Theodhosi: Ekonomia e centralizuar pengonte zhvillimin e vendit

anazapta

PROCES – VERBAL

Tiranë më 13 Janar 1976

Unë, Elham Gjika, hetues në Ministrinë e Punëve të Brendshme, marr në pyetje të pandehurin Koço Theodhosi.

Pyetje: Na jepni shpjegime se si konkretisht i keni realizuar në praktikë, pikëpamjet tuaja anti-parti lidhur me masat revolucionarizuese që përmban Letra e Hapur e KQ të Partisë.

Përgjigje: Unë, nga muaji Mars i vitit 1966, u emërova Ministër i Industrisë dhe Minierave. Për këtë emërim unë kisha rezerva se që më parë, nuk isha dakord me mënyrën e organizimit të këtij dikasteri ku u grumbullua industria, gjeologjia, minierat dhe artizanati, të cilat para vitit 1966 ishin të ndara në dikastere të veçanta. Në një mbledhje të Qeverisë që u bë në atë kohë kur diskutohej bashkimi i këtyre sektorëve, kam shprehur pikëpamjen që në Ministrinë e Industrisë të futej vetëm artizanati, ndërsa gjeologjia, minierat dhe nafta të mbeteshin në një dikaster të veçantë e të bashkuar. Megjithëse këtë mendim timin nuk e aprovoi Qeveria edhe në diskutimet e bëra, argumentohej nevoja e bashkimit të këtyre sektorëve në Ministrinë e Industrisë e Minierave. Unë në vetvete nuk u binda, e konsideroja këtë gjë të padrejtë dhe më dukej sikur kjo ministri mori karakterin e një konglomerati e për rrjedhim punët në të do të ishin të vështira për t’u kryer. Kështu që duke patur rezervën që përmenda, kur m’u komunikua emërimi në atë ministri, megjithëse më pëlqente të punoja në sektorin e industrisë se për këtë edhe isha arsimuar, nuk e prita mirë për shkak të madhësisë që ishte krijuar nga bashkimet e bëra në këtë dikaster.

Kur vajta Ministër i Industrisë dhe Minierave, struktura ishte bërë e aprovuar sipas porosive të fundit që kishte dhënë Partia në atë kohë sidomos në letrën e hapur të KQ. Mbaj mend se që në fillim, kjo strukturë m’u duk si shumë e fryrë për të realizuar detyrat. Kështu p.sh., disa kohë më vonë unë kërkova që drejtoria e Planit të Ministrisë të ndahej në tre drejtime, atë të planit, të investimeve dhe në atë të punës e të pagave, gjë që u realizua mbas dy vjetësh. Natyrisht, ky veprim i imi që përkrahej edhe nga ish-drejtori i Drejtorisë së Planit, Shahin Ruko, solli si pasojë rritjen e hallkave dhe të personelit administrativ. Siç shihet, unë që kur shkoj Ministër, filloj të realizoj pikëpamjet e mia anti-parti që kisha ndaj luftës kundër burokratizmit që zhvillonte Partia. E them këtë, sepse kohët e fundit nga këto tre drejtori që krijova unë, mbetën dy, edhe në këto të dyja u bënë thjeshtime në organikat e tyre. Veç sa më sipër, nga vitet 1968-1969, kam aprovuar që drejtoria e veshmbathjes, të ndahej në dy drejtori, gjë që solli rritjen e hallkave dhe të organikave. Po kështu mbaj mend që pranë Drejtorisë së Industrisë së Drurit, kam krijuar një byro teknologjike për gjithë industrinë e drurit dhe të mobiljeve. Këtë mesa më kujtohet e krijuam nga vitet 1973-1974, kishte në organikë rreth 10 punonjës dhe më parë kjo nuk ekzistonte.

Në realitetin e pikëpamjes time për çështjen e luftës kundër burokratizmit, brenda në Ministrinë e Industrisë e Minierave, veç shtimit të hallkave që përmenda, edhe në hallkat ekzistuese kam bërë shtimin e personelit në sektorë të ndryshëm duke shtuar limitin e mëparshëm që kishim. Të gjitha këto që përmenda, ne ja kemi paraqitur për aprovim Qeverisë para së cilës unë kam bërë të gjitha përpjekjet që të na aprovoheshin, por ajo një pjesë prej tyre nuk na i ka aprovuar, siç ka qenë çështja për të patur më shumë specialistë të ndryshëm në Ministri, në hallkat e krijuara që na aprovonte, na jepte më pak njerëz nga sa u kërkoja, etj.

Më shumë sesa brenda Ministrisë, sabotimin e luftës kundër burokratizmit, unë e kam realizuar në sektorët që ishin jashtë Ministrisë së Industrisë e Minierave, të cilat vareshin prej meje dhe konkretisht në shtimin e numrit të disa ndërmarrieve ekzistuese dhe me shtimin e byrove teknologjike, në shtimin e Intituteve shkencore dhe shtimin e drejtorive me cikël të mbyllur jashtë ministrisë. Në këtë drejtim, unë veç luftës kundër burokratizmit, kam realizuar edhe pikëpamjen anti-parti që kam patur lidhur me çështjen e decentralizimit të sektorëve ekonomikë që kishte në vartësi Ministria e Industrisë e Minierave dhe dhënien e kompetencave këtyre sektorëve, më shumë nga ato që përcaktonin direktivat e Partisë dhe vendimet e Qeverisë. Gjithashtu dua të sqaroj se në shumë nga këto sabotime kam qenë i përbashkët me Abdyl Këllezin sepse edhe ky ka qenë me të njëjtat pikëpamje anti-parti siç kam qenë dhe unë.

Pikëpamjen anti-parti për decentralizim të ekonomisë unë kryesisht e kam patur nga viti 1969 dhe vazhdoi të më thellohej më tej. Sipas meje drejtimi i centralizuar i ekonomisë në vendin tonë ishte një parim që pengonte zhvillimin e prodhimit, ndrydhte inisiativën krijuese të ndërmarrjeve dhe ngarkonte me shumë detyra dikasteret qendrore saqë nuk ishin në gjendje t’i realizonin këto detyra. Duke patur këtë pikëpamje anti-parti, mendoja se një pjesë e drejtorive ose e degëve të rëndësishme të prodhimit të dilnin jashtë ministrive dhe t’u jepeshin më shumë kompetenca nga sa përcaktonin normat e Partisë dhe vendimet e Qeverisë.

I shtyrë nga pikëpamjet armiqësore që përmenda më lart, secilën, mesa më kujtohet më poshtë, e kam realizuar si më poshtë: Ndërmarrjet që kishte në vartësi Ministria e Industrisë dhe Minierave dhe sidomos disa që më parë administroheshin, një ndërmarrje për dy ose tre rrethe (siç janë ato të pyjeve, gjeologjisë dhe minierave) i kemi ndarë duke i shikuar si hallka dhe si personel administrativ. Kështu, mesa më kujtohet deri nga viti 1969, kombinati i drurit në Elbasan, përfshinte edhe dy sektorë të industrisë pyjore, atë të Elbasanit dhe të Tiranës. Në vitin 1969, unë krijova dy ndërmarrje të tjera, ndërmarrjen pyjore të Tiranës dhe ndërmarrjen pyjore të Elbasanit, të cilët u pajisën me personelin administrativ, por se sa ishte nuk më kujtohet. Nga viti 1973, si rezultat i kërkimeve të vazhdueshme të Partisë e Qeverisë për t’i thjeshtuar hallkat e tepërta burokratike, ne e suprimuam prerazi ndërmarrjen pyjore të Elbasanit dhe sektorin ja dhamë kombinatit të drurit siç e kishte më parë dhe puna e këtij sektori nuk pësoi asnjë dëmtim nga ky shkurtim.

Ndërmarrje të tilla pyjore, kemi krijuar edhe në Kolonjë që më parë ishte bashkë me atë të Korçës, në Sarandë që më parë ishte me të Gjirokastrës, në Burrel që më parë ishte me të Laçit dhe në vende të tjera që nuk më kujtohen.

Në sektorin e minierave, më kujtohet që nga vitet 1969-1970, krijuam në Tropojë ndërmarrjen e minierave të kromit, që më parë ishte e bashkuar me ndërmarrjen minerale të Kukësit. Po kështu krijuam ndërmarrjen e kromit në Batër të Martaneshit që më parë ka qenë e bashkuar me ndërmarrjen e Bulqizës. Të tjera në sektorin e minierave nuk më kujtohen.

Në sektorin e gjeologjisë, rreth viteve 1972-1973, ndërmarrjen gjeologjike të Pukës e ndamë në dy duke krijuar edhe atë të Shkodrës; atë të Pogradecit e ndamë në dy, duke krijuar edhe në Korçë një ndërmarrje gjeologjike.

Këto më kujtohen si shtesa që ne kemi bërë për krijimin e ndërmarrjeve të reja në sektorin e pyjeve, minierave dhe të gjeologjisë. Shtesa të tilla janë bërë edhe në sektorët e industrisë. I përmenda këto raste, pasi duke qenë rezultat i realizimit të pikëpamjeve të mia anti-parti, ka vend që të rishikohet qenia e tyre pasi ka edhe të panevojshme.

Për krijimin e këtyre ndërmarrjeve, mbaj mend që shpesh herë kam biseduar me Abdyl Këllezin dhe gjithmonë kemi patur mendime të përbashkëta. Këto biseda me Abdylin i kemi bërë që në kohën që ai ka qenë kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës dhe si rezultat i këtyre pikëpamjeve të përbashkëta, këtu në Tiranë krijuam disa ndërmarrje të reja të industrisë mekanike dhe elektro-mekanike. Kështu më kujtohet se Abdyli më thoshte se për këta sektorë duhet të krijonim disa ndërmarrje të reja sepse në këtë mënyrë siç e kishim, ishin shumë të centralizuara, gje që pengonte zhvillimin e prodhimit dhe nuk lejonte inisiativat krijuese të njerëzve. Unë isha dakord me të dhe bashkarisht vendosëm që të krijonim disa ndërmarrje si Uzina Dajti, Tirana, uzina elektroteknike e ndërmarrje të tjera.

Kur Abdyl Këllezi erdhi në Komisionin e Planit të Shtetit, ne përsëri kemi biseduar me njëri-tjetrin për krijimin e ndërmarrjeve të reja që përmenda më lart dhe ai gjithmonë ka qenë dakord me vendimet e mia. Këtë e them sepse përveç bisedave që kemi bërë të dy për këto çështje, unë i dërgoja Komisionit të Planit propozimin dhe projektin e krijimit të çdo ndërmarrje të re, të cilat pothuajse gjithmonë më janë aprovuar prej tij. Bile edhe kur unë, pas kësaj, ja shtroja për ta shqyrtuar Qeveria apo kryesia e Qeverisë secilin nga këto propozime, mbaj mend që Abdyl Këllezi jo vetëm ka mbështetur propozimet e mia, por është përpjekur të argumentojë domosdoshmërinë e krijimit të tyre.

Për krijimin e këtyre ndërmarrjeve dua të sqaroj se kanë qenë plotësisht dakord edhe Zenel Hamiti dhe Muzak Kallajxhiu (për minierat), Zenel Hamiti me Teki Biçokun (për ndërmarrjet gjeologjike) dhe për ndërmarrjet e pyjeve përgjegjësat e këtij sektori.

Proces – Verbalin e lexova, thëniet e mia janë shkruar drejt dhe e firmos.

 

I PANDEHURI                                           HETUESI

/ KOÇO THEODHOSI /                                / ELHAM GJIKA /

 

* * *

 PROCES – VERBAL

Në Tiranë më 14 Janar 1976

Unë, Elham Gjika, hetues në Ministrinë e Punëve të Brendshme, marr në pyetje të pandehurin Koço Theodhosi.

Pyetje: Vazhdo i pandehur të japësh shpjegime për sabotimet që ke kryer ndaj masave revolucionarizuese që ka marrë Partia me Letrën e Hapur të KQ me fjalimin e Sekretarit të Parë të KQ të Partisë në Mat dhe me dokumente të tjera të rëndësishme të Partisë e Qeverisë.

Përgjigje: Që një pikëpamje tjetër e imja anti-parti e armiqësore që vjen në kundërshtim të hapur me vijën dhe direktivat e Partisë është edhe ajo për çështjen e realizimit të revolucionit tekniko-shkencor në vendin tonë. Unë, orientimet e direktivat e Partisë për revolucionin tekniko-shkencor i kam konsideruar jo të drejta pasi, sipas meje, revolucioni tekniko-shkencor mund të realizohet vetëm nga aparatet, kuadrot e specialistët e jo masat, sepse masat unë i konsideroja të paafta dhe si të tilla nuk mund të kryenin këtë revolucion.

Në realizim të kësaj pikëpamje anti-parti, unë në sektorët që kam drejtuar, ngrita aparate të fryra si byrotë teknologjike apo institutet shkencore e studimore të cilët në vend se të bëheshin ndihmëse të klasës punëtore e të viheshin në shërbim të saj për zhvillimin e revolucionit tekniko-shkencor, u bënë pengesë, barrë për prodhimin dhe urdhërdhënëse edhe në këtë drejtim për klasën punëtore. Partia kishte porositur që këto byro apo institute të ishin sa më të vogla, të thjeshta dhe ndihmëse të klasës punëtore në realizimin e këtij revolucioni, ndërsa unë dhe Abdyl Këllezi vepruam në kundërshtim me këto porosi të Partisë për shkak të pikëpamjeve të përbashkëta anti-parti që kishim.

Këtu unë shikoj edhe një dëm tjetër të madh që i kemi bërë ekonomisë, sepse unë dhe Abdyli, në këto byro e institute jo vetëm që grumbulluam një numër të madh specialistësh, por ata ishin specialistë nga më të mirët të cilët i hoqëm nga prodhimi ku ishin më parë dhe në këtë mënyrë kemi dëmtuar edhe prodhimin.

Unë Koçua, si element me tërë këto pikëpamje burokratike, kisha dhënë urdhër që këto byro e institute të bënin edhe programet vjetore të punës së tyre dhe i dërgonin në Ministri për aprovim. Këtu gjoja edhe nën pretekstin e koordinimit me byro dhe institute të tjera, shtoheshin detyrat dhe përfundimisht këto plane bëheshin kaq të fryrë e burokratikë saqë ata të mbeteshin gjatë gjithë vitit në studime problemesh dhe operativiteti, dinamika apo zgjidhja e çështjeve të prodhimit dhe zhvillimi përpara mbeteshin të dorës së dytë.

Mbaj mend që unë vetë kam ndikuar, bile kam dhënë edhe urdhra direkt që të fryheshin byrotë teknologjike në ndërmarrje të ndryshme të industrisë mekanike, në industrinë kimike dhe në industrinë e naftës. Kështu konkretisht më kujtohet që kam dhënë urdhër të shtoheshin byrotë teknologjike në Azotik, në uzinën e superfosfatit, në ndërmarrjet e naftës që janë rreth 20 të tilla prej të cilave afër gjysma kishin bërë byro teknologjike dhe në ndërmarrje të tjera që nuk më kujtohen.

Po kështu kam vepruar edhe në institutet studimore e shkencore që ka Ministria e Industrisë dhe Minierave. Në këto institute që ishin gjithsej 4 (katër), se nga dy që ishin, shtuam edhe dy të tjerë, njërin e ndau më dysh (të industrisë së lehtë dhe atë të industrisë së rëndë) dhe një e krijuam të ri atë të studimeve e projektimeve të industrisë mekanike. Kam bërë fryrje të madhe në personel dhe në to futen shumë kuadro e specialistë të aftë që u morën nga prodhimi ku ishin më parë.

Herë pas here, për këto fryrje burokratike që unë kam bërë në byrotë teknologjike apo në institutet studimore-shkencore të Ministrisë së Industrisë e Minierave, kam biseduar edhe me Abdyl Këllezin, i cili i ka aprovuar mendimet e mia. Kështu në fund të çdo viti kur unë me Abdylin shqyrtonim planet vjetore i kam paraqitur edhe kërkesat për shtesë në këtë byro apo institute dhe si gjithmonë m’i aprovonte, bile më thoshte që le t’i rrisim këto byro e institute, por krahas rritjes së tyre të shtojmë edhe repartet e linjat e reja në sektorë të ndryshëm. Dua të sqaroj se unë e Abdyli, nuk e kemi patur asnjëherë probleme apo fërkime për këto rritje, gjithmonë binim menjëherë dakord me njëri-tjetrin e merreshim vesh. Më kujtohet një rast, kur Abdyl Këllezi më ka thënë se revolucionin tekniko-shkencor ne mund ta realizojmë kryesisht nëpërmjet krijimit të linjave të reja apo të reparteve ndihmëse gjë që ishte një thjeshtim i hapur i revolucionit tekniko-shkencor siç e kërkonin direktivat e Partisë. Abdyl Këllezi më thoshte se për mua Instituti i studimeve ekonomike në Kryeministri nuk duhet të jetë, ai duhet të jetë një organizëm brenda komisionit të Planit të Shtetit dhe funksionet e tij duhet të përcaktohen nga komisioni i Planit.Unë i thashë Abdylit që nuk di si të them por ndoshta më mirë bëhet si thua ti. Këtë çështje mua nuk më kujtohet që Abdyl Këllezi ta ketë ngritur në Qeveri apo në forumet udhëheqëse të Partisë.

Proves-verbalin e lexova, thëniet e mia janë shkruar drejt dhe e firmos.

I PANDEHURI                                                HETUESI

/KOÇO THEODHOSI/                                             /ELHAM GJIKA/

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *