PROCES – VERBAL
Në Tiranë më 12 Shkurt 1977
Unë, Elham Gjika, hetues në Ministrinë e Punëve të Brendshme, mora në pyetje të pandehurin Koço Theodhosi.
Pyetje: Të paraqitet për njohje procesi hetimor datë 11.03.1976 i të pandehurit Abdyl Këllezi, në të cilin shpjegon disa nga sabotimet e përbashkëta që ai ka kryer me ty dhe me armiq të tjerë në industrinë e naftës e të gazit (I jepet procesi për ta lexuar). Ç’keni për të thënë i pandehur lidhur me këto pohime që ka bërë në hetuesi armiku Abdyl Këllezi?
Përgjigje: Pasi e lexova procesin hetimor të Abdyl Këllezit, datë 11.03.1976 dhe i kuptova të gjitha shpjegimet e tij, lidhur me të kam për të thënë se janë plotësisht të vërteta dhe i pranoj. Është e vërtetë që unë sëbashku me Abdylin, Lipen e Ramizin, për problemin e nxjerrjes së naftës për 5 vjeçarin 1971-1975, kemi vënë shifra të larta, tej mundësisë e kapacitetit të vendburimeve ekzistuese, është e vërtetë që kemi dhënë urdhër të bëheshin eksperimente në parcelat e vendburimit të Gorrisht-Koculit ashtu si eksperimente në parcelat e vendburimit të Gorrisht-Koculit ashtu siç shpjegon Abdyli, është e vërtetë që në shfrytëzimin e vendburimeve kemi shkelur vendimin e Byrosë Politike të vitit 1967, është e vërtetë që goditjen më të fortë në naftë ne e kemi bërë gjatë vitit 1973 dhe më vonë, është e vërtetë që për të intensifikuar këto vendburime kemi bërë një mbledhje në Fier, në muajin Prill të vitit 1974 për të cilën unë kam folur me hollësi në proceset e mëparshme hetimore. Po kështu janë të vërteta edhe të gjitha shpjegimet e Abdylit për sabotimet që kemi kryer bashkarisht, në metodologjinë e planifikimit, që unë jam më i vjetër nga Abdyli në sabotimet e naftës, në sabotimet e përbashkëta për kërkimet, për informimet jo reale që i jepnim Partisë e Qeverisë, e çështje të tjera që përmend ai në këtë proces dhe që unë i kam shpjeguar me hollësi e si më janë kujtuar në pohimet që kam bërë në hetuesi.
Pyetje: Të paraqesim për njohje procesin hetimor datë 07.04.1976 të të pandehurit Abdyl Këllezi i cili, ndërmjet të tjerave jep shpjegime për sabotimet e përbashkëta që keni kryer në sektorin e kërkimeve të naftës, për sabotime të tjera në sektorin e shfrytëzimit, biseda që keni bërë bashkarisht edhe me tradhëtarin Beqir Balluku për këto sabotime, për djegien e naftës në kaldaja të ndryshme, për mënyrat që keni përdorur për t’i fshehur Partisë e Qeverisë këto sabotime që kryenit e çështje të tjera që përmban procesi (I jepet procesi për ta lexuar). Ç’keni për të thënë lidhur me këto shpjegime të armikut Abdyl Këllezi?
Përgjigje: Pasi i lexova dhe i kuptova pohimet që bën Abdyl Këllezi në procesin e tij, datë 07.04.1976, kam për të thënë në tërësi se ato janë të vërteta dhe i pranoj. Është e vërtetë që unë, Lipe Nashi, Beqir Alia dhe sabotatorët e tjerë që kam përmendur në proceset e mia, kërkimet e naftës i bënim kundër vendimeve të Partisë e Qeverisë dhe Abdyli i dinte këto, ia kam thënë edhe unë. Dua të them se me Abdyl Këllezin unë jam në veprimtari të përbashkët armiqësore që nga viti 1966 që ishte kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës dhe kemi vepruar e biseduar bashkarisht, sidomos për copëzimin e ekonomisë e futjen e saj në rrugën e vetadministrimit revizionist, por edhe për fryrjen e aparateve, të byrove teknologjike etj. Kështu që ne, njëri-tjetrin, si njerëz me pikëpamje e veprime të kundërta armiqësore, e njohëm që në ato kohë dhe jo kur erdhi Abdyl Këllezi kryetar i Komisionit të Planit, siç thotë ai. Kur Abdyli erdhi kryetar i Komisionit të Planit, mori vesh për sabotimet e mëparshme që unë me armiq të tjerë kryenim në industrinë e naftës e të gazit, qoftë nga bisedat me mua, apo me Ramiz Xhabinë dhe pas kësaj kohe e deri në fund, ka qenë më i avancuar se unë për të intensifikuar këto sabotime. Është e vërtetë që në vitin 1973, unë kam bërë disa biseda me Abdylin e Lipe Nashin ku diskutonim shtimin e mbingarkimit të vendburimeve ekzistuese edhe në Fier, po kështu është e vërtetë që Abdyli na thoshte se ai nuk donte t’ia dinte për inondimin dhe përmbytjen e puseve, por i duhej me çdo kusht realizimi i planit. Mua nuk më kujtohet që të ketë qenë i pranishëm në këto biseda edhe Beqir Balluku e të ketë aprovuar fjalët e Abdylit. Unë jam takuar në disa raste me Beqir Ballukun në shtëpinë e pritjes në Fier ku dhe kemi ndejtur me Lipe Nashin e persona të tjerë, por biseda që thotë Abdyli nuk më kujtohet që të jetë bërë në prezencën time, ndoshta ka qenë ndonjë rast që unë nuk kam qenë. Unë me Beqir Ballukun nuk më kujtohet që të kemi biseduar për çështjet e naftës dhe për sabotimet që kryenim në këtë sektor të ekonomisë. Për Abdylin nuk di nëse ka biseduar me Beqirin për çështjen e sabotimeve të naftës apo jo, mua nuk më kujtohet që të ketë thënë Abdyli se për këto sabotime ishte në dijeni edhe Beqir Balluku.
Është e vërtetë që unë e Abdyli kemi kryer sabotime në naftë edhe duke urdhëruar që ajo të digjej nëpër kaldaja. Këtë e kam shpjeguar në proceset e mia hetimore.
Është e vërtetë që unë i kam marrë Abdylit raportet që pregatiteshin për planin dhe buxhetin e që paraqiteshin në Byronë Politike, në Qeveri dhe në Kuvendin Popullor dhe në bazë të tyre orientohesha për diskutimet që duhej të pregatitesha unë dhe kështu unë rakordoja problemet që do të diskutoja me ato që do të përmbante raporti. Material tjetër nga Abdyl Këllezi, përveç raporteve, nuk më kujtohet që të kem marrë.
Proces – Verbalin e lexova, thëniet e mia janë shkruar drejt dhe e firmos.
I PANDEHURI HETUESI
/ KOÇO THEODHOSI / / ELHAM GJIKA /
PROCES – VERBAL
Në Tiranë më 24.02.1977
Unë, Elham Gjika, hetues në Ministrinë e Punëve të Brendshme, mora në pyetje të pandehurin Koço Theodhosi.
Pyetje: Në hetimin e deritanishëm, ti i pandehur ke pranuar se ke patur pikpamje armiqësore, anti marksiste kundër Partisë dhe Pushtetit Popullor, në drejtim të rolit udhëheqës e drejtues të Partisë në vendin tonë, ke qenë kundër marrëdhënieve me vendet revizioniste dhe që sipas teje, fajtore për një gjë të tillë ishte Partia e Punës së Shqipërisë dhe shteti ynë, ke qenë kundër masave revolucionarizuese që mori Partia në Letrën e Hapur të KQ të Partisë, ke qenë kundër politikës ekonomike të Partisë e të shtetit tonë dhe me parimet e drejtimit të ekonomisë, si me çështjen e planifikimit, drejtimit të centralizuar të ekonomisë e të aparateve shtetërore, me zhvillimin porpocional të degëve të ekonomisë etj. dhe në realizim të këtyre pikpamjeve armiqësore i ke shkaktuar dëme të rëndësishme Partisë dhe Atdheut. Na jepni shpjegime se çfarë ke synuar të realizosh përfundimisht ke këto veprime thellësisht armiqësore që ke kryer.
Përgjigje: Këto pikëpamje armiqësore dhe të tjerat që unë i kam shpjeguar në proceset e mia hetimore, përbëjnë botëkuptimin tim borgjezo-revizionist që unë kam patur kundër rendit socialist në Shqipëri dhe Partisë së Punës të Shqipërisë.
Të gjitha këto pikëpamje anti-marksiste, siç kam shpjeguar edhe më parë, unë jam përpjekur t’i realizoj në praktikë pasi nuk isha dakord me pushtetin e diktaturës së proletariatit që është në Shqipëri, dëshiroja që ky të zëvendësohej me një rend borgjezo-revizionist që të mëshironte pikpamjet e mia armiqësore. E tërë kjo punë armiqësore që unë kam kryer, është një veprimatari e imja e ndërgjegjshme, e cila kohë pas kohe ka evoluar dhe ka ardhur gjithnjë në intensifikim, deri në kohën që u zbulova dhe u godita nga Partia.
Siç kam shpjeguar edhe në proceset e mia hetimore, pozicioni im armiqësor është i vjetër dhe ka ardhur duke u bashkërenduar edhe me pesona të tjerë që kam përmendur në pohimet që kam bërë. Pra, në këtë rrugë armiqësore unë kam gjetur edhe persona të tjerë, armiq që në bisedat e bëra me ta, i kemi shprehur njëri-tjetrit pikëpamjet tona të kundërta që kishim me vijën e Partisë. Kështu unë kam biseduar me Abedin Shehun mbas çlirimit, më vonë me Ramadan Xhangollin, Maqo Çomon, Kiço Ngjelën, Bilbil Klosin dhe sidomos kur caktohem ministër i Industrisë e Minierave, pikpamjet armiqësore që kisha rast pas rasti për çështje të ndryshme, i kam biseduar dhe i kemi realizuar bashkarisht me Abdyl Këllezin. Këto biseda e veprime me Abdylin i kemi bërë për t’ju kundërvënë masave që mori Partia me Letrën e Hapur, për të goditur drejtimin e centralizuar të ekonomisë e të aparateve shtetërore dhe futjen e tyre në rrugën e vetadministrimit revizionist, për të goditur planifikimin, naftën e sektorë të tjerë të industrisë e minierave që kam shpjeguar në proces. Në vazhdën e bisedave armiqësore që kam bërë me Abdyl Këllezin për çështjet që përmenda më lartë, bëjnë pjesë edhe ato që kam shpjeguar edhe më parë, por tani për tani nuk më kujtohen biseda të tjera në të cilat unë dhe Abdyli kemi unifikuar pikpamjet tona të kundërta. Me këto biseda e veprime armiqësore, Abdyli ka bërë që dhe unë ta thelloj më tej veprimtarinë time sabotuese, sidomos në drejtim të goditjes së naftës.
Proces – Verbalin e lexova, thëniet e mia janë shkruar drejt dhe e firmos.
I PANDEHURI HETUESI
/ KOÇO THEODHOSI / / ELHAM GJIKA /
PROCES – VERBAL
Në Tiranë më 25.02.1977
Unë, Elham Gjika, hetues në Ministrinë e Punëve të Brendshme, mora në pyetje të pandehurin Koço Theodhosi.
Pyetje: Ti i pandehur pohon se pasi je caktuar ministër i Industrisë e Minierave, pikëpamjet armiqësore që kishe, rast pas rasti dhe për çështje të ndryshme, i ke diskutuar dhe i ke realizuar bashkarisht me armikun Abdyl Këllezi. Na shpjegoni konkretisht disa prej këtyre bisedave armiqësore që ke bërë me armikun Abdyl Këllezi.
Përgjigje: Veprimtarinë armiqësore sabotuese që unë kam kryer në drejtime të ndryshme, jam munduar që ta shpjegoj në proceset e mëparshme hetimore. Është e vërtetë që unë këtë veprimtari armiqësore e kam intensifikuar mbasi erdha ministër i Industrisë e Minierave dhe kjo ka ndodhur pasi, prej kësaj kohe e deri në fund, në kohë e rrethana të ndryshme, jam bashkuar me armiq të tjerë si me Abdyl Këllezin, Kiço Ngjelën, Fadil Paçramin, Piro Dodbibën, Piro Gushon, Filip Nashin, Beqir Alinë dhe me persona të tjerë që kam vepruar bashkarisht me ta në sabotimin e industrisë së naftës e të gazit dhe që kam përmendur në proceset e mëparshme hetimore.
Veprimtarinë armiqësore me Abdyl Këllezin e kam filluar që nga vitet 1966-1967 kur ai ishte kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës dhe e kemi thelluar mbasi ai erdhi kryetar i Komisionit të Planit të shtetit. Në proceset e mëparshme hetimore, unë kam shpjeguar veprimet e përbashkëta armiqësore që kam kryer me Abdylin, me të cilat u jemi kundërvënë vijës politike e ekonomike të Partisë. Kështu me Abdylin kemi patur pikpamje të përbashkëta armiqësore kundër Letrës së Hapur të KQ të Partisë, për çështjen e copëzimit të ekonomisë dhe futjen e saj në rrugën e vetadministrimit revizionist, kemi hartuar plane të fryra duke vënë në to shifra të parealizueshme, kemi qenë kundër drejtimit të centralizuar të ekonomisë dhe në fakt, kemi realizuar decentralizime të karakterit vetadministrues revizionist, kemi patur pikpamje të njejta armiqësore dhe kemi vepruar bashkarisht për sabotimin e industrisë së naftës e të gazit, jemi përpjekur të mashtrojmë udhëheqjen e Partisë e Qeverisë e veprime të tjera armiqëore që kam shpjeguar në proceset e mia.
Dua të them se Abdyl Këllezi, sidomos në veprimet e përbashkëta që kemi kryer për të futur ekonominë në rrugën e vetadministrimit revizionist dhe në shfrytëzimin barbar të vendburimeve ekzistuese të naftës e të gazit, ka qenë më i avancuar se unë.
Pikpamjet e përbashkëta armiqësore që kam patur më Abdyl Këllezin, në kohë e rrethana të caktuara, ne i kemi biseduar me njeri-tjetrin dhe pasi binim dakort, kryenim bashkarisht veprimet sabotuese që kam shpjeguar. Unë disa nga këto biseda i kam pohuar edhe në proceset e mëparshme hetimore, por dua të shtoj se:
Në vazhdën e bisedave armiqësore që kam bërë me Abdyl Këllezin kundër masave revolucionarizuese që mori Partia me Letrën e Hapur të KQ, më kujtohet që ne me njeri-tjetrin kemi biseduar edhe kundër çështjes së Qarkullimit të Kuadrit e zbatimit të vijës së masave. Ndër këto biseda më kujtohet një rast që duhet të ketë ndodhur aty nga vitet 1970-1971, kur Fejzo Binua që punonte në Komisionin e Planit, duhej të qarkullonte e të shkonte në Ballsh. Unë kam shkuar në zyrën e Abdylit dhe ky më tha që kishin vendosur që t’ja hiqnin Fejzon, ta qarkullonin, por me këtë qarkullim po dëmtohej puna, pasi po hiqeshin specialistë të mirë e me përvojë dhe se nuk kishte me kë ta zëvendësonte. Unë i thashë që ashtu ishte, por nuk kishte ç’t’i bënte. Më gjatë bisedën për këtë çështje nuk më kujtohet ta kemi vazhduar.
Në një rast tjetër, duhet të ketë qenë nga fundi i vitit 1973, Abdyli ka ardhur në zyrën time dhe duke qenë vetëm të dy, më kërkoi një kuadro për ta vendosur në drejtorinë e investimeve të Komisionit të Planit, pasi atje kishte një kuadër të ardhur nga baza, por që sipas tij, nuk ia kryente detyrën dhe që ja kishin sjellë pasi ishte me biografi të mirë. Me këtë rast Abdyli më tha që ky qarkullimi i kuadrit po na prishte punë, pasi po hiqeshin kuadrot e afta dhe po viheshin në vend të tyre njerëz që nuk ishin të zotë në profesion dhe nuk i kryenin detyrat, por vetëm kishin besimin politik. I thashë Abdylit që në Ministrinë e Industrisë e Minierave, unë nuk po i qarkulloja kuadrot e afta, sepse nuk kisha me se t’i zëvendësoja këto kuadro. Abdyli më tha se nuk kisha çfarë të bëja tjetër dhe më porositi kërkesën e parë të tij që t’i jepja profesor Hajredin Kumbaron për ta vënë drejtor të investimeve. Unë i thashë se Hajredinin nuk ia jepja dot pasi e kisha të vetmin specialist për metalurgjinë e zezë. Kështu ka edhe biseda të tjera që kemi bërë me Abdylin për këtë çështje.
Në bisedat e ndryshme që herë pas here kam bërë me Abdyl Këllezin për zbatimin e vijës së masave, ai më shprehej se masa nuk ishte e aftë që të jepte mendime shkencore për zgjidhjen e problemeve të ndryshme të prodhimit apo të organizimit të punës, për këto çështje duheshin pyetur specialistët, pasi ata i dinin ato. Kështu më kujtohet se, që kur Abdyli ishte kryetar i Komitetit Ekzekutiv që ne bashkarisht iu kundërvumë porosisë së Partisë edhe për thjeshtimin e aparateve duke krijuar linja e ndërmarrje të reja e duke fryrë byrotë teknologjike, bashkarisht me Abdylin diskutonim që për këto inisiativa të reja duhej diskutuar vetëm me specialistët, sepse ata i kuptonin ato çështje si duhej dhe në fakt kështu kemi vepruar që në ato kohë, duke mos i pyetur fare punonjësit, ose shtonim njerëzit në byrotë teknologjike duke besuar vetëm në aftësitë e atyre dhe duke injoruar mendimin e masës.
Ky Kocoja qenka zberthyer e tjetersuar fare; c’i duhej karriera nje karakteri te tille qe ishte i pershtatshem vetem per llogaritar te thjeshte te ndonje ndermarrjeje. paska ikur per lesh!