frenuese të zhvillimit dhe “urrehen” nga populli.
    Respekte për Ju z. Themie dhe faleminderit z. Dhimitër.
    Arbëror Epiroti

  • Te lumte Dhimiter per kete shkrim te bukur kushtuar nje shoqes tone te lavdishme! Njerez te medhenj qe nuk duhen lene ne harrese! Nje nga keta eshte edhe zonja Themije Thomai, Kapedania e Myzeqese!

    Themije Thomai qw ne moshen 20 vjeçare perveshi çizmet dhe kontrollonte arat me grure, miser, pambuk, luledielli… Mjaft e formuar si njeri sepse e beri jeta, u rrit gadi pa baba por qe njeriu i duhur ne kohen e duhur Qw ne moshen 20 vjeçare iu besua nje nga ekonomite bujqwsore me te medha te vendit si Kemishtaj. Ishte nje talent ne organizimin e punes dhe te kuadrove. Ne kohen e saj merreshin mesatarisht 40 kv grure pe hektar ne te gjiyha fushat e Myzeqese, Korçes, Delvine, Tiranes e Thumanes. Une kam punuar me tw dhe e kam per nder qw e kam patur eprore. Themije Thomain edhe sot ta ngarkosh me detyra me pergjegjesi, ajo i kryen me se miri. I degjonte specialistet, madje shkencetaret e I.B, Lushnjes dhe vepronte! Ajo ishte nje shqiponje qe e shikonte edhe nga poshte edhe nga lart, realitetin! Antikomformiste. e guximshme dhe mjaft e zgjuar! Ia perplaste kujtdo ne fytyre kur nuk kishte te drejte. E njihte tolerancen dhe mirenjohjen, pra ishte dhe mbetet burrereshe. Mendoj se jeta e saj ne sherbim te drejtimit dhe organizimit te bujqwsise intensive na obligon per ti bere nje monografi.. Une mendoj se kjo zonje e nderuar ne popull dhe ne te gjithe mozaikun e specialisteve te bujqwsise shqipetare, nuk duhet lene ne harrese sepse punoi 13 vjet si Ministre Bujqwsie, ku per shume gjera te rendesishme nuk e therrisnin per t’u keshilluar vetem se i jepnin urdhera suprem.! Urime gazetarit te profileve historikee, Dhimiter Shtembarit per kete shkrim te denje ndaj nje zonje dinitoze!

    • Ndonese sot jam 70 vjec,kur lexoja kete shkrim poetik dhe shume njerezor m’u mbushen syte me lot si per punen fisnike e te nderuares Themie,por edhe per tere bujqesine socialiste,se sot bujqesia eshte kthyer ne sketerre!
      Urime Themie Thomai se ke qene dhe mbetesh nje figure e ndritur e shtetit socialist,nje pasqyre ku duhet te shohi8n fytyren e zeze tere ministrat e sotrem e te djeshem !

  • Nje zonje e nderuar qe meriton te mbahet ne goje, si nje kuader sa gruar e nderuar ne udheheqie te atdheut tone,ne ato vite qe la histori zhvillimi te pa pare ..Lere c’FLASIN DASHAKEQET. Miresite i uroj si ish mesues qe ajo shkollene ka vleresuar me perparesi. Faleminderit i miri Dhimiter Shtempari qe na kenaq keto kohe me keto personalitet te atyre viteve sjelle.
    Me konsiderate 83 vjevari “Pasues veterani”.
    Guri Naimit D.

  • Dhimiter Shtembarit!Ju pershendes per kete shkrim. Jane bere e vazhdojne te behen shkrime per kete Ministre te pare te bujqesise Shqiptare dhe shumica e tyre e vleresojne “kete figure emblematike”te bujqesise Shqiptare me perjashtim te ndonje fare “pedagogu”qe nuk dihet per cfare arsye te verteta do te shkruaj ndonji shkarravine ne ndonji gazete qe nuk e lexon njeri,shkrime qe mendimi i shendoshe dhe lexusi serioz nuk i pranon.! Ja perse ju gazetare , qofshi edhe ish gazetare duhet te shkruani per figura te tilla qe i kane dhene vendit dhe popullit jo vetem mundin e djersen e tyre por pjese te “shpirtit “pa kerkuar thuajse asgje.!Cfare pasurie ka sot Themije Thomai ,Piro Dodbiba e dhjetra kuadro qe e ngriten ekonomine Shqiptare ne nivele te ekonomis boterore! Per keta njerez te punes , te thjeshte e te palodhur qe edhe sot u dhemb ajo qe u shkaterrua u dogj, e shkoi ne nivele aq te uleta sa duhen dhjetra vite per tu rimekembur..I uroi Themijes jete te gjaye ne kete pervjetor te sai
    Fatmir Xhamallati

  • Shkrim i merituar per Zj.Themie,nje grua e afte,e pa pertuar,e dashuronte bujqesine, ishte lidhur jeten me ‘te.Kam kujtimet me te mira.Nga pozicioni i SMT-se e kam njohur kete grua luftarake.Ne nje moment kur punet me traktoret nuk shkonin mire shova atje dhe krijova pershtypje per nje grua te ndershme e puntore.Ju qendronte puneve ne krye.Kishe deshire te shkoje ne Kemishtaj,gjithcka shkelqente. Faleminderit z,Dhimiter per kete shkrim !

  • E mor Mehmet shehu dhe e boni ministre se kishte gjoksin e madh dhe kembet e bukura dhe shkolle partie

  • Sa per komentuesin qe nuk e dine, ky eshte nje shkrim “rehabilitues”. Zonja Thomaj eshte pjese e.administrates tashme, e afruar nga z. Çuni.

  • Ne kohen e Xhaxhit mendonim: Kush I vuri keto “katundare” ministre ?
    Tani pas afro 30 vjetesh kur shohim se cfare ka qene bere dje dhe cfare kemi bere sot, marrim vesh se “katundaret” kemi qene ne’, ne qender te Tiranes.
    Respekte per punen e Themie Thomait !!!

  • Duke lexuar artikullin e gazetarit te talentuar Dhimiter Shtembari per figuren qendrore te bujqesise shqiptare zonhes se nderuar Themije Thomaj, nuk mund te rri pa thene pak fhale oer pubet e medha te bere per vitet e lavdishme te buhqesise shqiptare. Definicioni: komunikim te arte, idealizem sublime, organizim te shkelqyer, argumentim i bazuar e i mjalte, shpirt i florirt, perkushtim shembullor per punen e atdheun, sakrifice e pakufi e pakursim, organizim te te gjitha hallkave e strukturave te bujqesise, vleresim e respektim te shkencetareve te bujqesise shqiptare si: Profesoret: Mentor Permeti,Kefter Veshi, Avni Oktrova, Hysen Lacaj, Hysen Cobani, Petraq Sotiri, Sotir Pasku, Burhane Celo e shume te tjere qe punuan si grup i fuqishem per te bere me te miren per bujqesin shqiptare qe sot duken si endrra e nuk besohen qe te punoje nate e dite me idealizmin imagjinar te sotem,”idealistet ndertojne e nuk vdesin, ata rrojne mbas vdekjes me shembullin e dhene”. Shqiperia ka nevoj per njerez te tille, qe nuk shikojbe te pasurohen por e heqen nga goja per te ardhmen me te mire te vendit e te popullit. Keta njerez te florinjte morren nje pension minimal. Shyqyr qe jane gjalle disa prej tyre dhe qeveria tu jap pendion special qe ata te ndjehen te bderuar e te respektuar. Ata te jene ne ekranet e televizioneve e te flasen me edukaten e tyre te punes e argumentit, harmonizimin e njohurive teorike, shkencore e realizimet e tyre praktike ne prodhim te gjere duke ngjitur Shqiperine e Shqiptarizmin ne laryedite europine me shifrat qe nuk mund te ndryshohen e perpunohen, shifra qe na bejne sa krenar aq edhe me shume dihet te medoj brezi i ri i specialisteve. Keto jane pak ndaj atyre qe kane bere brezi i ministres se talentuar Themije Tomaji, qe shkruajten historine e tyre me germa te arta be bujqesine shqiptare qe sot renkon e na mallko: “ pse me katandoset kedhtu, bili plehra, bil fara, bli pedticide kur ato prodhoheshin ketu. Prof. Stenibetger ka thene pad nje vizite ne Shiperi:”Ju e keni qendisur token” kur pa taracat e Lukoves. Te lunte nendja e pena o myzeqar i bderiar Dhimiter Shtembari qe e thua te vereten me kurajo e publikisht adhtu sic e kane ne tradite myzeqsret me takihe te bardhe e plote rrudha si te trurit te mencur e zemer batdhe qe nuk bejne konjktura per te kapur karrike por punojne e flasin hapur, qe kenaqen kur japin e jo kur marrin, karakteristok europiane e perendimore, qe flasin me kembet ne toke, mendjen ne koke e zemren ne tavoline. Falenderime nga Prof. Dr. Nikollaq Bardhi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *